Alarmuese/ Shtohen spiunët në Kosovë, ekspertët e sigurisë flasin për rrezikun dhe parandalimin
Rastet e spiunazhit në Kosovë kanë filluar të shtohen, por ekspertët e sigurisë thonë se nuk ka nevojë për panik, institucionet e Kosovës po e bëjnë punën e tyre dhe Kosova mund ta menaxhojë dhe ta zvogëlojë ndjeshëm rrezikun e spiunazhit.
Të enjten, Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë për spiunazh ndaj Hysri Selimit.
Selimi dyshohet se për vite të tëra (2009), ka bashkëpunuar me Agjencinë e Intelegjencës dhe Sigurisë së Serbisë (BIA).
Hetimet zbulojnë se ai ka dorëzuar informacione të ndjeshme për Kosovën dhe rajonin, duke u shpërblyer nga shërbimi sekret serb.
Sipas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Speciale, më 22 nëntor 2015, Selimi kishte udhëtuar drejt Sirisë, ku dyshohet se iu bashkua organizatës terroriste “ISIS”. Gjatë qëndrimit të tij atje, ai kishte siguruar dhe dërguar të dhëna të ndjeshme për shërbimin sekret serb (BIA).
Prokuroria pretendon se Selimi kishte dërguar të dhëna lidhur me:
Numrin e shqiptarëve të përfshirë në radhët e ISIS-it,
Mënyrën e organizimit të tyre,
Zonat ku ata operonin.
Pas kthimit të tij në Kosovë dhe vuajtjes së një dënimi për pjesëmarrje në organizata terroriste, Selimi dyshohet se ka rifilluar kontaktet me zyrtarë të BIA-s në Serbi. Ndër personat me të cilët ka pasur takime përmendet edhe drejtori për Luftimin e Terrorizmit në këtë shërbim.
Sipas aktakuzës, Selimi paguhej deri në 700 euro në muaj për çdo informacion që dorëzonte. Këto pagesa ishin të rregullta dhe kryheshin nga zyrtarë të BIA-s, duke konfirmuar një raport të vazhdueshëm bashkëpunimi mes Selimit dhe shërbimit sekret serb.
Nevoja për thellim të hetimeve
Eksperti i sigurisë Drizan Shala, i pyetur nga “Bota sot”, sesa është e rrezikuar Kosova nga rrjetet e spiunazhit, thotë se shërbimet e intelegjencës si ato serbe kanë interes të depërtojnë në strukturat politike, ushtarake dhe shoqërore dhe ky rast tregon kërcënim real dhe të vazhdueshëm.
ImageDrizan ShalaFoto galeri
Sipas tij, rreziku ekziston, por është i menaxhueshëm nëse reagimi institucional mbetet i koordinuar.
“Kosova është pjesë e një rajoni ku rivalitetet gjeopolitike janë ende të forta. Shërbimet e inteligjencës, si ato të Serbisë, kanë interes të depërtojnë në strukturat politike, ushtarake dhe shoqërore për të ndikuar në vendimmarrje dhe për të dobësuar sigurinë kombëtare. Ky rast tregon se kërcënimi është real dhe i vazhdueshëm. Megjithatë, fakti që organet e sigurisë kanë arritur ta identifikojnë dhe ta ndalojnë një aktivitet të tillë, është dëshmi se Kosova ka kapacitete dhe vigjilencë. Rreziku ekziston, por është i menaxhueshëm nëse reagimi institucional mbetet i koordinuar”, shprehet Shala.
Sipas tij, do të duhej të thellohen hetimet në këtë çështje, kjo pasi në botën e spiunazhit nuk ka rast të izoluar, por ai është pjesë i një rrjeti më të gjerë.
“Pa dyshim, po hetimet duhet të zhvillohen edhe më tutje. Një rast i izoluar nuk ekziston në botën e spiunazhit – zakonisht është pjesë e një rrjeti më të gjerë. Hetimet duhet të zbulojnë: kush e ka rekrutuar, cilat informacione janë transmetuar, dhe nëse ka lidhje me persona apo struktura të tjera brenda Kosovës. Ky proces është i domosdoshëm jo vetëm për drejtësi, por edhe për të parandaluar raste të ngjashme në të ardhmen”, deklaron eksperti.
Ai kërkon thellim të bashkëpunimit me akterët ndërkombëtarë, pasi është thelbësor dhe se bashkëpunimi i jep Kosovës avatazh në teknologji.
“Po, thellimi i bashkëpunimit me akterët ndërkombëtarë për ta luftuar spiunazhin është thelbësor. Spiunazhi nuk njeh kufij – është një fenomen ndërkombëtar. Partneriteti me NATO-n, shërbimet e inteligjencës të vendeve mike, si SHBA, Mbretëria e Bashkuar apo shtetet e BE-së, i jep Kosovës avantazh në teknologji, ekspertizë dhe shkëmbim informacionesh. Vetëm në këtë mënyrë Kosova mund të garantojë një mbrojtje të qëndrueshme dhe të besueshme për qytetarët e saj. Pra ky rast nuk duhet të shihet si arsye për panik, por si dëshmi se institucionet e Kosovës po bëjnë punën e tyre. Transparenca e Prokurorisë dhe e agjencive të sigurisë duhet të shërbejë për të forcuar besimin e qytetarëve se vendi është i mbrojtur. Spiunazhi është një realitet global, por me vigjilencë, bashkëpunim dhe besim të ndërsjellë, Kosova mund ta menaxhojë dhe ta zvogëlojë ndjeshëm këtë rrezik”, shton Shala.
Rastet e arrestimeve për spiunazh në Kosovë, në vitin 2025 ishin shtuar.
Më 20 shkurt 2025, Prokuroria Speciale ka ngritur aktakuzë ndaj dy personave, me iniciale Bedri Shabani dhe Muharrem Qerimi për spiunazh sipas nenit 124 par. 3 të Kodit Penal të Kosovës, po në shkurt është arrestuar edhe Jelena Djukanović në Mitrovicë.
Pastaj në maj ishin arrestuar H.S, A.V., në qershor është dënuar Aleksandar Vlajic me pesë vjet burgim, ai pranoi fajësinë për akuzat që përfshinin mbledhjen dhe dorëzimin e informacioneve që cenojnë rendin kushtetues dhe sigurinë në Kosovë, duke përfshirë vëzhgimin e lëvizjeve të Policisë së Kosovës dhe komuniteteve ndërkombëtare në veri të Kosovës.
Rreziku dhe bashkëpunimi ndërkombëtar
Eksperti i sigurisë, Arben Dashevci, thotë se Kosova po ballafaqohet me luftën e egër hibrde nga Serbia dhe është e rrezikuar gjithmonë nga rrjetet e spiunazhit.
ImageArben DashevciFoto galeri
“Prokuroria Speciale e Kosovës me të drejtë ka ngritur aktakuzë kundër një personi për të cilin ka akuzë tash më se kishte spiunuar në vazhdimësi që nga viti 2009 për Agjencinë e Inteligjencës dhe Sigurisë së Serbisë, e njohur si BIA, dhe është paguar nga ta për më shumë se 15 vjet. Kosova po ballafaqohet me luftën e egër hibride nga Serbia dhe është e rrezikuar gjithmonë nga rrjetet e spiunazhit pikërisht nga Serbia dhe të atyre që nuk ja donë të mirën Kosovës si Rusia me qendrën e sajë të spiunazhit në Nish pra bashkarisht në kontinuitet punojnë kundër shtetit tonë, me spiunë dhe spiunazh”, deklaron Dashevci.
Sipas tij, hetimet duhet të thellohen dhe bashkëpunimi me ndërkombëtarët për parandalim do të thotë mburojë nga spiunazhi që gjithmonë e dëmton vendin tonë.
“Hetimet thellohen normalisht sepse këto raste ose thënë më thjeshtë spiunazhet janë raste shumë komplekse, hetimet zgjasin/thellohen në detaje deri sa kapen dhe sillen para drejtësisë si rastet e mëparshme ose ky i fundit. Bashkëpunimi, bashkëveprimi, koordinimi me akterët ndërkombëtarë, partnerët strategjik si SHBA, Mbretëria e Bashkuar dhe aleatët nga BE për ta luftuar spiunazhin është krucial për Sigurinë Kombëtare të Kosovës mendoj unë. Bashkëpunimi ndërrimi i informacioneve për preventivë / parandalim me aleatët tanë do të thotë mburojë nga spiunazhi që gjithmonë e dëmton vendin tonë në forma nga më të ndryshmet”, shton eksperti.