Nga Edi Rama te Baton Haxhiu e Fatmir Sheholli: kur “mbrojtja e UÇK-së” vjen nga ata që i shërbyen Beogradit
Ka ditë që të vjen të pyesësh veten: a është kjo realitet apo një ëndërr e keqe politike?
Në sheshet shqiptare po shfaqen figura që dikur e kanë shërbyer propagandën e Beogradit, e sot flasin në emër të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Ata që e kanë dëmtuar Kosovën me vendime, propagandë e servilizëm ndaj Serbisë, sot bëjnë fjalime patriotike dhe thërrasin “Liria ka emër”.
Por emri i lirisë nuk mund të përdoret si strehë për mashtrim politik.
Edi Rama – nga sponsorizuesi i Speciales te kërcënimi ndaj SHBA-së
Është fakt historik se në vitin 2015, Rama fluturoi urgjentisht me helikopter drejt Prishtinës për t’i bindur deputetët të miratonin Gjykatën Speciale, me arsyetimin se “është në interes të Kosovës”.
Gjykata që ai ndihmoi të themelohej, sot mban në burg disa nga drejtuesit e UÇK-së.
Tani, i njëjti njeri që ndihmoi krijimin e saj, bën thirrje kundër saj.
Por qëllimi nuk është mbrojtja e UÇK-së.
Rama po kërkon të shfaqë forcë ndaj Shteteve të Bashkuara, duke e përdorur këtë protestë si kërcënim indirekt, për t’u treguar se mund të krijojë tension dhe destabilizim në trojet shqiptare nëse ligji amerikan e çon drejt ndëshkimit për rastin McGonigal.
Kjo nuk është mbrojtje e çlirimtarëve – është kalkulim personal i një kryeministri që po e sheh veten nën hetim ndërkombëtar.
Ironia është edhe më e madhe: është i njëjti Edi Rama që në ndeshjen Shqipëri–Serbi në “Elbasan Arena” urdhëroi policinë të ndalojë flamurin e UÇK-së, duke e konsideruar “provokim politik”.
Sot, ai vetë po mbulohet me të njëjtin flamur për të fshehur interesat e veta të errëta.
Baton Haxhiu – nga takimet me Stanishiqin te mikrofonët e patriotizmit
Në të njëjtën kor parullash, del edhe Baton Haxhiu — njeri që publikisht ka pranuar takimet me Jovica Stanishiqin, shefin famëkeq të sigurimit serb që drejtoi operacionet kundër familjes Jashari në Prekaz.
Sot ai flet për UÇK-në si për “ideal të tradhtuar”, ndërsa harron se Stanishiqi ishte simboli i asaj makinerie që vrau e dogji në Kosovë.
Është poshtërim moral që një gazetar që ka shërbyer interesat e Beogradit të përvetësojë sot gjuhën e çlirimtarëve.
Në çdo vend normal, njerëz të tillë do të ishin përjashtuar nga debati publik, jo ngritur në piedestal.
Fatmir Sheholli dhe Duda Balje – kur spiunazhi fshihet pas flamurit
Absurd edhe më i madh është pamja e Fatmir Shehollit, i arrestuar para pak ditësh nga Policia e Kosovës nën dyshimin për spiunazh në dobi të Serbisë, teksa thërret me patos “Lufta ka emër”.
Në krah të tij shfaqet Duda Balje, duke përdorur të njëjtat parulla për “çlirimtarët”, ndërkohë që për familjen e saj janë bërë publikisht pohime për lidhje me strukturat serbe të kohës së luftës.
Një skenë absurde, që në çdo vend tjetër do të dukej e pabesueshme: bashkëpunëtorët dhe simpatizantët e dikurshëm të Serbisë po dalin me flamujt e UÇK-së.
Një protestë që synon Kurtin, jo drejtësinë
Kjo protestë e organizuar dhe mundësuar nga Edi Rama nuk ka lidhje me drejtësinë për çlirimtarët.
Ajo është pjesë e një strategjie për t’i bërë dëm kryeministrit Albin Kurti, në prag të balotazhit për Komunën e Prishtinës.
Rama po kërkon të ndikojë në opinionin publik në Kosovë, për të forcuar kampin që i shërben politikisht atij dhe Beogradit.
Në thelb, kjo është një lojë e ndyrë politike, ku përmes parullave për UÇK-në synohet të dëmtohet qeveria që më në fund ka vendosur kufij të qartë me Serbinë.
UÇK-ja nuk është dekor për pushtet
UÇK-ja nuk është flamur për karrierë.
Ajo është gjak, plagë dhe dinjitet.
Është emri i Adem dhe Hamëz Jasharit, i qindra dëshmorëve që u flijuan për Kosovën, jo për karrige politike e as për pushtet personal.
Kush e përdor sot emrin e UÇK-së për fushata apo për të mbuluar dështime, po e përdhos atë sakrificë.
Sepse UÇK-në nuk mund ta mbrojë askush që ka përqafuar apo justifikuar krimet e Serbisë.
Në vend të përfundimit
Nëse Edi Rama, Baton Haxhiu apo ndonjë tjetër duan vërtet drejtësi për çlirimtarët, le të fillojnë nga vetja:
të kërkojnë rezolutë për gjenocidin serb,
të heqin dorë nga Ballkani i Hapur,
të mbështesin Kosovën si shtet, jo si territor për pazare.
Sepse Liria ka emër, por ka edhe përgjegjësi.
Dhe kush e ka shitur dikur, nuk mund ta shesë sot si flamur.