POLITIKATË FUNDIT

“Pezullimi i fondeve serbe, hap drejt integrimit të institucioneve”, Tali rikujton çfarë i ndodhi Isa Mustafës kur shkoi në Mitrovicë

Inspektorati i Komunës së Mitrovicës ka vendosur pezullimin e punës së Fondit për Sigurim Shëndetësor dhe Fondit për Sigurim Invalidor e Pensional, dy institucione që funksionojnë sipas sistemit të Serbisë.

Pas këtij vendimi ka pasur reagime nga ndërkombëtarët dhe vet Serbia.

Analisti politik, Driton Tali, pajtohet me pezullimin e Fondit për Sigurim Shëndetësor dhe Fondit për Sigurim Invalidor e Pensional, duke theksuar se këto institucione funksionojnë sipas modelit serb dhe kanë injoruar aktivitete antisovraniteti të Serbisë në Kosovë, siç u pa edhe gjatë përurimit të urës Zveçan-Leposaviq në 2016.

“Personalisht pajtohem me pezullimin e punës së Fondit për Sigurim Shëndetësor dhe Fondit për Sigurim Invalidor e Pensional, të cilat funksionojnë sipas sistemit të Serbisë, sepse përkundër faktit se Kosova ka shpallur Pavarsinë e saj më shumë se 17 vite në parë, i ka mbyllur sytë para shumë aktiviteteve të tipla të qëllimshme antisovranitet, që i zhvillonte/zhvillon Serbia në Kosovë.

Këto aktivitete Serbia deri tashti i ka trajtuar si të mirëqena. U panë se edhe reagimet e funksionarëve të Serbisë ishin në atë frymë, ndonëse shumë më të zbehta se herave tjera. Mua më bie ndërmend dhjetori i 2016, kur ish kryeministri z.Isa Mustafa mori pjesë në përurimin e urës që bashkonte Zveçanin dhe Leposaviqin, se si e patën bllokuar rrugën në Rudare (Zveçan-Leposaviq) grupi radikal serb i përkrahur nga Serbia, për çka ju dashtë ish-kryeministrit z. Mustafa, së bashku me ish ministrin e Punëve të Brendshme, z Skënder Hyseni, të merrnin rrugën anësore për të marrë pjesë në përurim”, potencon ai për “Bota sot”.

Ai thekson se puna e Fondit për Sigurim Shëndetësor dhe Fondit për Sigurim Invalidor e Pensional duhet të zhbllokohet përmes marrëveshjeve mes dy shteteve, duke respektuar nevojat e qytetarëve kosovarë dhe duke integruar institucionet paralele serbe në sistemin e Kosovës, siç nënvizoi edhe znj. Anu Prattipati nga Ambasada amerikane në Prishtinë.

“Sidoqoftë, unë pres që puna e këtyre fondeve të zhbllokohet me anë të marrëveshjeve në mes dy palëve, sepse për to kanë nevojë qytetarët e Kosovës të asaj ane. Mirëpo ato duhet të rregullohen nëpërmes marrëveshjeve në mes dy shtete fuqinje.

Zaten, kështu para gati dy jave, u shpreh edhe e ngarkuara me punë në Ambasadën amerikane në Prishtinë, znj Anu Prattipati, e cila tha se të gjitha institucionet paralele serbe (përfshirë arsimin dhe kujdesin shëndetësor) duhet të integrohen në sistemin e Kosovës.

Natyrisht këto do të bëhen nëpërmes dialogut dhe marrëveshjeve me Serbinë, por edhe komuniteti serb i jonë nuk duhet anashkaluar nga ai proces” – deklaron ai.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *