OPINIONTË FUNDIT

Analisti tregon pse Albin Kurti e nominoi Glauk Konjufcën për kryeministër

Pasi lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurti, nuk i mori votat e mjaftueshme në Kuvend për t’u zgjedhur kryeministër, presidentja e vendit ka mandatuar Glauk Konjufcën për formimin e qeverisë së re.

Sipas Kushtetutës, mandatari ka afat 15 ditë për t’ia prezantuar Kuvendit përbërjen e re të ekzekutivit, që duhet të marrë mbështetjen e të paktën 61 deputetëve për t’u zgjedhur.

Ky veprim ka hapur një fazë të re politike në Kosovë, duke sjellë reagime të shumta mbi qëllimet e këtij vendimi.

Sipas analistit politik Faton Mehmeti, ky është një hap strategjik i menduar mirë nga Kurti, me synimin për ta mbajtur kontrollin politik brenda Vetëvendosjes dhe për t’ia kaluar topin opozitës.

“Veprimi i fundit i kryeministrit Kurti për ta nominuar Glauk Konjufcën si mandatar mund të shihet si një lëvizje politike e menduar me kujdes, që synon ta mbajë iniciativën politike brenda Vetëvendosjes edhe në një situatë të tensionuar. Ky nominim tregon se Kurti nuk dëshiron t’i hapë rrugë një zgjidhjeje jashtë kontrollit të partisë së tij, duke e vendosur përgjegjësinë e radhës te opozita dhe te presidentja”, thotë Mehmeti.

Sipas tij, veprimi i Kurtit është një test për opozitën.

“Tani topi është pa dyshim në fushën e opozitës. Ajo duhet të vendosë nëse do të marrë përgjegjësinë për formimin e qeverisë apo do ta çojë vendin drejt zgjedhjeve të reja. Ky është një moment testues për LDK-në, PDK-në dhe AAK-në nëse do të arrijnë të bashkëpunojnë për stabilitet institucional apo do të vazhdojnë logjikën e bllokadës”, shton Mehmeti.

“Në këtë fazë pritet që skena politike të hyjë në një dinamikë të re: nëse opozita dështon të tregojë pjekuri politike, Kurti mund të dalë edhe më i fortë në zgjedhje të mundshme, duke e shitur narrativën se ‘nuk e lanë të qeverisë’”, përfundon analisti Faton Mehmeti për “Bota sot”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *