“Me Konjufcën është një shans i ri”/ Salihaj: PDK dhe LDK nuk dëmtohen nëse zgjedhin një qeveri
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka mandatuar Glauk Konjufcën për të formuar Qeverinë e re të vendit, një hap që shënon përpjekjen e dytë të Lëvizjes Vetëvendosje për të krijuar ekzekutivin pas zgjedhjeve të fundit parlamentare. Megjithatë, duket se perspektivat për suksesin e mandatit të Konjufcës janë minimale.
Megjithatë, skena politike mbetet e polarizuar, ndërsa ish-opozita është e bashkuar rreth idesë për zgjedhje të reja parlamentare.
Partitë ish-opozitare, përfshirë Partinë Demokratike të Kosovës (PDK), Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK), Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) dhe Nismën Socialdemokrate, kanë bërë të qartë se nuk do ta mbështesin një qeveri të udhëhequr nga Konjufca. Kjo refuzim i përbashkët tregon se Vetëvendosje do të përballet me sfida të mëdha për të arritur shumicën parlamentare të nevojshme për formimin e qeverisë.
Ish-deputeti Adem Salihaj, në një prononcim për “Bota sot”, thekson se bllokadat për konstituimin e Kuvendit dhe formimin e qeverisë janë shumë të dëmshme për Kosovën.
Ai shpreh shpresë te Konjufca për një qeveri të përkohshme, që të shmanget një dimër i vështirë politik dhe ekonomik.
Salihaj nxit partitë të bëjnë kompromis për interesa qytetare, duke vlerësuar veprimet e PDK-së dhe LDK-së që mundësuan konstituimin e Kuvendit, dhe sugjeron se zgjedhja e një qeverie nuk do t’i dëmtonte ato, ndërsa bllokada do të ketë pasoja serioze.
“Bllokada që iu bë për tetë muaj konstituimit të Kuvendit dhe bllokada tash për formimin e qeverisë janë tepër të dëmshme për të tashmen dhe të ardhmen e Kosovës. Me Konjufcën është një shans i ri që Kosova ta ketë një qeveri së paku të përkohshme, që të mos e kemi një dimër të rëndë e të gjatë, sepse, siç po shihet, ka mundësi që deri në pranverë të mos e kemi Kuvendin dhe Qeverinë tjetër.
Për hir të interesave partiake nuk duhet të dërgohet Kosova prej një katastrofe në tjetrën. Partitë fitojnë shumë nëse bëjnë kompromise për interesa të qytetarëve të Kosovës, sepse ato ekzistojnë për këto interesa, e jo për interesa të tyre ose liderëve të tyre.
PDK dhe LDK bën veprime të mira dhe të drejta që e mundësuan konstituimin e Kuvendit. Nuk dëmtohen aspak nëse e zgjedhin një qeveri, të cilën kur të duan, mund ta rrëzojnë. Me rëndësi që Kosova të mos mbahet e bllokuar e pa buxhet edhe për disa muaj, sepse pasojat do të jenë shumë të rënda” – shpjegon Salihaj për “Bota sot”.
