Rezoluta që mund të ndryshojë Ballkanin, deputeti ukrainas kërkon njohjen e Kosovës – kur do lëvizë Zelensky?
Deputeti i parlamentit ukrainas, Oleksiy Goncharenko, ka deklaruar se qëndrimi i tij personal për njohjen e Kosovës ka qenë gjithmonë i qartë dhe pro.
Në një prononcim për gazetën “Bota sot”, ai konfirmoi se ka ndërmarrë hapa konkretë duke paraqitur në Radën Verkhovna një projekt-rezolutë që synon njohjen e pavarësisë së Kosovës.
“Qëndrimi im personal ka qenë gjithmonë i qartë: Unë mbështes njohjen e Kosovës dhe kam paraqitur një projekt-rezolutë përkatëse në Rada Verkhovna. Fatkeqësisht, ajo ende nuk është shqyrtuar,” u shpreh Goncharenko.
Krahas kësaj, deputeti theksoi se vendimmarrja zyrtare në lidhje me politikën e jashtme është kompetencë e Presidentit të Ukrainës dhe institucioneve ekzekutive. Sipas tij, çdo hap që do të ndërmarrë Kievi duhet të jetë në harmoni me interesat kombëtare dhe detyrimet ndërkombëtare të vendit.
“Megjithatë, vendimi zyrtar bie brenda prerogativës së Presidentit dhe politikës së jashtme të vendit. Jam i bindur se kjo çështje duhet të zgjidhet duke marrë parasysh plotësisht interesat kombëtare dhe detyrimet ndërkombëtare të Ukrainës,” theksoi ai.
Deklarata e Goncharenkos vjen në një kohë kur çështja e njohjes së Kosovës nga Ukraina mbetet pjesë e debatit politik në Kiev, veçanërisht pas agresionit rus, që ka shtuar diskutimet për mbështetjen reciproke mes shteteve që përballen me provokime nga Serbia e Rusia.
