Zhveshja nga roli i Komandantit/ Dëshmia e James Rubin një goditje e rëndë për Hashim Thaçin
Pasi Prokuroria përfundoi me dëshmitarët e saj, në Gjykatën Speciale ka nisur faza e dytë e gjykimit të Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.
Që nga e hëna, në Speciale ka filluar paraqitja e dëshmitarëve të mbrojtjes, ku i pari që është duke e dhënë dëshminë është James Rubin, i cili gjatë luftës ishte ndihmëssekretar amerikan i Shtetit.
E në dëshminë e tij, për dallim nga Thaçi që e ka përshkruar veten si komandant i UÇK-së, Rubin e përshkroi Thaçin vetëm si një figurë pa kompetenca vendimmarrëse. Pra, sipas Rubinit, Thaçi nuk kishte asnjë fuqi dhe rol komandues.
“Për mua ishte e qartë se ai nuk ishte në krye. Ai nuk kishte njohuritë, aftësitë apo autoritetin për të marrë vendime,” tha Rubin përpara gjykatës lidhur me Thaçin.
Siç tha Rubin, Thaçi nuk kishte kontroll mbi komandantët e tjerë të lartë të UÇK-së.
“Ata i thoshin atij çfarë të bënte, dhe jo ai u thoshte atyre çfarë të bënin”, deklaroi James Rubin.
E njohës të zhvillimeve gjatë luftës në Kosovë dhe ish-ushtarë thonë se dëshmia e Rubinit hedh në dritë mashtrimin që është bërë tash e 26 vite nga ata që e quanin veten udhëheqës të UÇK-së.
Sipas tyre, tani në Speciale po përpiqet që të hiqet përgjegjësia komanduese, për çka edhe u përdor dëshmia e James Rubin.
Rrëzimi i propagandës së Hashim Thaçit
Saim Tahiraj, ish-bashkëluftëtar i heroit Sali Çekaj, thotë se në Kosovë po zhvillohet tani e sa kohë një propagandë dhe luftë e paparë ndaj Gjykatës Speciale.
ImageFoto galeriSaim TahirajFoto galeri
“Dëshmia e James Rubin në Hagë ka nxitur reagime të shumta, të cilat secili i komenton sipas interesit dhe vijës politike që i takon. Deri tani nuk kemi parë një analizë të mirëfilltë nga juristë, që të sqarohet në aspektin juridik qëllimi i kësaj dëshmie. Ajo që bie në sy është vërshimi i një sulmi të paparë kundër Gjykatës Speciale nga eksponentë që përfaqësojnë vazhdimësinë e përçarjeve ndërshqiptare gjatë dhe pas luftës. Për më tepër, pothuajse të gjitha televizionet janë shndërruar në autoparlantë të kësaj propagande. Të përdoret dëshmia e James Rubinit në funksion të kësaj propagande është e pandershme”, shprehet Tahiraj.
Sipas tij, Rubin tentoi ta heqë përgjegjësinë komanduese nga Thaçi, ani pse ky i fundit në vazhdimësi e ka paraqitur veten si komandant i UÇK-së.
“Në thelb, dëshmia e tij kishte për qëllim ta paraqesë Hashim Thaçin si një person pa përgjegjësi komanduese, pa kompetenca vendimmarrëse, pasi – sipas asaj linje – dikush tjetër nga një zyrë e fshehtë merrte vendimet, ndërsa Thaçi vetëm i zbatonte ato. Kjo tendencë ka nisur që nga fillimi i procesit gjyqësor: të argumentohet se nuk ka ekzistuar një sistem i mirëfilltë komandues dhe se Thaçi me të ashtuquajturin Shtab të Përgjithshëm të UÇK-së nuk kishin kontroll mbi shtabet rajonale. Përgjegjësia, pra, po tentohet t’u bartet komandantëve të zonave”, nënvizon Tahiraj.
“Paradoksi është se deri para nisjes së punës së Gjykatës Speciale, jemi “shurdhuar” nga mburrjet e pafundme për heroizmin dhe komandimin e luftës; ndërsa tani, papritmas, askush nuk e merr mbi vete këtë përgjegjësi. Nëse kjo linjë vazhdon, rrezikohet që UÇK-ja e LPK-së të mbetet pa shtab”, shton Tahiraj.
Për fund, Tahiraj thotë se është shqetësuese heshtja që po ndodh për vrasjet politike që kanë ndodhur në Kosovë.
“Ajo që është edhe më shqetësuese, është heshtja e plotë në studiot televizive për vrasjet politike të funksionarëve dhe veprimtarëve të LDK-së, për vrasjen e ministrit Ahmet Krasniqi, si dhe për komandantët e ushtarët e Ministrisë së tij që u eliminuan, numri i të cilëve është i madh. Viktimat, edhe një herë, mbeten të harruara. Prandaj, Gjykata Speciale duhet lënë të veprojë pa presione, sepse vetëm ajo mund ta pastrojë këtë mjegullnajë që e ka pushtuar Kosovën tash e 26 vite. Drejtësia për vrasjet politike duhet të fitojë, dhe kjo drejtësi mund të arrihet vetëm përmes Gjykatës Speciale. Familjarët e viktimave e presin këtë me të drejtë”, përfundon Saim Tahiraj për “Bota sot”.
Goditje për figurën e Hashim Thaçit
Kurse Sefedin Krasniqi, njëri nga bashkëpunëtorët e Ministrit të parë të Mbrojtjes, Ahmet Krasniqit, i cili u vra tinëzisht në Tiranë, thotë se me dëshminë e tij, Rubin i dha një goditje të fortë figurës së Hashim Thaçit.
ImageSefedin KransiqiFoto galeri
“Pas vrasjeve politike në emër të UÇK-së, sipas listave të hartuara nga LPK, në të cilat, nën numrin një figuronte Presidenti Ibrahim Rugova, nën nr. 2 figuronte Dr. Fehmi Agani, nën nr. 3 ministri i Mbrojtjes, Ahmet Krasniqi, etj., pastaj shtimit të numrit të veteranëve për vota, e tash pas dëshmisë së djeshme të James Rubin, se Thaçi s’kishte lidhje me UÇK ose nuk kishte kurrfarë komande mbi të, për t’u shprehur më së buti, jo vetëm figura e Thaçit që u vyshk si gjethet e drunjve në vjeshtë, por definitivisht edhe vetë UÇK u komprometua. Pra, UÇK-në e komprometuan pikërisht ata që për 30 vite janë thirrë dhe vazhdojnë të thirren në emër të saj! Deri tash komprometimi ishte në nivel kombëtar e tash po vuloset edhe ndërkombëtarisht”, thotë Krasniqi.
Sipas tij, Hashim Thaçi edhe pse ishte larg vijave të frontit, ai kishte gisht në shkrimin e komunikatave kundër kundërshtarëve politikë.
“Po del që HTH vërtet paska qenë “larg vijave të frontit”, por nuk ishte larg shkrimit të komunikatave, apo së paku ndonjërës prej tyre. Dëshmia e James Rubin dëshmoi edhe të vërtetën e madhe, se në Administratën e presidentit Clinton kishte kundërshtarë të Pavarësisë së Kosovës, siç ishin ish-ambasadori i SHBA-së në Beograd, Hill dhe Talbot, madje edhe vetë Clinton. Për t’i vërtetuar të gjitha këto, mjafton të shfletohen dokumentet e Librarisë Clinton, të deklasifikuara në vitin 2023”, shpjegon Krasniqi.
“Rubin më shumë e arsyetoi intervenimin e NATO-s sesa që e mbrojti Thaçin. Ai nuk është i marrë të thotë se USA bashkëpunoi me një organizatë, udhëheqësit e së cilës po akuzohen për vrasje politike, për terrorizëm dhe spastrim etnik. Të gjithë ata që po mundohen ta dominojnë skenën politike duke brohoritur slogane për UÇK-në, të cilën Thaçi pa asnjë emocion e ka demobilizuar, e bëjnë për benefite personale. Dua të shtoj se Thaçi është i humbur, në të dyja aspektet. Nëse shpëton pa u dënuar, po zhvishet nga aura e UÇK-së, dhe nëse dënohet për atë që po akuzohet në kuadër të NPK, pas mbajtjes së dënimit, në liri do të jetojë me frikën e hakmarrjes”, përfundon Sefedin Krasniqi