POLITIKATË FUNDIT

Raportet me ShBA-në, Murati: Takimet po vazhdojnë

Mund të kemi dallime me SHBA-në, por raportet dhe takimet vazhdojnë, tha ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, kur u pyet për vendimin e SHBA-së për pezullim të dialogut strategjik me Kosovën.

Megjithatë, ai nuk dha detaje të takimeve, pasi, siç tha, nuk është prezent në të gjitha takimet që ndodhin.

Murati në një konferencë për media pas mbledhjes së qeverisë, tha se qeveria në detyrë vazhdon bashkëpunimin me SHBA-në në fushën e mbrojtjes dhe bashkëpunimit ekonomik, teksa përmendi edhe largimin e tarifës prej 10 për qind për mallrat që vijnë nga SHBA-ja.

“Ne mund të kemi dallime, por që raportet vazhdojnë. Siç e tha kryeministri, ka takime. Sa i përket takimeve, nuk mund të ndaj detaje pasi nuk marr pjesë në të gjitha takimet që janë. Megjithatë, mund të ritheksoj atë që e tha kryeministri. Ne vazhdojmë të bashkëpunojmë në fusha të caktuara, siç është, për shembull, fusha e mbrojtjes, fusha e bashkëpunimit ekonomik. Siç e dini, Kosovës i është vazhduar programi kompakt në sektorin e energjisë, si edhe ne si shtet kemi larguar tarifën 10 për qind për mallrat nga SHBA-ja. Kjo është situata dhe po besoj se përgjatë bisedave dhe gjatë diskutimit, edhe siç është dëshmuar, veprimet tona edhe kur janë kritikuar në fund ka dalë se kanë qenë të drejta dhe rezultati ka qenë pozitiv. Besojmë se edhe në këtë proces do të dëshmohet se kemi pasur të drejtë si qeveri”, tha ai.

Sa i përket vendimeve të sotme të mbledhjes së qeverisë, ku pesëmbëdhjetë prej tyre ishin për projekte në disa prej komunave të Kosovës, Murati tha se kjo nuk ka të bëjë me fushatën elektorale.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *