Telefonatë nga Amerika para takimit me Vuçiqin: Kurti ia konfirmon Cholletit “PO-në” për planin evropian
Telefonatë nga Amerika para takimit me Vuçiqin: Kurti ia konfirmon Cholletit “PO-në” për planin evropian
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dy ditë para takimit të së hënës në Bruksel ka folur në telefon me këshilltarin e lartë të Departamentit Amerikan të Shtetit, Derek Chollet.
Kjo është bërë e ditur me anë të një komunikate për media nga Qeveria e Kosovës, shkruan lajmi.net.
“Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka zhvilluar sot një bisedë telefonike me Këshilltarin e lartë të Departamentit amerikan të Shtetit, Derek Chollet, si vazhdimësi e mirëmbajtjes së një komunikimi të rregullt, veçanërisht tani në prag të takimit të së hënës në Bruksel”, thuhet në komunikatën e Qeverisë për media.
Gjatë kësaj bisede, Kryeministri konfirmoi qëndrimin e tij për propozimin evropian si bazë të mirë për bisedimet e mëtutjeshme drejt normalizimit të marrëdhënieve.
“Për marrëdhënie normale, evropiane e të fqinjësisë së mirë, Kryeministri Kurti theksoi që përveç njohjes reciproke në qendër të marrëveshjes, duhet t’i konsiderojmë edhe të drejtat e pakicave kombëtare”, tha ai.
Siç tha Qeveria, kryeministri falënderoi Cholletin për mbështetjen përgjatë procesit të dialogut dhe vëmendjen e vazhdueshme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, e posaçërisht të Chollet personalisht.
“Gjatë kësaj bisede, z. Chollet u njoftua nga Kryeministri që sot në Kosovë, bashkë me 12 gazetarët ukrainas, kemi shënuar njëvjetorin e agresionit duke përkujtuar viktimat por edhe luftën e drejtë çlirimtare të popullit ukrainas”, thuhet në fund të komunikatës. /Lajmi.net/