Merkur Beqiri: Prishtinës i duhet menaxhim, jo spektakël politik
Në prag të zgjedhjeve lokale të 12 tetorit, gara për kryeqytetin po hyn në fazën e saj më intensive. Ndër kandidatët që synojnë t’i japin Prishtinës një drejtim të ri është Merkur Beqiri, përfaqësues i Alternativës, i cili vjen me një program të detajuar që e përqendron zhvillimin e qytetit në jetueshmëri, funksionalitet dhe transparencë.
Në këtë intervistë për gazetën “Bota sot”, Beqiri flet për vizionin e tij për Prishtinën e katër viteve të ardhshme — një qytet më të gjelbër, me ujë të pijshëm të sigurt, transport publik modern dhe administratë digjitale që i shërben qytetarit me efikasitet e ndershmëri.
Ai kritikon qasjen aktuale të qeverisjes komunale, propozon mekanizma konkretë për menaxhim e kontroll të projekteve, dhe argumenton pse programi i tij, siç thotë, “e mat jetueshmërinë me rezultate, jo me premtime”.
ImageMerkur BeqiriFoto galeri
Intervista e plotë:
“Bota sot”: Z. Beqiri, cili është vizioni juaj për Prishtinën e katër viteve të ardhshme nëse fitoni zgjedhjet?
Merkur Beqiri: Prishtinën dua ta kthej në një qytet funksional, të gjelbër dhe të drejtë. Kjo nënkupton ujë të pijshëm pa humbje masive; lagje “15-minutëshe” ku shkolla, çerdhja, QMF-ja, tregu, sporti dhe parku janë në këmbë ose biçikletë; dhe mobilitet publik që ia vlen ta zgjedhësh sepse është më i shpejtë e i parashikueshëm se makina. Boshti i këtij vizioni është transporti i shpejtë me autobusë elektrikë (electric bus rapid transport) me korsi të dedikuara, stacione moderne, biletim elektronik dhe prioritet semaforik, që lidh Aeroportin–Fushë Kosovën–Stacionin “Prishtinë”–Mati 1/2–Albi Mall–qendrën. Përveç kësaj, synoj të modernizoj hapësirën e varrezave të qytetit: planimetri e qartë, shëtitore dhe gjelbërim dinjitoz, ndriçim e sinjalistikë korrekte, qasje për persona me aftësi të kufizuara, hapësirë për ceremoniale, si dhe platformë digjitale për menaxhimin e resurseve (hartë e varreve, arkiv memorial, orientim në terren, rezervime/administrim), për t’ua kthyer dinjitetin qytetarëve që kontribuan për këtë qytet.
“Bota sot”: Si do ta përshkruanit sot gjendjen e kryeqytetit — cilat janë disa nga problemet kryesore që duhet zgjidhur menjëherë?
Merkur Beqiri: Themeli ka mbetur pas: rreth 50% humbje në rrjetin e ujit të pijshëm; vetëm rreth 20% e qytetit me rrjet të ndarë për ujërat e reshjeve (përmbytje pas çdo shiu të madh); gjelbërim nën 3 m²/banor dhe shpërndarje e pabarabartë mes lagjeve; dhe volum i lartë ndërtimesh pa leje me legalizim të ngadaltë. Transporti publik nuk është konkurrues (frekuencë e ulët, pak korsi të dedikuara) dhe parkimi është i pakontrolluar (trotuare e gjelbërim të zënë, mungesë e Park&Ride funksionale). Mirëmbajtja e infrastrukturës – gropa, ndriçim, sinjalistikë – është e pamjaftueshme. Në administratë, shumë procese ende nuk janë digjitale; mungojnë afatet e shërbimit dhe gjurmueshmëria e kërkesave të qytetarëve. Edhe hapësirat memoriale (përfshirë varrezat) kanë nevojë për standarde urbane, rregull e kujdes.
“Bota sot”: Çfarë mendoni se e dallon programin tuaj nga kandidatët e tjerë – pse qytetarët duhet t’ju besojnë juve?
Merkur Beqiri: Ne e vendosim jetueshmërinë si kriter politik dhe e bëjmë të matshme: Prishtina të bëhet qyteti më i jetueshëm në Ballkanin Perëndimor brenda mandatit. Kjo do të matet me: (i) linja elektrike me korsi të dedikuara si shtyllë e transportit dhe rrjet linjash me frekuencë të lartë me bileta të integruara; (ii) ulje të humbjeve të ujit nën 30% në 24 muaj dhe nën 25% deri në fund të mandatit (zona matjeje, zëvendësim gypash, detektim aktiv); (iii) gjelbërim >4 m²/banor duke synuar 6 m²/banor me parqe lagjesh, pyje urbane e oborre shkollash të gjelbra; (iv) Transparencë e hapur, në kohë reale për çdo projekt. Dhe një fakt vlerash: Alternativa nuk vetëm synon barazinë gjinore — ne e jetojmë atë. Në listën tonë për Asamble, më shumë se gjysma e kandidateve janë gra. Kjo është mënyra si e kuptojmë qeverisjen për të gjithë.
“Bota sot”: Si e keni parë qeverisjen 4 vjeçare të z. Përparim Rama?
Merkur Beqiri: Ka pasur nisma, por realiteti në terren tregon hendek të madh në menaxhimin e kohës dhe resurseve dhe mungesë të dukshme të planifikimit dhe menaxhimit buxhetor. Si pasojë, çdo fund-vit mbesin dhjetëra miliona euro të pashfrytëzuara, ndërkohë që nevojat në ujësjellës, kanalizim, gjelbërim, transport e mirëmbajtje janë të pashembullta. Kjo dëshmon menaxhim të dobët të portofolit të projekteve, mbikëqyrje joefikase të kontraktuesve dhe performancë të dobët të drejtorive. Ne e kthejmë këtë me një zyrë qendrore të menaxhimit të projekteve dhe TKP (tregues kyç të performancës — matje mujore të arritjeve për çdo kontratë/drejtori), së bashku me parimin e qartë “performancë ose penalitet”. Performanca e përgjithshme e qeverisjes së komu ës është vlerësuar si 40-60 % nga vet auditorët gjë që është e papranueshme për cilëndo komunë e lëre më për një kryeqytet. Vet ky numër tregon se qeverisja duhet urgjentisht të ndërrohet !
“Bota sot”: Në kuadër të kësaj, si do ta përmirësoni transparencën dhe besimin e qytetarëve në komunë?
Merkur Beqiri: “Transparenca Live” do të jetë paneli publik i monitorimit të punëve komunale: për çdo projekt qytetari sheh emrin, buxhetin, kontraktuesin, afatin, progresin fizik/financiar, fotot nga kantieri dhe hartën. Vonesat mbi 15 ditë shfaqen automatikisht me të kuqe dhe kërkojnë arsyetim publik nga drejtoria. Kjo lidhet me shërbimin “RaportoTash”: qytetari raporton problem, merr numër reference dhe e sheh statusin në kohë reale derisa çështja të mbyllet. Përveç kësaj, vendosim buxhetim pjesëmarrës në nivel lagjeje, open-data për kontrata/pagesa, audite të rastit, dhe takime mujore të hapura me kryetarin dhe drejtoritë.
“Bota sot”: Ka shumë kritika për ndërtimet pa leje – cili është plani juaj konkret për urbanizmin e Prishtinës?
Merkur Beqiri: Legalizim me kriter aty ku ka siguri, distanca, rrjete publike dhe ruhet interesi i hapësirës së përbashkët — me kompensim publik (gjelbërim/infrastrukturë) kur është e mundur. Prishje pa kompromis kur ka shkelje flagrante ose rrezik publik. Inspektorat proaktiv (dronë, GIS, orare kontrollesh të rregullta) dhe linjë qytetare anti-abuzim. Lejet jepen vetëm me standarde: gjelbërim minimal për parcelë, menaxhim i ndarë i ujërave të shiut, parkim i zgjidhur brenda ngastrës dhe rrjet rrugor që e përballon ngarkesën. Në këtë kuadër, edhe hapësirat memoriale dhe varrezat do t’i trajtojmë si infrastrukturë publike me standarde urbane, mirëmbajtje, siguri dhe digjitalizim administrativ.
“Bota sot”: Do ta mbështesni ndërtimin e lagjeve të reja apo do të ndaloni përkohësisht lejet e ndërtimit?
Merkur Beqiri: Parimi është i qartë: leje vetëm aty ku kapacitetet e infrastrukturës (ujë, kanalizim, rrugë, shkolla, QMF) e përballojnë zhvillimin. Në nën-zona të mbingarkuara vendosim pauzë selektive derisa të zgjidhen kapacitetet. Vendimi bazohet në VNT (vlerësim i ndikimit në trafik — studim që tregon sa udhëtime të reja krijon një projekt dhe si ndikon në nyje, kthesa, shpejtësi, parkim dhe qasjen në transport publik, si dhe ç’masa zbutëse nevojiten). Pa VNT pozitiv dhe pa prova kapacitetesh, nuk jepet leje.
“Bota sot”: Si do ta menaxhoni problemin e parkingjeve dhe transportit publik që faktikisht është një nga problemet më serioze me të cilat sot ballafaqohet kryeqyteti
Merkur Beqiri: Autobusi duhet të shkojë aty ku shkon njeriu, jo e kundërta. Këtë e arrijmë me linjën elektrike me korsi të dedikuara si bosht, ridizajnim të rrjetit (frekuencë e lartë, stacione transferimi), prioritet semaforik, biletim elektronik dhe monitorim flote në kohë reale. Vendosim Park&Ride në hyrje të qytetit me linja ekspres drejt qendrës dhe rregullojmë tarifat e parkimit me zbatim të rreptë kundër zënies së trotuareve/gjelbërimit. Paralelisht krijojmë rrjet kryesor biçikletash dhe korridore të sigurta këmbësorësh. Objektivi: deri në fund të mandatit, të paktën 40% e udhëtimeve urbane të kryhen me transport publik — me objektiva vjetore të matshme.
ImagePlani i Transportit PublikFoto galeri
“Bota sot”: A keni ndonjë plan për riciklim dhe menaxhimin e mbeturinave?
Merkur Beqiri: Riciklimi dhe menaxhimi i mbeturinave
Kalojmë nga “mbledhje” në menaxhim: ndarje në burim në të gjithë qytetin (organike / e riciklueshme / të tjera) me kontejnerë të standardizuar dhe orare të dedikuara; qendër rikuperimi (përzgjedhje & balotim materialesh) dhe kontrata “paguaj për rezultat” që vlerësojnë performancën, jo vetëm tonazhin; kompostim për fraksionin e gjelbër (komunal + incentiva për bizneset); trajtim të veçantë për inertët e ndërtimit/shkatërrimit; dhe eliminim sistematik të deponive ilegale me GIS, afate, gjoba dhe publikim mujor të statusit.
“Bota sot”: Si do ta përmirësoni shërbimin në administratë dhe kontaktin e drejtpërdrejtë me qytetarin?
Merkur Beqiri: Si e përmirësojmë administratën dhe kontaktin me qytetarin
Vij me One-Stop-Shop 2.0: sportel unik fizik + portal digjital me ≥80% të shërbimeve online (leje ndërtimi, certifikata, gjendje civile, taksa). Futim nënshkrimin digjital dhe e-arkivën: dosjet nuk “bredhin”, qytetari sheh statusin e kërkesës. Vendosim afate të qarta shërbimi (p.sh. 24/72 orë për kërkesat standarde) me SMS/e-mail njoftime automatike. “RaportoTash” lidhet drejtpërdrejt me ekipet e terrenit: çdo rast ka numër reference dhe kohë-mbyllje të publikuar. Për çdo drejtori publikojmë TKP-të (treguesit kyç të performancës) mujore; organizojmë zyra mobile javore në lagje; “Open Office” mujor me kryetarin; Desk për diasporën dhe linjë të dedikuar për bizneset (“një hyrje, një dalje”). Edhe administrimi i varrezave futet në këtë program: pagesa, leje, rezervime, kërkim në arkiv dhe orientim në terren — të gjitha digjitalisht.
“Bota sot”: Si do të funksiononi me Kuvendin Komunal nëse nuk keni shumicën dhe a jeni të gatshëm për koalicione?
Merkur Beqiri: Po, por vetëm mbi marrëveshje të shkruara me objektiva, afate, buxhete, TKP të qarta dhe raportim tremujor publik. Tre parime janë të panegociueshme: ligjshmëri, transparencë, prioritet absolut për investimet në ujë, kanalizim, transport dhe hapësira të gjelbra. Krijojmë komisione të përbashkëta (urbanizëm, financa, mobilitet) dhe ulim temperaturën politike duke vënë rezultatin para posteve.
“Bota sot”: Cili është mesazhi juaj për votuesit e pavendosur të Prishtinës?
Merkur Beiqiri: Fushata po rrezikon të kthehet në një reality-shoë politik: në vend të ideve – spektakël; në vend të vizionit – populizëm; në vend të përballjes së barabartë – “Big Brother VIP”. Alternativa nuk luan për kamera. Kemi energji të sinqertë, parametra të qartë dhe vizion europian për Prishtinën e çerekshekullit të dytë të shekullit XXI. Unë kam 35+ vjet përvojë në sektorët kyç për komunën, me shembuj pune nga gjashtë kryeqytete botërore dhe përvoja institucionale në Kosovë, para dhe pas luftës. Jam pa borxhe politike dhe pa obligime ndaj sektorit privat — 100% i përkushtuar për një të ardhme më të mirë për brezat që vijnë.
Mos votoni madhësinë e partisë. Mos votoni interesat e ngushta. Mos votoni bizneset. Votoni të ardhmen tuaj.
Më 12 Tetor, në Prishtinë: vendos për të ardhmen tënde. Voto #103.