Serbia, opozita, mediat – pse të gjithë kundër Albin Kurtit?!
Në politikën e Kosovës ka një fenomen që çdo ditë e më shumë del në pah: duket sikur e gjithë klasa politike, një pjesë e opinionit publik të kontrolluar, dhe disa aktorë ndërkombëtarë kanë një qëllim të përbashkët të kundërshtojnë Albin Kurtin. Pyetja që lind natyrshëm është: pse? Çfarë i ka bërë Kurti gjithë këtyre që të rreshtohen kaq fortë kundër tij?
Përgjigjja nuk është aq e komplikuar. Albin Kurti nuk është pjesë e sistemit të vjetër, nuk është produkt i pazareve politike që për dy dekada rresht e mbajtën Kosovën peng të korrupsionit, nepotizmit dhe privilegjeve. Ai është produkt i një politike ndryshe, që kërkon llogaridhënie, barazi dhe një Kosovë sovrane e të pavarur në vendimmarrje. Ky model qeverisjeje është i papranueshëm për ata që janë mësuar ta shohin shtetin si pronë private, pushtetin si privilegj dhe popullin si masë të manipulueshme.
Opozita e Kurtit është e kuptueshme, sepse çdo opozitë e ka qëllim ta rrëzojë pushtetin. Por problemi është kur opozita nuk ofron alternativë, por thjesht funksionon si një zgjatim i grupeve të interesit që e kanë humbur terrenin. Edhe më shqetësuese është kur këtij presioni i bashkohen edhe disa ndërkombëtarë, të cilët e shohin Kosovën vetëm si fushë për eksperiment politik, ku stabiliteti i rrejshëm vlen më shumë se drejtësia, liria apo vullneti i popullit.Kundërshtimi ndaj Kurtit nuk është thjesht kundërshtim politik. Është një luftë për të mbrojtur status quo-në. Është një përpjekje e dëshpëruar për ta kthyer Kosovën në duart e atyre që për vite të tëra e plaçkitën, e degraduan dhe e lanë pa shpresë. Kurti po shihet si pengesë sepse ka guximin të thotë “jo” aty ku të tjerët janë mësuar të përkulen.
Kundërshtarët e tij nuk e kanë problem vetëm Kurtin si individ. Ata kanë problem me modelin e tij të politikës. Me faktin që ai nuk pranon marrëveshje të dëmshme, nuk lëshon pe në çështje të sovranitetit, nuk e sheh pushtetin si mjet pasurimi personal. Dhe kjo i bën kundërshtarët nervozë, sepse për ta, Kosova funksionon vetëm kur është e kontrollueshme dhe e nënshtruar.Pra, pse të gjithë kundër Albin Kurtit? Sepse është i vetmi që nuk i përket botës së tyre. Sepse ai përfaqëson një Kosovë që ata nuk e duan: të drejtë, të pavarur, me institucione funksionale dhe me qytetarë që nuk shiten për një vend pune apo një tender.
Në fund, e vërteta është kjo: sa më shumë të rreshtohen kundër tij, aq më shumë e bëjnë të qartë dallimin mes asaj që përfaqëson Kurti dhe asaj që përfaqësojnë ata. Dhe ky dallim është thjesht një betejë mes së vjetrës dhe së resë, mes korrupsionit dhe drejtësisë, mes nënshtrimit dhe dinjitetit.