Dëshmitë e koordinuara në Hagë dhe tendenca për të risjellë një qeveri “ala-Grenell” në Kosovë, Qarri jep alarmin
Opinionisti Gani Qarri, në një prononcim për gazetën “Bota Sot”, ka folur lidhur me zhvillimet në procesin gjyqësor ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit në Hagë, duke e konsideruar përputhjen e deklaratave të tre dëshmitarëve të mbrojtjes, si të koordinuara dhe të parapërgatitura.
Sipas tij, fakti që James Rubin, Paul Williams dhe John Stewart Duncan dhanë dëshmi pothuajse identike, duke e zhvendosur përgjegjësinë te komandantët e zonave, tregon për një strategji të menduar mirë që rrezikon të zbehë procesin gjyqësor.
Ai paralajmëroi se një qasje e tillë mund të ketë ndikim edhe në planin politik në Kosovë. Sipas tij, nëse përmes lehtësimit të dënimeve ose edhe lirimit eventual të të akuzuarve, tentohet të krijohet sërish një qeveri “ala-Grenell”, një skenar i tillë nuk duhet lejuar.
ImageGani QarriFoto galeri
“Përputhja perfektë e deklaratave të, të tre dëshmitarëve të mbrojtjes, duket se nuk është rastësi, por një veprim i mirë-menduar taktik dhe paraprakisht i koordinuar nga dëshmitar të nacioneve të ndryshme, ndaj duhet të tregohemi të kujdesshëm si popull, që të mos na ndodhin befasi të papritura dhe nëse qëllimi i këtij koordinimi është inskenuar kaq ‘vëllazërisht’, që me lehtësimin e dënimit, apo edhe ‘lirimin’ e supozuar të të akuzuarve në Hagë, të formohet serish, ndonjë qeveri ‘ala-Grenell’ në Kosovë, të cilën, pas ftesës së partive opozitare për ta formuar qeverinë, duket që nuk është se nuk e pëlqen edhe zonja Pratipati, për të bërë koncesione tjera të dhembshme ndaj Serbisë, këtë populli i Kosovës me çdo mjet duhet ta parandalojë, për të mos lejuar për asnjë çmim ndarjen e Kosovës, as faljen e veriut të vendit tonë, Serbisë hegjemoniste të Aleksandër Vuçiqit!”, ka thënë Qarri për “Bota Sot”.
Opinionisti shtoi se Gjykata Speciale duhet të mbështetet në argumente autentike dhe jo vetëm në dëshmitë kontradiktore të palëve, në mënyrë që procesi të mos kthehet në farsë.
“Ndryshe fasadimi mjeshtëror i frazave dhe gdhendja e kujdesshme e dëshmive, bëhet në atë mënyrë aq rutinë nga dëshmitarët e mbrojtjes, sa që ngado të rrotullohen shprehjet, të mos e vrasin njëra tjetrën, pra një lidhshmëri e sofistikuar e dëshmive dhe konsistencë e paparë e dëshmitarëve të parapërgatitur me kohë, nga instanca të caktuara, që përkundër emrave të ndryshëm dhe ‘shumësisë’ së përgjigjeve e pyetjeve të parashtruara, dëshmitë të shfaqen një-tingëllueshëm, pa kundërthënie dhe duke u përputhur ‘komplet’ me njëra-tjetrën.
Fakti se James Rubin, Paul Williams dhe John Stewart Duncan, që të tre deklarojnë pothuajse njëzëri, se përgjegjësia lidhur me pjesët ku janë zhvilluar luftimet gjatë periudhës së luftës së vitit 99’ në Kosovë ka qenë kompetencë e komandantëve të zonës, deklaratat e të cilëve pothuajse janë tërësisht të njëjta, sikur të ishin referate të shkruara nga i njëjti autor, tregon se ka jo vetëm tendencë, por edhe koordinim, për zhveshjen komplete të të akuzuarve nga përgjegjësitë dhe hedhjen e krejt përgjegjësisë komandantëve të zonave duke e trajtuar edhe luftën për çlirimin e Kosovës, pothuajse – si veprimtari të ç`akorduar të komitëve, pa organizim të duhur, pa shtab të përgjithshëm, pa bashkëveprim dhe pa komandë qendrore”, potencoi Qarri.
Vet kjo, sipas tij, flet shumë qartësisht, se vërtetë ka një koordinim nga instanca të caktuara, qëllimi i të cilave duket se është zbehja e procesit të gjykimit dhe ndërrimi i kahes së Dhomave të Specializuara në Hagë.
“Ky akt nga specialistë të interpretimeve ‘pro’ të akuzuarve, sapo ka filluar të vlerësohet edhe si strategji e suksesshme veprimi, ani pse ende nuk i dihet fundi kësaj pune dhe se çfarë vendimesh do të sjellë, në mbarim, procesi maratonik i këtij gjykimi.
Megjithëse lista e emrave të përzgjedhur nga mbrojtja e të akuzuarve bëhej sikur ishte konfidenciale, në media u tha se mbrojtja e Thaçit do të thërrasë 11 dëshmitarë, ajo e Jakup Krasniqit 2 në proces të hapur, e dy të tjerë kanë dhënë dëshmitë me shkrim, derisa ekipet mbrojtëse të Kadri Veselit dhe Rexhep Selimit, në muajin korrik deklaruan se nuk do të paraqesin dëshmi mbrojtëse”, nënvizon Qarri.
Analisti theksoi se ndarja fikse e dëshmitarëve në “pro dhe kundër” do të krijojë paqartësi tek qytetarët që presin prej vitesh për të kuptuar të vërtetën.
“Sidoqoftë, nëse vijon kjo mënyrë e dëshmimit edhe nga dëshmitarët e tjerë vijues, të mbrojtjes, po vërehet hapur edhe tendenca e ndarjes fikse të dëshmive dhe dëshmitarëve, në ‘pro dhe kundër’, për çka, me gjithë gjykimin maratonik që po zgjatë me vite, qytetarët do ta kenë shumë të vështirë ta kuptojnë të vërtetën, nëse Gjykata Speciale bazohet vetëm në dëshmitë kontroverse të palëve dhe jo në argumentet autentike, që Specialja duhet t’i argumentojë me fakte.
Procesi gjykues duket se do të jetë mjaft sfidues edhe për vet faktin se, sikur mos të kishte argumente të vërtetuara ndaj të akuzuarve, pse i duhej Hashim Thaçit të përpiqej edhe nga Haga, që njerëzit e tij t’i frikësonin dëshmitarët, për të mos i zbardhur para gjykatës ato që ata i dinin për rastet e ndodhura”, shtoi ai.
Qarri rikujtoi se pikërisht për shkak të frikësimit të dëshmitarëve, janë arrestuar edhe disa figura të jetës politike e shoqërore në Kosovë, të cilët, pasi kanë pranuar fajësinë, kanë marrë edhe dënimet dhe vazhdojnë vuajtjen e tyre në Hagë.
“Ndaj, me gjithë dyshimet e ngritura mbi tendenca të caktuara, për ‘zhveshje’ nga përgjegjësia, devijimin e arsyes së formimit të Gjykatës Speciale, dhe ndërprerjen e hetimeve për vrasjet e kundërshtarëve politikë, Gjykata Speciale është zotuar se do ta qojë procesin e nisur deri në fund për zbardhjen e akteve të ndodhura, ndryshe nuk do kishte nevojë fare që ky gjykim të mbahej në Hagë, ngase gjykime farsë mund të organizoheshin edhe në Kosovë, ashtu siç jemi mësuar t’i shohim tash e mbi dy dekada”, nënvizoi Qarri.
Në fund, analisti Gani Qarri theksoi se epilogu i gjykimit në Hagë duhet me patjetër të rezultojë me zbulimin përfundimtar të afro 100 vrasjeve të kundërshtarëve politikë, pasi Specialja konsiderohet si adresa e fundit për zbardhjen e këtyre rasteve.
“Dhe e keqja e madhe për vepra kaq të rënda penale, për të cilat Dhomat e Specializuara të Kosovës dhe Zyra e Prokurorit të Posaçëm në Hagë kanë ngritur padi me dhjetë akuza kundër Thaçit e të tjerëve, që nga viti 2020 po mbahen të burgosur në Hagë, duhet të sqarohet me përfundimin e gjykimit që ka filluar nga muaji qershor, ku sipas aktakuzës, duhet të zbardhen afro 100 vrasje, si dhe akuzat për krime lufte e krime kundër njerëzimit, si vrasjet, torturat dhe zhdukjen me forcë të viktimave. Për zbardhjen profesionale të këtyre rasteve, Gjykata Speciale konsiderohet adresa e fundit, ndaj dhe detyrën e marrë përsipër duhet ta qojë në fund me sqarimin e plotë të së vërtetës dhe zbulimin përfundimtar të autorëve e nxitësve të këtyre akteve makabër, të mbuluara me mjegullën e kohës, që lanë në pritje tash e mbi 26 vite familjarët nën hijen e frikës dhe me fijen e fundit të shpresës, pa u zbardhur asnjë rast konkret deri më tani nga gjykatat e kapura vendore. Kështu që, nëse të akuzuarit aktual janë të pafajshëm, të thuhen më në fund emrat e autorëve të vërtetë dhe përfundimisht të dënohen ata që ishin nxitës e doras të njëmendtë”, përfundoi Qarri.
