OPINIONTË FUNDIT

Ironike: Kosova shkollë demokracie, Shqipëria dhe Serbia më afër BE-së!

Ora 21.40 e datës 9 nëntor 2025. Gugulloj në internet me qëllim që të shoh rezultatet e zgjedhjeve në Shqipëri dhe në Kosovë. Shqipëria pati sot votime të pjesshme në 5 komuna. Kosova zhvilloi balotazhin në 18 komuna. Në të dy rastet u votua për kryetarët. Në Shqipëri për kryetarët e bashkive në Vlorë, Berat, Tepelenë, Cërrik dhe Mat. Në Kosovë për kryetarët e komunave në Prishtinë, Prizren, Mitrovicë, Pejë, Gjilan, Fushë-Kosovë, Podujevë, Vushtri, etj.

Po çfarë më jep google në orën që përmenda më sipër? Në Kosovë janë numruar të gjitha fletët e votimit. Kanë dalë rezultatet për të gjitha komunat. Në Prishtinë ka fituar Përparim Rama i LDK-së me një rezultat të ngushtë kundrejt Hajrullah Çeko të Vetëvendosjes. Po ashtu, LDK ka fituar edhe në Pejë e disa komuna të tjera. Faton Peci i koalicionit Vetëvendosje-Guxo ka fituar në Mitrovicë, megjithëse në raundin e parë exit-pollet e Baton Haxhiut patën lajmëruar opinionin publik se kandidati i PDK-së kishte fituar me 58.7, ndërsa Fatoni kishte humbur me 25 përqind pikë poshtë kandidatit të PDK-së. Më pas ndodhi ndryshe. Ata të dy rezultuan me një diferencë prej vetëm 0,5 përqind. Fatoni në balotazh fitoi përballë akoalicionit PDK-LDK-AAK!

Në Prizren doli fitues Shaqir Totaj i Partisë Demokratike. Eshtë mandati i dytë i tij në këtë komunë. Vetëvendosje fitoi edhe Gilanin, Fushë-Kosovën, ku për 21 vite e udhëhiqte Lidhja Demokratike me Burim Berishën kryetar. Po ashtu dhe disa komuna të tjera. AAK fitoi Gjakovën. Dhe kësisoj qytetarët e Kosovës nesër nuk zgjohen në mëngjes kuriozë se kush cilën komunë ka fituar.

Por ndodh ndryshe në Shqipëri. Kur në Kosovë KQZ njoftoi rezultatet përfundimtare, Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Ilirian Celibashi, thoshte se “sapo ka filluar numërimi i votave”! Pastaj njoftoi se rezultatet e para të zgjedhjeve në Shqipëri do të jepen mesditën e të hënës, 18 – 20 orë pas mbylljes së kutive të votimit. Rezultati në Kosovë u bë i njohur vetëm 2 orë e 40 minuta pas mbylljes së kutive të votimit. Çfarë ndikoi? Asgjë, përveçse asaj që Kosova po dëshmon sërishmi se është shkollë e demokracisë dhe e respektimit të standardeve në zgjedhje. Përndryshe në Shqipëri ishin regjistruar 334.539 votues dhe shkuan në qendrën e votimit vetëm diku te 50 mijë zgjedhës, ose 18.77 përqind. Ndërsa në Kosovë numri i votuesve të regjistruar në 18 komuna ishte katër herë më shumë, gjithsej 1,316,672 dhe votuan rreth 400 mijë prej tyre. Që do të thotë se Shqipëria kishta avantazh në këtë drejtim.

Imagjino! Kosova administron në 160 minuta 400 mijë fletë votimi në 525 qendra votimi e 1.648 vendvotime. Shqipëria nuk i administorn dot për gati 24 orë as 50 mijë fletë votimi. Në Shqipëri garuan 13 kandidatë, ndërsa në Kosovë 36 kandidatë. Kandidatët në Kosovë festuan fitoren ose përjetuan humbjen në pak kohë. Ndërkohë në Shqipëri duhet të presin për ditën e hënë në mesditë apo në mbrëmje, tashohim se kur!

Megjithatë Shqipëria, më saktë kryeministri i saj, ka shpallur se do të shkojë në BE brenda vitit 2030, kurse Kosova akoma nuk ka marrë statusin e vendit kandidat. Dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, thotë se mund të pranohet në BE menjëherë, nëse ai njeh Kosovën dhe vendos sanksione kundër Rusisë. As Rama dhe as Vuçiq nuk i përmendin asnjëherë standardet e demokracisë, sepse e dinë se në Europë nuk ka integrim me merita. Kjo do të thotë sa më shumë demokraci, sa më mirë t’i kesh plotësuar standardet, aq më ngadalë udhëton drejt integrimit europian. Madje Europa të vendos masa shtrënguese, nëse ti guxon dhe aplikon standarde demokratike më të avancuara sesa në Serbi e në Shqipëri! Këtë fat po përjeton Kosova! Europë e çoroditur e njëkohësisht e çmendur!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *