OPINIONTË FUNDIT

Prokuroria Speciale ngre aktakuzë për KRlME Iufte ndaj serbit, ish-komandant në Zhegër

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka njoftuar sot se ka ngritur aktakuzë ndaj personit me inicialet D.N., i cili akuzohet për veprën penale “Krim i luftës kundër popullsisë civile”, lidhur me ngjarjet e vitit 1999 në komunën e Gjilanit.
Sipas aktakuzës, D.N., në periudhën mars–prill 1999, në cilësinë e komandantit të nënstacionit në Zhegër, nuk ka ndërmarrë masa për të parandaluar plaçkitjet, dëbimin dhe vrasjen e 29 civilëve shqiptarë.

Prokuroria thotë se i pandehuri ishte në dijeni se më 30 mars 1999 forcat policore dhe ushtarake serbe, nën komandën e tij, kishin rrethuar fshatin Zhegër, ndërsa më 27 mars 1999 ishte sulmuar fshati Llashticë.

Gjithashtu, D.N., së bashku me komandantin e Stacionit të Policisë në Gjilan, dyshohet se kanë urdhëruar tjetërsimin e vendit të ngjarjes, me qëllim të zhdukjes së gjurmëve të krimeve të kryera.

Pavarësisht se ishte njoftuar me shkrim nga personat e dëmtuar, i pandehuri nuk kishte ndërmarrë asnjë veprim për parandalimin, ndalimin apo raportimin e krimeve. Sipas aktakuzës, ai madje ishte larguar nga vendi i ngjarjes, duke mos përmbushur obligimet e tij komanduese.

Prokuroria Speciale është në pritje të konfirmimit të aktakuzës nga gjykata kompetente./Telegrafi/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *