TË FUNDIT

Hafiz Shala: Dardania u shpëtua nga korrupsioni falë Osmanit dhe Kurtit

Opinionisti Hafiz Shala ka deklaruar se Kosova (Dardania), në momentet më kritike, u shpëtua nga udhëheqësit e saj aktualë, Presidentja Vjosa Osmani dhe Kryeministri në detyrë Albin Kurti.

Sipas tij, populli reagoi ndaj padrejtësive, korrupsionit dhe shitjeve të pasurive publike që ndodhën për më shumë se dy dekada nën pushtetet e kaluara. Shala i quajti Osmanin dhe Kurtin “figura të pastra dhe të vendosura”, që rikthyen dinjitetin dhe sovranitetin e vendit, veçanërisht në veri.

Ai kritikoi ish-udhëheqësit që, sipas tij, kishin bashkëpunuar me kriminelë e kishin tradhtuar interesat kombëtare, ndërsa kërkoi reforma të thella në drejtësi dhe në Gjykatën Kushtetuese.

“Dardania është në rrezik, por shpresa qëndron tek ata që veprojnë për popullin, jo për pushtet e pasuri”, theksoi Shala.

Shkrimi i plotë:

Korbat e zi gjithmonë i sulmojnë shqiponjat.

Dardania është me fat që, në momentet më kritike, kur i thureshin kurthe tradhtare nga ata që për mbi 20 vite sunduan sipas “ligjeve të maleve”, populli – i lodhur nga padrejtësitë, hajdutëria dhe shitjet e kompanive vitale me çmime nën vlerë – u ngrit dhe veproi. Ata që pasuroheshin për vete me shtëpi, banesa, vila dhe para të depozituara në banka të huaja, pa asnjë ditë shkollë, u përballën me një pyetje të madhe:

Çfarë do të ndodhte po të mos ndodhnin ndryshimet në kohën e duhur, përmes vullnetit të popullit?

Zgjedhja e këtyre dy figurave të afta, më të votuara në historinë e Dardanisë, të pastra, të guximshme dhe të vendosura – ishte një kthesë historike:

E para, Presidentja Vjosa Osmani, e cila na e zbardhi fytyrën në politikën e jashtme, duke fituar simpati dhe respekt nga miqtë tanë – Amerika dhe Evropa.

I dyti, Kryeministri në detyrë Albin Kurti, i cili ia ktheu Dardanisë autoritetin e humbur nga hajdutët e kriminelët që kishin pranuar “korrigjimin” e kufijve, ndarjen e Dardanisë, kishin falur territore dhe qenë miq të ngushtë me kriminelët e Vuçiqit – jo vetëm në miqësi politike, por edhe biznesore, në dëm të vendit.

Dhe ajo që është më thelbësore: pas 26 vitesh, përfundimisht e çliroi veriun dhe ndërtoi ura bashkimi – temë që dikur ishte tabu.

Mos harrojmë se ish-presidenti Hashim Thaçi dikur kishte deklaruar: “Ndarja e veriut është një realitet i hidhur.”

Nëse ky popull beson se Dardania duhet të vazhdojë funksionimin normal me sovranitetin e rikthyer përmes meritës së Kryeministrit në detyrë Albin Kurti, atëherë nuk ka pse të hamendet:

Këtyre dy figurave të brumosura me ndjenja të thella kombëtare duhet t’u vazhdohet mandati, pa asnjë hezitim.

Opozita ka frikë nga kjo, sepse di mirë se do t’u zbulohen hajnitë, tradhtitë dhe krimet. Këto mund të arrihen vetëm me ndryshime rrënjësore në të gjitha institucionet e drejtësisë, prokurorisë dhe hetuesisë.

Mbi të gjitha, duhet reformuar Gjykata Kushtetuese, e cila u themelua nga ish-pushtetet për t’i mbuluar, fshehur dhe mos i ndjekur këta individë – sepse fillimisht u korruptuan, e më pas u shantazhuan. Prandaj, mos u befaso me vendimet tragjiko-komike të kësaj gjykate, që shkojnë në dëm të shtetit dhe në mbrojtje të atyre që, siç thotë populli, e sollën vendin “nga e gatshmja në veresí”.

Dardania është në rrezik.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *