OPINIONTË FUNDIT

Edhe ‘gërrnaça’, edhe ‘rrugaça’ – thirrja e Dedë Preqit: Mos i nënçmoni mërgimtarët që e mbajnë Kosovën në këmbë

: Mërgimtarët nuk janë ata që do ta ngrenë zërin për të marrë poste qeveritare apo të shtyhen me bërryla për të siguruar vende pune dhe pozita të tjera; interesi i tyre ka qenë gjithmonë i përllogaritur në interesin atdhetar dhe qytetar
Në prag të zgjedhjeve të 28 dhjetorit, publicisti nga diaspora, Dedë Preqi, ka reaguar ashpër ndaj qasjes që, sipas tij, po u bëhet mërgimtarëve shqiptarë. Në një prononcim për Bota sot, ai thotë se në shoqëri po shfaqet një perceptim i shtrembëruar dhe i panatyrshëm ndaj kontributit të mërgatës, e cila prej dekadash ka qenë një ndër shtyllat më të fuqishme të zhvillimit të vendit.

Preqi thekson se mërgata shqiptare ka qenë gjithmonë e lidhur me vendin e vet, me kontribut të pandërprerë humanitar, ekonomik dhe shoqëror, qoftë para, gjatë, apo pas luftës.

Sipas tij, këto përpjekje nuk mund të zëvendësohen dhe as reduktohen në etiketime fyese.

ImageDedë PreqiFoto galeri
“Në prag të këtyre zgjedhjeve lidhet diçka e panatyrshme me perceptimin e mërgatës sonë shqiptare nëpër vendet e botës, e cila si e tillë, me të gjitha ato përpjekjet e saja edhe pas luftës së fundit në Kosovë, është si gjithherë e pandarë me aktivitete të vazhdueshme për ndërtimin dhe zhvillimin e vendit të vet.

Sikur ekziston një lloj dyshimi se në mesin e shoqërisë sonë koncepti i humanitetit dhe njerëzores po merr një kahe të pakuptimtë përballë asaj që do të ishte jo vetëm humane, por morale dhe, mbi të gjitha, atdhedashurie, që mbështetet në forcat dhe ndjenjat njerëzore.

Mund t’i quani si të doni, edhe “gërrnaça”, edhe “rrugaça” të metropoleve të botës, por mos i lëndoni dhe mos i mohoni, sepse ata janë shpirti humanitar dhe fisnik, të cilët janë të lidhur gjenetikisht me njerëzit e vendit dhe atdheun e vet. Edhe pse të larguar me kilometra të tëra, ata janë pjesë përbërëse e kësaj shoqërie, duke ndarë çdo gjë së bashku me njëri-tjetrin në ditët e mira dhe në ato të vështira”, shprehet Preqi.

Ai e quan “alarmante” mënyrën se si, sipas tij, po përdoret çështja e mërgatës në ditët e fundit para zgjedhjeve, duke shtuar se mërgimtarët kurrë nuk kanë kërkuar poste e privilegje, por gjithmonë kanë vepruar me interes të pastër qytetar e atdhetar.

“Ajo që po ndodh sot me rastin e këtyre zgjedhjeve në Kosovë është alarmante dhe për të ardhur keq, veçanërisht ndaj mërgimtarëve të këtij vendi. Mërgimtarët nuk janë ata që do ta ngrenë zërin për të marrë poste qeveritare apo të shtyhen me bërryla për të siguruar vende pune dhe pozita të tjera; interesi i tyre ka qenë gjithmonë i përllogaritur në interesin atdhetar dhe qytetar.

Sikur çdo herë, edhe kësaj radhe, në këto zgjedhje në fund të dhjetorit, mërgimtarët kudo që janë do ta shprehin vullnetin e tyre përmes votës së lirë dhe do të përcaktojnë secilin që e meriton dhe do ta marrë pushtetin në këtë vend, vetëm të ndikojë dhe të reflektojë me efekte pozitive, që të krijohen kushte për mirëqenien dhe jetën e këtij populli, i cili e meriton të afrohet dhe zhvillohet si vendet e tjera të popujve të zhvilluar të botës”, shton publicisti.

Ai shpreh kritika edhe ndaj qeverive të kaluara, të cilat, siç thotë ai, e kanë parë mërgatën vetëm për interesa dhe përfitime, duke i vënë pengesa investimeve të tyre dhe duke kërkuar madje edhe shuma të mëdha për t’i realizuar projektet.

Preqi shton se mërgata nuk duhet parë si mjet për të plotësuar apetitet e pushtetit, por si krahu më i fuqishëm ekonomik i vendit. Ai përmend të hyrat e mëdha vjetore që diaspora sjell në Kosovë, të cilat rriten nga viti në vit dhe e mbajnë ekonominë e vendit në këmbë.

“Pothuajse në të gjitha qeveritë e kaluara çështja e mërgimtarëve është lënë si e rezervuar, duke u trajtuar vetëm mbi bazën e interesave dhe përfitimeve ndaj tyre. Kur dihet fare mirë kontributi i tyre gjithpërfshirës, duke shprehur vullnetin e tyre për të investuar me kapitalin e vet në Kosovë, veprimet e njerëzve kompetentë në pushtetet e kaluara kanë krijuar kushtëzime për investitorët e tillë, duke kërkuar edhe shuma të mëdha parash për realizimin e një qëllimi të tillë.

Prandaj, imazhi i mërgatës shqiptare sot nuk është vetëm të përfaqësohet për të përmbushur apetitet e një pushteti, por sepse përllogaritet si krahu më i fuqishëm për mbajtjen e këtij vendi në këmbët e veta. Mjafton të përmenden të hyrat kapitale vjetore të mërgatës në këtë vend, të cilat po rriten përditë e më shumë, duke qenë në gatishmëri të plotë dhe aktive në çdo kohë drejt një synimi të përbashkët për çdo zgjidhje pozitive për atdheun dhe njerëzit e këtij vendi”, thekson ai.

Duke kritikuar vendimet e fundit të LDK-së dhe opozitës, publicisti nënvizon se vendosja e kushteve të qëllimshme për votimin e mërgimtarëve përbën akt të padrejtë dhe jashtë çdo norme morale.

“Si duhet t’i quajmë vendimet e LDK-së dhe të opozitës: të drejta apo të padrejta? A janë jashtë çdo norme morale e njerëzore veprimet e tilla që merren ndaj mërgimtarëve, duke u vënë kushte të qëllimshme dhe të organizuara enkas për të penguar vullnetin e qytetarëve që vjen nga mërgata, e cila mbetet objekt i vëmendjes së botës qytetare? Ushtrimi i një kompleksi të tillë e zbulon vetë domethënien e vërtetë të mënyrës se si po përdoret mërgata.

Mërgimtarët mund t’i quani si të doni, por mos i lëndoni në shpirt dhe mos i nëpërkëmbni, sepse nuk e meritojnë një nënvlerësim të tillë ndaj tyre. Veprime të këtilla lëkundin marrëdhëniet reale të një populli dhe të një gjeneze, dhe mungesa e ekuilibrit mund ta rrezikojë të ardhmen e shoqërisë sonë, duke konceptuar një rrënim ndaj vetvetes dhe fizionomisë historike të saj”, nënvizon Preqi.

Preqi përfundon se Kosova ka nevojë jetike për mërgatën e vet dhe se çdo tentativë për ta margjinalizuar atë përbën rrezik të drejtpërdrejtë shoqëror.

“Në këto rrethana – nga një këndvështrim i veçantë – Kosova dhe çdo vend i tillë ka nevojë për mërgatën e vet, sepse këta njerëz përbëjnë një aparaturë të veçantë të shoqërisë, që i shërbejnë vendit të tyre, duke përfituar të gjithë nga frytet e punës dhe djersës së tyre.

Nuk duam që në këtë mënyrë të bëjmë një kronologji të thjeshtë apo të miratojmë atë që po ndodh sot në Kosovë, e cila ndoshta mund të vazhdojë edhe në të ardhmen. Por po ngremë një shqetësim për një çakordim në mesin e shoqërisë sonë.

Në një mënyrë, shoqëria jonë pa arsye i hap vetes gracka me mundësinë e shkatërrimit të këtij mjedisi shoqëror që shpaloset sot, për të cilat duhet të fajësohemi vetë, sepse kjo përpjekje e kësaj natyre mund të ishte ndryshe dhe më e mirë, për t’u mbrojtur nga përthithja e vorbullës që e kemi rojë te dera”, përfundon Preqi.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *