“Një lajm tjetër më kobzi” / Bytyçi tregon se çka po tentohet t’i jepet Listës Serbe përmes Gjykatës Kushtetuese
Profesori dhe doktori i marrëdhënieve ndërkombëtare, Enver Bytyçi, ka kritikuar ashpër mbështetjen që po i jepet Listës Serbe në Kosovë, parti kjo e njohur si dorë e Aleksandër Vuçiqit në Kosovë.
“Lista Srpska vazhdon të jetë faktor në Kosovë jo aq nga ‘mbështetja’ e serbëve në Kosovë, por nga mbështetja që i japin Beogradi zyrtar dhe presidenti Vuçiq, faktori ndërkombëtar, por edhe ish-opozita e Kosovës. Është krejt normale që Aleksandër Vuçiq t’i sponsorizojë politikisht e financiarisht zyrtarët dhe ata që quhen deputetë të Listës Srpska. Ai e krijoi këtë monstrë politike, me suport të paramilitarëve terroristë të drejtuar nga krerët e kësaj partie të Kosovës. Por nuk e kuptoj faktin pse ambasadat e huaja, përfshirë edhe atë gjermane, kanë kaq shumë simpati dhe japin mbështetje pa limit për Listën Srpska. E kam të pamundur të kuptoj dhe interpretoj faktin që ish-partitë opozitare shqiptare të Kosovës votuan pro Simiq, kandidatit të parë të Listës Srpska, dhe nuk votuan deputetin serb, Nenad Rashiq!”, shprehet Bytyçi.
Sic thotë Bytyçi, deputeti i Listës Serbe, Simiq, njësoj e dëmton Kosovën, edhe si deputet, edhe si nënkryetar i parlamentit.
ImageEnver BytyçiFoto galeri
“Në fakt për këtë qëndrim të deputetëve ish-opozitarë e kam një mendim. Ata e shohin veten të paaftë të vijnë në pushtet përmes votës së qytetarëve dhe kanë zgjedhur që, për ta arritur këtë objektiv, të thërrasin në ndihmë faktorin ndërkombëtar, përfshirë edhe faktorin gjerman. Sepse juridikisht nuk ka asgjë të ndaluar të votohet Rashiq dhe jo Simiq si nënkryetar i Kuvendit të Kosovës. Personalisht nuk e vlerësoj aq shumë këtë pozicion dhe kam menduar se Simiq njësoj e dëmton Kosovën, edhe si deputet, edhe si nënkryetar i parlamentit. Por derisa debati është për të ‘zgjedhur’ midis sponsorëve të terrorit kundër Kosovës dhe institucioneve të saj, pra midis deputetëve të Listës Srpska dhe Nenad Rashiq, atëherë ligji, kushtetuta lejon që të votohet edhe ky i fundit. Ndërsa faktori perëndimor ende po shpreson se deputetët e Listës Srpska janë ‘engjëj’, pra se ata nuk janë bashkëpunëtorë të terroristit Milan Radoiçiq. Kjo mendësi e ka lënë Kosovën gati 20 vjet pa u njohur ndërkombëtarisht. Për kaq kohë, pra për gati dy dekada, ndërkombëtarët kanë pranuar rolin destabilizues e deri terrorist të disa politikanëve serbë të Kosovës. Aq sa edhe Banjska nuk i bindi për t’i ndëshkuar ata. Madje edhe vrasjet dhe plagosjet e ushtarëve amerikanë e europianë prej këtyre terroristëve nuk mjaftuan që të mbajnë qëndrim të rreptë e të prerë ndaj tyre”, shton Bytyçi.
recommended by
Zestradar
Kate Middleton Theory Could Ruin The Royal Family
Learn more
“Dhe jo vetëm kaq! Tani qortojnë dhe paralajmërojnë partitë politike, sigurisht Vetëvendosjen, Listën Guxo e parti të tjera që nuk e përkrahin Listën Srpska. U kërkojnë që të mos flasin kundër Gjykatës Kushtetuese”, shpjegon Bytyçi.
Më tej, Bytyçi thotë se në Kosovë po tentohet që përmes Gjykatës Kushtetuese t’i jepet e drejta e vetos Listës Serbe.
“Nga kjo gjykoj se pas vendimit të kësaj gjykate për pezullimin e funksionimit të Kuvendit ka një lajm tjetër më kobzi. T’i jepet Listës Srpska e drejta e vetos edhe për funksionimin e parlamentit dhe institucioneve të vendit. Ta bëjnë Listën Srpska një instrument bllokues në Kosovë, siç është partia e Dodik në Bosnjë-Hercegovinë. Mësa duket gjykatësit e kushtetueses janë të gatshëm ta marrin një vendim të tillë dhe shqetësimi i ambasadave në Prishtinë është se këta gjykatës ‘mos po tuten’ nga kritikat e opinionit dhe nuk po e marrin vendimin në fjalë. Pra të anulojnë funksionimin e Kuvendit të Kosovës, duke e kushtëzuar me zgjedhjen e Simiq si nënkryetar të parlamentit. As kjo nuk do ishte aq shumë e dëmshme, sa do të ishte i dëmshëm precedenti”, nënvizon Bytyçi.
Nga ky precedent, sipas Bytyçit, Lista Srpska do të kishte aleat Gjykatën Kushtetuese për çdo pretendim të saj dhe do ta bënte Kuvendin jofunksional.
“Qëllimi i Beogradit ka qenë pikërisht mosfunksionimi i institucioneve të Kosovës, kur ai krijoi partinë e parapolitikës, siç është Lista Srpska. Kjo dihej se do të ndodhte, sepse kreu i terrorizmit, Arkani i ditëve të sotme në shërbim të Vuçiq, është i lirë. Radoiçiq stërvitet për të kryer akte të tjera si ai i Banjskës më 24 shtator 2023. Dhe Vuçiq e bën këtë me vetëdije e në sytë e diplomatëve euro-amerikanë. Lista Srpska nuk është distancuar nga ky akt terrorist. Madje ka protestuar dhe i ka marrë në mbrojtje terroristët, duke thënë se ‘Regjimi i Kurtit po bën terror kundër serbëve në Kosovë’! Terrorin e bëjnë vetë dhe këta flasin për ‘terror kundër serbëve’! Që do të thotë se Beogradi dhe Lista Srpska janë në të njëjtën llogore. Nuk e njohin shtetin e Kosovës. Atëherë pse u dashka që deputetët e Kosovës t’i votojnë këta provokatorë me dhunë për të marrë poste në kryesinë e Kuvendit?!”, shprehet Bytyçi.
Për fund, profesor Bytyçi kërkon që Lista Serbe të shpallet e jashtëligjshme në Kosovë.
“Unë personalisht besoj se Lista Srpska duhej dhe duhet shpallur e jashtëligjshme. Por këtë vendim e merr Gjykata Kushtetuese. Kjo Gjykatë Kushtetuese, e cila pezullon veprimtarinë e legjislativit pse Simiq nuk u zgjodh nënkryetar i tij, nuk e nxjerr jashtë ligjit Listën Srpska. Gjyqtarët shqiptarë në këtë gjykatë janë monstra në duart e atyre që nuk e duan shtetësinë e Kosovës. Janë vegla të ish-politikës pro-serbe të kohës kur Kosovën e drejtonin partitë që votojnë pro Listës Srpska dhe për pasojë edhe pro-Vuçiq në Kosovë. Në çdo vend të botës, nëse do ishte involvuar një parti politike, siç Lista Srpska u involvua në aktin terrorist të Banjskës, ajo parti do të ishte tashmë e harruar. Në Kosovë nuk ndodh kjo. Sepse aty kemi anëtarë kukulla të Gjykatës Kushtetuese. Janë këta gjithçka, janë parlamenti, qeveria, presidentja. Por duhet të kuptojnë se Kosova ka pasur jo pak si këta. Ka pasur edhe Ali Shukriun, Rrahman Morinën e plot të tjerë. Dhe sërish shqiptarët në Kosovë kanë mbijetuar!”, përfundon profesor, doktor Enver Bytyçi për “Bota sot”.