OPINIONTË FUNDIT

“LDK-ja s’ka timon” – Bekteshi i ashpër ndaj Abdixhikut pasi refuzoi Kurtin, ia përmend afërsinë me PDK-në, Ramën dhe “oligarkët”

Ashtu siç edhe pritej, Kosova edhe tetë muaj pas zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit, nuk arriti të bëhet me qeveri të re.

Ishin deputetët nga LDK, PDK, AAK dhe Lista Serbe ata që votuan kundër krijimit të Qeverisë Kurti 3.

Tash e një kohë të gjatë, subjektet politike opozitare kanë shprehur një kundërshtim të ashpër ndaj kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, ndërsa kulmi i këtij kundërshtimi ishte edhe refuzimi për koalicion dhe, për rrjedhojë, votimi kundër krijimit të qeverisë së re.

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, vetëm pak ditë para se të tentohej votimi i qeverisë, foli me një diskurs mjaft të rëndë për Albin Kurtin.

Sipas Abdixhikut, ndërsa në vitin 2020 ishte krenari shkrepja e një fotografie me kryeministrin në detyrë, sot kjo gjë konsiderohet si “turp”.

Veprimtari shqiptaro-amerikan, Ramazan Bekteshi, në një prononcim për gazetën “Bota Sot”, ka thënë se refuzimi që Abdixhiku po ia bën Kurtit shkon në dëm të interesit shtetëror.

“Diskursi i Abdixhikut ndaj Kurtit ka qenë agresiv dhe armiqësor pothuajse që nga fillimi. Ai ka deklaruar me krenari se ‘ne nuk takohemi me Kurtin, ne nuk flasim me kryeministrin’. Kryetari i LDK-së i pari e pati nderin dhe privilegjin të ftohet nga Kurti që të formojnë së bashku qeverinë, por ai e refuzoi, edhe pse kjo shkon në dëm të interesit shtetëror e kombëtar,” është shprehur Bekteshi për “Bota Sot”.

ImageRamazan BekteshiFoto galeri
Ai ka bërë edhe një krahasim ndërmjet ish-kryetarit të LDK-së, Isa Mustafa, dhe kryetarit aktual, Lumir Abdixhiku, duke thënë se ky i fundit i ka prioritet “oligarkët” që i kanë sjellë vendit vetëm humbje.

“Siç është parë gjatë tetë muajve të fundit, kryetari i LDK-së ka një qasje diametralisht të kundërt nga paraardhësit e tij para Isës. Ai, si autokrat, në çdo çast të udhëheqjes së tij ka abuzuar me partinë, së bashku me disa bashkëpartiakë, duke e harruar interesin e partisë e të Kosovës, por duke iu bashkuar grupeve të interesit. Për Lumirin, prioritet ishin, janë dhe do të mbeten oligarkët, që fatkeqësisht LDK-së dhe shtetit i kanë sjellë shumë humbje për shkak të konfliktit të interesit,” ka theksuar Bekteshi.

Sipas tij, z. Abdixhiku po ashtu u josh nga Edi Rama, një kundërshtar i tmerrshëm i kryetarit historik Ibrahim Rugova, i cili u ftua nga LDK-ja që të flasë për kronikat e lavdishme të Rugovës.

“Kjo ishte një ngjarje e tmerrshme dhe një pabesi e Lumirit ndaj elektoratit besnik të LDK-së dhe imazhit të presidentit Rugova.

Z. Abdixhiku, së bashku me Memlin, u joshën pandërprerë edhe nga bashkësia ndërkombëtare, e posaçërisht nga Escobari, për të rrëzuar Kurtin dhe për të marrë pushtetin, në mënyrë që të implementoheshin marrëveshjet e firmosura nga ish-bosët e tyre,” ka theksuar Bekteshi.

Nga ana tjetër, Bekteshi thotë se përplasjet e Lumirit me kryetarin e degës së Vushtrrisë, Xhafer Tahirin, tregojnë për një situatë të tensionuar në parti.

“LDK-ja s’është më një forcë e moderuar qytetare, derisa në krye të saj ka një despot si Lumiri, ku kryetarin e degës së Vushtrrisë e quan ‘qyqar’ vetëm pse ka kurajë të veprojë në mënyrë autonome, siç e kërkon interesi i degës!

Z. Abdixhiku nuk është vetvetja, por një instrument i PDK-së, njësoj si paraardhësi i tij, që e shndërruan partinë nga e para në një parti të papërfillshme. Lumiri vazhdoi me zell rrugën e mësuesit të tij, duke e pdk-fikuar LDK-në në trajtën më qyqare të mundshme. Afrimi i LDK-së me oligarkë, me analistë të frikshëm dhe me PDK-në e çvlerësojnë LDK-në në mënyrë turpshme,” ka theksuar Bekteshi.

Për veprimtarin shqiptaro-amerikan, sot LDK-ja nuk është më ajo institucionalistja, por një instrument në duar të Edi Ramës, PDK-së, oligarkëve dhe grupeve të interesit.

“LDK-ja është në duar të atyre që s’u intereson më interesi i shtetit, por lidhja afatgjatë me grupet që janë të lidhura edhe me Beogradin përmes Ramës dhe miqve të tij të shumtë në Kosovë,” ka potencuar ai, duke shtuar se z. Abdixhikun e ka trimëruar edhe fushata e egër mediatike kundër Kurtit, e televizioneve dhe disa portaleve të porositura nga Beogradi.

“Lumiri, ashtu si mësuesi i tij që e solli në parti, ka filluar ta trashë aleancën me PDK-në, e që LDK-ja jo fort moti ankohej se PDK-ja ‘të vret natën dhe të vajton ditën’. Me Lumirin, LDK-ja s’ka timon — ajo po hyn në spiralen e qoftë-largut!” ka përfunduar Bekteshi.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *