POLITIKATË FUNDIT

“Nuk jam as kurrë nuk kam qenë këshilltar i Kurtit” – pedagogu Carrabregu padit Klan Kosovën për shpifje

Pedagogu i RIT Kosova (AUK), Gent Carrabregu, ka njoftuar se ka dorëzuar padi për shpifje ndaj televizionit Klan Kosova dhe dy autoreve të emisionit “KIKS Kosova”, Erjona Gjikolli dhe Ardiana Thaçi Mehmeti.

Në një njoftim publik, Carrabregu ka bërë të ditur se padia është dorëzuar sot pranë Gjykatës Themelore në Prishtinë, duke theksuar se emisioni në fjalë ka shpërndarë “shpifje dhe dezinformata” për të dhe familjen e tij.

“Unë as nuk jam e as nuk kam qenë ndonjëherë i punësuar si këshilltar i Kryeministrit Kurti. E vetmja punë e imja është ajo e pedagogut në RIT Kosova (AUK)”, ka sqaruar Carrabregu, duke shtuar se miqësia e tij me kryeministrin Albin Kurti bazohet në “besimin në kauza të përbashkëta dhe idealet e së majtës demokratike”.

Ai ka mohuar gjithashtu pretendimet për ndonjë ndikim të tij në punësimin e vëllait në ndërmarrjen publike “Hidrodrini”, duke e quajtur këtë “shpifje të paskrupullt me qëllim dëmtimin e reputacionit”.

Carrabregu ka bërë të ditur se, përveç padisë në gjykatë, do të ankohet edhe tek organizatat që monitorojnë etikën e mediave, duke e cilësuar përmbajtjen e emisionit si “shkelje të çdo kodi etik të gazetarisë”.

Në fund të reagimit, pedagogu ka paralajmëruar se çdo kompensim që mund të fitojë nga procesi gjyqësor do t’ia dhurojë organizatave bamirëse në Kosovë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *