“Vetëm kjo hajni e PDK-së i tejkalon të gjitha hajnitë..” – Hafiz Shala “shpërthen” pas deklaratave të Çitakut për Rozeta Hajdarin
Publicisti shqiptaro-amerikan, Hafiz Shala, ka reaguar ashpër pas deklaratës së nënkryetares së PDK-së, Vlora Çitaku, e cila tha se Ministrja në detyrë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, “po ndiqet për milionat e abuzuara dhe jo për arsye politike”.
Në një postim të gjatë në Facebook, Shala ka kundërshtuar fort narrativen e Çitakut, duke i rikujtuar PDK-së skandalet e viteve të kaluara dhe duke e akuzuar për heshtje selektive në rastet ku, sipas tij, janë të përfshirë figura të afërta me këtë parti.
Ai ka përmendur rastin e vjedhjes së 30 kilogramëve ar në dhomat e dëshmive në Prishtinë dhe Pejë, duke thënë se “vetëm kjo hajni i tejkalon të gjitha hajnitë e Qeverisë Kurti” për të cilat po insiston opozita.
Shala theksoi se në këto raste “pipi i PDK-së u shurdhua”, duke aluduar në lidhjet e sugjeruara familjare të të dyshuarve me ish-presidentin Thaçi.
Në reagimin e tij, ai akuzon PDK-në për “hipokrizi politike”, duke kujtuar sipas tij afërsinë e dikurshme të saj me Beogradin, lëshimet ndaj Serbisë, rastet e faljes së territorit dhe skandalet e tjera të cilat, sipas Shalës, partitë opozitare sot po përpiqen t’i fshijnë ose relativizojnë.
Postimi i plotë:
Kur u vodhën 30 kg ari në dhomën e dëshmive në Prishtinë, e po ashtu edhe në Pejë, vetëm kjo hajni i tejkalon të gjitha “hajnitë e Qeverisë Kurti”, pa u lëshuar në skandalet e tjera. Disi iu shurdhua zëri juve të PDK-së, por edhe të tjerëve, sepse ishte në pyetje nipi apo daja i Thaçit përgjegjës — për këtë nuk jam i sigurt. Ju, kurrfarë të drejte nuk keni me e akuzuar askënd për hajni, nepotizëm, krim dhe tradhti ndaj atdheut, në cilësinë e bashkëpunëtorëve të ngushtë me Serbinë, të cilës ia plotësuat të gjitha kërkesat deri tek gjoja korrigjimi i kufirit — në të vërtetë falja e veriut — për të cilën e keni paguar z. Rubin 52.000 dollarë në muaj që t’ju ndihmonte në ndarjen e kësaj pjese më vitale, pa kurrfarë vendimi e as transparence. Për këtë u mor vesh tani gjatë gjykimit në Hagë.
Edhe pse nuk u mjaftuat me faljen e 8.200 hektarëve, përfshirë këtu Kullën e Çakorrin — zemrën e Rugovës, perlën e historisë dhe të turizmit — para se këto të ndodhnin, menjëherë pas pavarësisë vrapove zyrtarisht për vizitë në Beograd duke u përqafuar me gjelat e shqiptarëve të Dardanisë dhe, pos tjerëve, edhe të 1700 fëmijëve.
Nuk pushoje duke e sulmuar Mimoza Kusari-Lilën, kryetare e grupit parlamentar, se paska biseduar në telefon me Radoiçiqin — e kurdisur nga miku juaj Sllavko Simiqi, qëllimisht sipas regjisë paraprake të PDK-së dhe Listës serbo-shqipfolëse për të krijuar një “alibi” se gjoja edhe VV është e lidhur me këtë organizatë terroriste. Ndërsa tani po dalin edhe partitë tjera të lidhura ngushtë me ju, të cilat për Radoiçiqin nuk kanë kurrfarë problemi, por për Albin Kurtin po.
E ju, për të shkuar në veri zyrtarisht në cilësinë e Kryetarit të shtetit, Hashim Thaçi pritej me pogaçe e raki, duke i mundësuar shëtitjen e “lirë” nëpër liqenin e Ujmanit, aty afër vilës së Radoiçiqit, majorit të pjesës veriore me mbishkrime cirilice — mu ashtu sikur Thaçi përkulej para përmendores së serbëve të vrarë, siç shkruhej në pllakë: “nga terroristët e UÇK-së”.
Pastaj, filloi falja e traktorëve bujqve serbë, për t’u dukur i afërt dhe i mirë ndaj tyre. Një fjalë e vjetër nga të mençurit thotë: “Ai që është i mirë për gjithkënd, nuk është i mirë për askënd.”
Fatkeqësisht për shqiptarët, ai ishte gjarpër bashkë me adashin e tij, Edvin Kristaq Ramën — miq dhe bashkëpunëtorë të ngushtë të kriminelit dhe xhelatit Aleksandër Vuçiq, me të cilin thurën plane ogurzeza ndaj Republikës së Dardanisë, shkatërruese në periudha afatgjata.
Tani, ku do ta vendosni këtë njeri? Në mesin e “heronjve dhe Komandantëve të UÇK-së” apo në mesin e Esat Pashë Toptanit dhe të Edvin Kristaq Ramës?
Dhe, sipas përfaqësuesve partiakë të LDK-së, të cilët aspak nuk dallojnë nga ju, nuk e kanë problem të kthehen në pikën zero — pra, kur Radoiçiqi ishte “major” i pjesës veriore — për t’u dhënë leje përsëri të shkoni lirshëm në veri.
Kjo kurrë nuk do të ndodhë. Përndryshe, kësaj i thonë: po i fryni zjarrit, i cili së pari ju do t’ju djegë.
Megjithatë, mendoj se ende ka mbetur ndonjë rugovist brenda kësaj partie, ani pse shumicën i keni zvarritur nga Konventa, fatkeqësisht.
Shtrohet pyetja: në vend që të merreni me problemet sociale të punëtorëve dhe qytetarëve, ju nuk gjeni mirëkuptim për të zhbllokuar — përmes miratimit të buxhetit — problemin e pagesave. Por, siç duket, opozitës nuk i konvenon të ketë situatë normale dhe të qetë, sepse vetëm kështu mendon se mund të mbijetojë deri në largimin e Kurtit, jo përkohësisht, por përgjithmonë.
Kurti, për shkak të situatës së rëndë ekonomiko-sociale, e caktoi z. Konjufca në postin e Kryeministrit në periudhën kalimtare, vetëm që të aprovohej buxheti dhe përfitimi prej gati një miliard dollarësh nga BE-ja. Ndërsa në radhë të parë të lëshoheshin pagesat për punëtorët e Televizionit Nacional RTK, të cilët paralajmëruan përshkallëzim për shkak të situatës, duke u bashkangjitur edhe sindikatat tjera të punëtorëve në shenjë solidariteti.
Kam përshtypjen se opozita e bashkuar po e sheh këtë si rast ideal për ta sulmuar qeverinë dhe gjithë faji t’i mbetet asaj. Por populli nuk mendon kështu. Arsyeja pse opozita nuk dëshiron të gjejë zgjidhje është se stabilizimi i situatës dhe fillimi i funksionimit të shtetit do të nënkuptonte nisjen e konfiskimit të pasurisë së vjedhur nga populli. Dhe këtë, kjo opozitë kullakësh, nuk mund ta pranojë.
Kjo është arsyeja kryesore, prandaj le ta kuptojë ky popull se kush po krijon destabilizim përmes prodhimit të problemeve sociale në tërë vendin, për ta sjellë vendin në gjendje kaotike. Kjo nuk duhet lejuar në asnjë mënyrë dhe për asnjë çmim.
