Mosmiratimi i buxhetit rrezikon mirëqenien sociale
Mbajtja e tri palë zgjedhjeve brenda vitit në Kosovë, kriza politike që e përshkoi vendin që nga fillimi i vitit, moskrijimi i qeverisë së re që për pasojë rezultoi edhe me mosmiratimin e buxhetit për vitin 2026, bëri që vendi të rrezikojë të hyjë edhe në krizë të thellë buxhetore. Me shpërbërjen e Kuvendit dhe shpalljen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme më 28 dhjetor nga Presidentja Vjosa Osmani, automatikisht hyri në fuqi neni 24 i Ligjit për menaxhimin e financave publike, nen ky që mundëson një zgjatje buxhetore vetëm edhe për dy muaj e parë të vitit pasues për pagat e sektorit publik.
Sipas këtij ligji, kjo zgjatje “mund të bëhet nëse zgjedhjet e përgjithshme mbahen më pak se katër muaj para vitit të ri fiskal, përkatësisht 1 janarit. Kjo zgjatje dymujore siguron një ndarje buxhetore për çdo organizatë buxhetore, që është e barabartë me 16.67 për qind të ndarjes buxhetore të siguruar për organizatën e tillë buxhetore nga ligji i ndarjeve buxhetore”, thuhet në Ligjin për menaxhimin e financave publike.
Kufizime dhe probleme financiare
Po, 1/12 e shfrytëzimit të buxhetit siç thuhet në ligj, për ministrin në detyrë të Ekonomisë dhe Financave, Hekuran Murati është tej kufizuese. “Do të ketë problem edhe me ekzekutimin e shpenzimeve të tjera, sepse, është hapësirë e tkurrur sa i përket aspektit fiskal në mungesë të buxhetit të përgjithshëm. Pra ju po e shihni sesi komunat që s’kanë buxhet të miratuar, si po përballen me probleme financiare për shkak të hapësirës së tkurrur fiskale. E njëjta do të ndodhë në nivel shtetëror dhe e gjitha kjo pas papërgjegjësisë totale nga PDK, LDK, AAK dhe Nisma (parti të deritashme opozitare) të cilët nuk morën fare pjesë në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit për ta miratuar buxhetin e vitit 2026”.
Kundërshtime nga partitë kundërshtare të Vetëvendosjes
Por deklaratat e ministrit Murati hedhen poshtë nga partitë e deritashme opozitare. Sipas tyre, përpjekjet për miratim të buxhetit nga partia e deritashme në pushtet Vetëvendosja në këto rrethana janë të ngutshme dhe jo kushtetuese, dhe se buxhetin nuk mund ta përdorë Vetëvendosja si mjet për të ruajtur pushtetin pa konsensus. Në një komunikatë të Lidhjes Demokratike të Kosovës thuhej se kjo parti “nuk merr pjesë në improvizime politike”, që sipas tyre e “reduktojnë agjendën shtetërore në dekor elektoral”. “Nuk bëhemi pjesë e skenarëve populistë dhe të krizave të fabrikuara për interesa zgjedhore”, thuhej në komunikatën e LDK-së.
Edhe përfaqësuesit e partive tjera të deritashme opozitare, PDK, AAK, dhe Nisma, thanë se një qeveri në detyrë nuk mund të propozojë buxhet për vitin pasues, sepse ai buxhet do të duhej të miratohej nga legjislatura e kaluar, mandati i së cilës ka përfunduar më 9.02.2025, kur u mbajtën zgjedhjet e rregullta parlamentare.
Osmani kritikon mungesën e vullnetit politik
Sidoqoftë, më 20 nëntor, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, shpërndau parlamentin dhe caktoi 28 dhjetorin si datë për mbajtjen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme pasi paraprakisht për dy herë radhazi, deputetët dështuan të zgjidhnin qeverinë e re. Pas këtij vendimi, Presidentja tha se “nuk ka pasur vullnet nga partitë politike për mbajtjen e një seance të Kuvendit për t’i dhënë zgjidhje çështjes së buxhetit dhe as për miratimin e marrëveshjeve ndërkombëtare, që kanë impakt financiar”.
Por presidentja shpreson që pas zgjedhjeve të 28 dhjetorit, “sa më parë të kemi një Kuvend të ri i cili në seancën e parë pas konstituimit, paradite do të konstituohet, pasdite menjëherë do ta miratojë edhe buxhetin e Republikës së Kosovës, edhe komisionet përkatëse në mënyrë që menjëherë të fillojnë pagesat e rregullta”, thotë Presidentja. Vetë Osmani kishte shprehur shqetësim disa herë për mosmiratimin e buxhetit apo një projektligji për ndarje buxhetore, duke thënë se do të rrezikoheshin pagat e nëpunësve të sektorit publik. Ekspertët e ekonomisë dhe organizatat e ndryshme të biznesit, ndërkaq, edhe më herët kishin ngritur alarmin se vendi po shkon drejt një kolapsi buxhetor, duke thënë se shteti për herë të parë do të mund “të mbyllej” dhe të mos ketë mundësi të paguajë për asnjë shërbim.
Drejtori i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi, thotë se nëse nuk do të konstituohen institucionet e reja deri më mars të vitit të ardhshëm, Kosova do të jetë para një kolapsi financiar. “Institucionet do të kenë buxhet edhe për shkurt. Nëse nuk do të ketë zgjidhje të këtij problemi, nga 1 marsi Kosova rrezikon të jetë para një kolapsi financiar, që nuk ka ndodhur në Kosovën e pasluftës”, ka thënë Ibrahimi. Sipas tij, nëse deri në mars nuk themelohen institucionet e reja, arka e shtetit do të bllokohet dhe kjo do të thotë se “do të përcillet me mosekzekutim të pagave për shërbyesit publikë, mosekzekutim të pensioneve, shtesave për fëmijë, asistencës sociale, e të tjera”.
Biznesi i Kosovës: Klimë pasigurie në sektorin privat
Edhe organizata Lidhja e Bizneseve të Kosovës shpreh shqetësimin e thellë për situatën e krijuar ku mungesa e institucioneve funksionale dhe vendimmarrjes ka futur vendin në ngërç të plotë ekonomik. “Për inate politike po dëmtohet ekonomia e vendit, ndërsa Kosova po përballet me rritje të importit dhe ulje të eksportit, gjë që thellon më tej bilancin negativ tregtar dhe dëmton konkurrueshmërinë e prodhimit vendor. Mungesa e reformave fiskale dhe pezullimi i politikave zhvillimore kanë krijuar një klimë pasigurie në sektorin privat. Shumë borde dhe agjenci shtetërore kanë mbetur me ushtrues detyre, pa legjitimitet për të marrë vendime strategjike, duke paralizuar proceset ekonomike”, thuhet në reagim. “Mbi 1 miliard euro kredi dhe grante zhvillimore mbeten të bllokuara në Kuvend për shkak të mosfunksionimit institucional. Këto mjete, që do të mund të investoheshin në energji, infrastrukturë, arsim dhe prodhim, sot qëndrojnë të palëvizshme, ndërsa bizneset përballen me vështirësi të mëdha në terren”, thonë nga Lidhja e Bizneseve të Kosovës.
Kriza politike dhe institucionale mbi nëntë muajshe në Kosovë, pa qeveri, pa parlament dhe një cikël të ri zgjedhor në fund të dhjetorit, ka bllokuar edhe ratifikimin e Marrëveshjes me Bashkimin Evropian për Planin e Rritjes, Marrëveshjes së Facilitetit dhe Marrëveshjes së Huas. Plani i Rritjes së BE-së përmban një paketë prej 6 miliardë eurosh për të përkrahur përafrimin e ekonomive të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor me standardet evropiane. Nga kjo paketë, Kosova mund të përfitojë mbi 880 milionë euro, por mosratifikimi në parlamentin e Kosovës i marrëveshjes me BE-në ka bërë që Kosova të mos marrë asnjë qindarkë ende nga kjo shumë. / DW
