OPINIONPOLITIKATË FUNDIT

Haradinaj paralajmëroi zgjedhje në dhjetor, analistët ndahen për mundësinë dhe pasojat politike

Pas konstituimit të Kuvendit, lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, është mandatuar për kryeministër të Republikës së Kosovës.

Nga Vetëvendosje është bërë e ditur se vendi pritet të ketë së shpejti një qeveri të re, e cila do të fokusohet në vazhdimin e reformave të nisura dhe në forcimin e institucioneve shtetërore.

Kurse, kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka paralajmëruar mundësinë e mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në muajin dhjetor, duke sjellë sërish në vëmendje çështjen e stabilitetit politik.

Jakupi: Deklarata e Haradinajt është një sinjal politik që pasqyron mungesën e stabilitetit institucional dhe gatishmërinë për të shkuar në zgjedhje

Analisti politik Zejnullah Jakupi, në një përgjigje për “Bota sot”, ka komentuar deklaratën e kreut të AAK-së, Ramush Haradinaj, për mundësinë e zgjedhjeve parlamentare në dhjetor

Sipas tij, kjo deklaratë vjen në një periudhë pasigurie politike dhe mund të shihet si një formë presioni ndaj Qeverisë Kurti, duke sinjalizuar se opozita është e gatshme për garë elektorale.

Jakupi thekson se Haradinaj po pozicionon strategjikisht AAK-në për të përfituar nga pakënaqësitë publike dhe se paralajmërimi i tij tregon mungesë konsensusi për ndonjë koalicion të ri ose vazhdim të qeverisjes aktuale.

ImageAnalisti politik Zejnullah JakupiFoto galeri
“Deklarata e kryetarit të AAK-së, Ramush Haradinaj, për mundësinë e zgjedhjeve parlamentare në dhjetor vjen në një kontekst të pasigurt politik në Kosovë, ku ende nuk ka lëvizje konkrete drejt formimit të një qeverie të re apo arritjes së konsensusit ndërmjet partive politike. Kjo deklaratë mund të interpretohet si një mesazh presioni ndaj Qeverisë aktuale dhe si një sinjal se opozita është e gatshme të përballet me një garë të re elektorale.

Deklarata e Haradinajt mund të komentohet në disa plane:

Presion politik – Ajo mund të jetë një mënyrë për të rritur presionin mbi Qeverinë Kurti, duke treguar se opozita nuk është pasive dhe është e gatshme për zgjedhje të reja nëse situata bllokohet.

Pozicionim strategjik i AAK-së – Haradinaj mund të synojë të përfitojë nga ndonjë pakënaqësi publike ndaj qeverisjes aktuale, sidomos në çështjet e dialogut me Serbinë, zhvillimit ekonomik apo marrëdhënieve ndërkombëtare.

Tregues i mungesës së konsensusit – Një paralajmërim për zgjedhje në dhjetor tregon gjithashtu se nuk ka një marrëveshje të gjerë për ndonjë koalicion të ri apo për vazhdim të qeverisjes aktuale në këtë formë”, thotë ai

Ai thotë se zgjedhjet e parakohshme mund të kenë pasoja të dyfishta për Kosovën: nëse sjellin një rezultat të qartë, ato mund të rivendosin stabilitetin politik dhe besimin institucional; por nëse prodhojnë një rezultat të fragmentuar, rrezikohet thellimi i krizës politike dhe vonesa në procese kyçe si dialogu me Serbinë, integrimi evropian dhe zhvillimi ekonomik.

“Zgjedhjet e parakohshme mund të kenë pasoja të dyfishta për stabilitetin politik:

Pozitivisht, nëse ato sjellin një rezultat të qartë dhe një qeveri më stabile, ato mund të shërbejnë si një rivendosje e besimit institucional dhe politik në vend.

Negativisht, nëse rezultati është i fragmentuar dhe asnjë parti nuk arrin shumicën e nevojshme, atëherë kriza politike mund të thellohet, duke sjellë pasiguri të mëtejshme dhe vonesa në proceset e rëndësishme si dialogu me Serbinë, integrimi evropian dhe zhvillimi ekonomik”, potencon ai.

Në fund, thotë se nga zgjedhjet e parakohshme mund të përfitojnë AAK-ja dhe PDK-ja, të cilat po mobilizojnë elektoratin dhe pozicionohen si alternativa ndaj pushtetit, ndërsa LDK mund të forcohet me qëndrime konstruktive.

Kurse, sipas tij, në anën tjetër, LVV mund të përballet me pakënaqësi për qeverisjen, megjithëse mbetet forcë e fortë në rritje. Partitë e komuniteteve jo-shumicë rrezikojnë të margjinalizohen.

“Përfitues të mundshëm

AAK (Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës) – Me një qëndrim më të vendosur dhe pozicionim si alternativë ndaj Vetëvendosjes, mund të rrisë mbështetjen, sidomos në zona tradicionale të saj.

PDK (Partia Demokratike e Kosovës) – Mund të përfitojë nëse arrin të mobilizojë bazën e saj dhe të shfrytëzojë pakënaqësitë ndaj qeverisë aktuale. Tubimi në Prishtinë, më pas Hagë dhe dje në Tiranë kundër Gjykatës Speciale është duke u shfrytëzuar për gara elektorale dhe e ka mobilizuar votuesin e PDK-së.

LDK (Lidhja Demokratike e Kosovës) – Nëse vazhdon të ruajë një qëndrim konstruktiv dhe të moderuar, mund të rrisë përkrahjen në mesin e elektoratit të qendrës.

Humbës të mundshëm:

LVV (Lëvizja Vetëvendosje) – Si parti në pushtet, ajo mban barrën e pakënaqësive qytetare ndaj qeverisjes. Nëse perceptimi publik është negativ, mund të humbasë një pjesë të mbështetjes që kishte fituar më 2021. Por edhe mund të del fituese dhe kjo u pa në zgjedhjet lokale në Mitrovicë dhe qytete tjera, tregon se LVV po rritet në gjitha komunat.

Partitë e komuniteteve jo-shumicë – Në një klimë politike të tensionuar, ato mund të gjenden të margjinalizuara ose të përdoren si faktorë taktikë nga partitë më të mëdha, çka mund të ndikojë negativisht në përfaqësimin e tyre.

Në përfundim, deklarata e Haradinajt është një sinjal politik që pasqyron mungesën e stabilitetit institucional dhe gatishmërinë për të shkuar në zgjedhje. Vendimi për zgjedhje të parakohshme do të ndikonte drejtpërdrejt në skenën politike dhe do të varet shumë nga dinamika mes partive në javët dhe muajt në vijim”, përmbylli Zejnullah Jakupi.

Maraj: Partitë politike shqiptare do të duhej të i mbajnë fillimisht zgjedhjet partiake dhe ato të jenë demokratike

Ndërsa, analisti Milazim Maraj vlerëson se paralajmërimet për zgjedhje parlamentare në dhjetor janë të pabazuara, pasi kriza aktuale nuk vjen nga mungesa e zgjedhjeve, por nga mosmarrëveshjet mes partive shqiptare dhe mungesa e respektit mes deputetëve.

Ai thekson se procesi për formimin e qeverisë është ende në afat dhe vetëm nëse dështon edhe opozita, mund të mendohet për zgjedhje të reja.

ImageMilazim MarajFoto galeri
Sipas Marajt, zgjidhja nuk varet nga numri i zgjedhjeve, por nga cilësia dhe gatishmëria e deputetëve për bashkëpunim.

“Paralajmërimi për zgjedhje parlamentare në muajin dhjetor janë jo vetëm të pamundshme, por kërkesa pa bazë dhe arsye. Mosformimi i Qeverisë së Kosovës nga Parlamenti i Kosovës nuk është për mungesë të zgjedhjeve por për mosmarrëveshje të partive politike shqiptare në mes veti. Për mungesë të respektit minimal ndaj njeri tjetrit dhe votuesve të vet. Për ngarkesën me energji negative të deputetëve dhe pa farë respekt ndaj atyre që ua dhanë votën për të ngritur shtetin me standarde perëndimore në nivele Evropiane.

