TË FUNDIT

Murati: LDK-ja nuk erdhi në seancë dhe tani po përpiqet të hedhi fajin te Ministria e Financave

Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka reaguar pas kërkesës së Komunës së Prishtinës për alokim të parakohshëm të 1/12-tës së buxhetit të paraparë për muajin dhjetor. Kjo kërkesë ka si qëllim që komuna të ketë mundësinë të shpenzojë buxhetin që do duhej të shpenzohej në dhjetor më herët, gjatë muajit nëntor, për të paguar disa prej faturave të grumbulluara, përfshirë edhe ato të energjisë elektrike.

Në një postim të tij në rrjetet sociale, Murati ka theksuar se ky alokim i parakohshëm nuk e zgjidh problemin, por vetëm e vonon atë, pasi që dhjetori mbetet pa buxhet. Ai ka sqaruar se Thesari do ta bëjë këtë alokim për të mundësuar pagesën e disa faturave të urgjencës.

“Zgjidhja e problemit do të ishte nëse pardje LDK-ja do ta votonin së paku buxhetin e Prishtinës, dhe pastaj fare s’do të kishte nevojë për këso improvizime. Mirëpo në vend të zgjidhjes, Lumir Abdixhiku me LDK-në vendosën të mos vinin fare në seancë pardje,” ka shkruar Murati.

Gjithashtu, Murati ka theksuar se është e papranueshme që LDK-ja, në vend të të gjeturit të një zgjidhjeje, ka tentuar të keqpërdorë situatën, duke i manipuluar prindërit e fëmijëve në çerdhe dhe duke i hedhur fajin Ministrisë së Financave për një problem që vetë LDK-ja nuk e ka mundur të zgjidhë.

” Për më keq, dje u munduan që të keqpërdorin edhe prindërit e fëmijëve në çerdhe duke u munduar që t’ia hedhin fajin Ministrisë së Financave, për buxhetin të cilin vetë LDK-ja nuk e votoi,” ka përfunduar ministri.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *