Reagon ShSKUK: Vetëm dy klinika janë me ushtrues detyre, të gjithë drejtorët janë zgjedhur në përputhje me legjislacionin në fuqi
Reagon ShSKUK: Vetëm dy klinika janë me ushtrues detyre, të gjithë drejtorët janë zgjedhur në përputhje me legjislacionin në fuqi
Shërbimi Spitalor Klinik Universitar i Kosovës ka reaguar në lidhje me raportimet se shumica e drejtorëve të klinikave në kuadër të QKUK-së janë me ushtrues detyre.
Sipas ShSKUK-së kjo nuk qëndron, ngase nga 38 klinika dhe shërbime klinike të QKUK-së, 36 prej tyre menaxhohen nga drejtor të zgjedhur ndërsa vetëm dy institucione si Klinika e Onkologjisë dhe Shërbimi Klinik i Kardiokirurgjisë menaxhohen nga ushtrues detyre.
“Duhet të theksojmë që për Klinikën e Onkologjisë, konkursi është i hapur dhe është në proces te perzgjedhjes, përmes një procesi konkurimi të drejtë dhe transparent.Më tej, theksojmë se Bordi Dejtues i ShSKUK-së, nuk ndërhyn në punën e klinikave por mbikëqyrë dhe i mbështetë, përmes kompetencave ligjore që ka, sipas Statutit, pra punën e të gjitha institucioneve përbërëse të ShSKUK-së.Sqarojmë se të gjithë drejtorët e klinikave në ShSKUK janë zgjedhur në përputhje me legjislacionin në fuqi”,thuhet në reagimin e ShSKUK-së.
Tutje u tha se çdo pretendim që emërimet janë bazuar në përkatësi politike është i pabazë dhe minon punën e palodhur dhe përkushtimin e stafit për të respektuar standardet më të larta dhe profesionalizmit e transparencës.
“Sigurojmë publikun se prioriteti ynë mbetet ofrimi i shërbimeve shëndetësore sa më cilësore për qytetarët e Kosovës, dhe që institucionet tona të drejtohen në përputhje me ligjin dhe praktikat më të mira. Andaj, jemi të përkushtuar që të sigurojmë që të gjitha pozitat udhëheqëse në klinikat dhe shërbimet tona klinike të plotësohen përmes proceseve konkuruese të ndershme dhe transparente, bazuar vetëm në merita dhe kualifikime profesionale, pa anime politike”./Lajmi.net/