Asnjë parti as AAK nuk ka dalë në zgjedhje me zotimin se do ta bllokojmë formimin e Qeverisë së vendit. Që ka apo nuk ka shenja për formimin e Qeverisë së Re nuk është e vërtetë. Presidentja urdhëroi Kryetarin e Partisë që ka fituar shumicën e votave për formimin e Qeverisë. Kjo ka një afat kohor. Nëse nuk do të arrijë ta formojë kjo mundësi do t’u ofrohet opozitës.

Vetëm nëse edhe kjo nuk do të arrijë të formojë Qeverinë e re atëherë mund të bisedohet për zgjedhje të reja të jashtëzakonshme nga se të zgjedhurit e tashëm në vend të krijimit të institucioneve të Kosovës krijuan gjendje të jashtëzakonshme, apo për ndonjë qeveri të përkohshme teknike. Por kjo nuk do të thotë që zgjedhjet garantojnë zgjidhje.

Nga se kjo nuk varet nga numri i zgjedhjeve por nga cilësia e tyre por nga cilësia e tyre. Sa ka deputet të gatshëm për tolerancë funksionale, të domosdoshme për të lëvizur përpara”, shprehet ai.

Maraj thekson se, edhe nëse priten zgjedhje të reja, ato nuk do të sjellin ndryshim, pasi në garë janë të njëjtët njerëz. Sipas tij, partitë politike shqiptare duhet fillimisht të mbajnë zgjedhje të brendshme demokratike me konkurrencë reale dhe kuadro profesionale e patriotike.

Ai shton se Kosova ka mjaft ekspertë të aftë, por ata përjashtohen nga strukturat partiake për shkak të interesave personale.

“Çka nëse po presin zgjedhje të reja, ani pse për në muajin dhjetor nuk bisedohet. Janë përsëri të njëjtit njerëz. Partitë politike shqiptare do të duhej të i mbajnë fillimisht zgjedhjet partiake dhe ato të jenë demokratike. Të bëhen me vota të fshehta, me një konkurrencë të fortë intelektuale, profesionale të fushave të ndryshme dhe patriotike, të gatshëm të sakrifikojnë nga interesat e ulëta, personale dhe grupor, për interesin e përgjithshëm kombëtarë.

Kjo kërkon që të mos bëhen zgjedhje me duartrokitje dhe me aklamacione. Pasi që të zgjidhën kuadro të ngritura, të hartohen programe për ngritje dhe përparime të duhura të kohës në të gjitha nivelet. Për këto programe, të ketë kuadro kompetente dhe të përkushtuara për të cilat Kosova nuk e ka problem; por të përgatiturit kanë të dinjitet ata nuk pranojnë luftën e bërrylave dhe shantazheve për pushtet. Kuadrot tona po shkëlqejnë kudo në botë, por nuk gjejnë vend në Kosovë. Shteti nuk bëhet as nuk mbahet me kryeneçësi dhe injorancë.

Ndërsa është kryeneçësia dhe pa gatishmëria ajo që po mbanë pengë shtetin që nga fillimi i viti 2025. Zgjedhjet lokale në Kosovë treguan pjekuri politike me shumë se deputetët e në Parlament dhe ministrat në Qeverinë aktuale. Ne vend që të presin duke i fërkuar duart për zgjedhje të reja të bëjnë zgjedhje në parti duke ua lëshuar rrugën potencialit të ri intelektual. Vetëm këta të ngritur e të ditur do të zhvillojnë vendin në raporte të duhura me zhvillimet gjeopolitike në BE dhe Botë. Këtë kërkojnë aleatët tonë, këtë kërkon nga ne SHBA. Këtë kërkojnë qytetarët që po u besojnë ende” – përfundon ai për “Bota sot”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *