Refuzimi i Gërvallës: Votë kundër një emri, apo kundër së kaluarës? Bytyçi zbërthen prapaskenat
Dy ditë më parë, deputetët e Kuvendit të Kosovës, refuzon të votojnë pro Donika Gërvallës për kryeparlamentare.
Gërvalla, u propozua pasi pas disa herë me radhë dështoi kandidatura e Albulena Haxhiut.
E në lidhje me bllokadën që po vazhdon dhe partitë opozitare që nuk po votojnë kandidatët e propozuar nga LVV, për “Bota sot” foli profesori Enver Bytyçi.
Si fillim, ai foli mbi situatën politike dhe synimet e Limajt për koalicion me LVV-në.
“Procesi për zgjedhjen e kryetarit të parlamentit të Kosovës dhe institucioneve që burojnë prej tij ka hyrë në një fazë të re. Të mërkurën u zhvillua seanca e 55-të, kësaj radhe me detyrim nga Gjykata Kushtetuese për të ndërruar kandidaturën. Në këto seanca që kaluan kandidatura e vetme ishte ajo e Albulena Haxhiut. Në seancën e së mërkurës partia fituese, Vetëvendosja, propozoi një kandidaturë të re, atë të Donika Gërvalla. Albulena u refuzua deri në fund nga ana e deputetëve opozitarë. Edhe Fatmir Limaj, i cili ishte deklaruar se do të bëhej pjesë e koalicionit me Vetëvendosjen, nuk e votoi Albulenën asnjëherë. Sepse e pati si kusht për koalicion zgjedhjen e tij në krye të parlamentit. Kurti nuk e pranoi këtë propozim. Fatmiri u tërhoq nga mbështetja për Albulenën. Që do të thotë se këtkesa për bashkëpunim e zotit Limaj ishte personale, për interesat e tij, për famë dhe prestigj. Madje të pamerituar”.
ImageEnver Bytyçi.Foto galeri
Krahas kësaj, Bytyçi u tregua i ashpër me deputetët shqiptarë që votuan kundër Gërvallës, pasi tha se për Listën Serbe dihej se do votonin kundër.
Madje, ai ngriti edhe disa pyetje, ku potencoi faktin se nuk është se treguan arsyet pse refuzuan ta votojnë ministrën në detyrë, përveç Shqipe Selimit e cila sqaroi pse abstenoi.
E në këtë pikë, sqaroi edhe disa çështje për deputeten Selimi.
“Por opozita dhe Lista Srpska votoi gjithashtu kundër kandidaturës së zonjës Donika Gërvalla. Mirë se Lista Srpska votoi kundër. Në fund të fundit ishte shërbimi sekret i Serbisë ai që i bëri atentat babait të Donikës, Jusuf Gërvallës dhe dy të tjerëve në vitin 1981. Po këta deputetët shqiptarë çfarë patën? Për ç’arsye nuk e dhanë votën ata? Çfarë u ka bërë atyre Donika dhe familja e saj? A nuk ka derdhur gjak për lirinë e Kosovës?! Si mundet që shqiptarët të votojnë kundër të bijës së Jusuf Gërvallës, edhe sikur të kishte disa rezerva ndaj saj? Ndërkohë që askush nuk u deklaruar për ndonjë vërejtje dhe arye pse nuk u votua ajo.
Thjesht u shpjegua deputetja e Vetëvendosjes, Shqipe Selimi, për votën e saj abstenuese. Ose më saktë për mosmarrjen pjesë në votim. Dhe vetëm kaq! Derisa propozimi për kryetar të parlamentit është ekskluzivitet i partisë fituese, si mundet të refuzosh figura prominente të një familjeje simbol të lirisë së Kosovës, në rastin konkret të Donika Gërvallës?! Zonja Selimi tha se refuzoi Donikën, se ajo në vitin 2020 paska shkruar dy statuse kundër të shoqit të saj, tani në Hagë, Rexhep Selimi. Sapo dola nga një intervistë në një TV në Tiranë dhe gazetari më tha se zonja Gërvalla paska thënë se “do të shkonte të dëshmonte edhe në Hagë kundër katër ish-komandantëve të UÇK-së që gjenden atje”! Nuk e dija. E mora të vërtetë deklaratën e zonjës Gërvalla. Dmth e besova se ajo ka thënë se do të shkojë, ose do të shkonte të dëshmonte në Gjykatën Speciale kundër Hashim Thaçit dhe Rexhep Selimit. Pse u dashka ndëshkuar me votë kundër për këtë? A nuk është përgjegjësi qytetare e gjithkujt të denoncojë krimin, nëse dikush e ka kryer atë? Nëse Donika është shprehur për këtë dhe ka fakte e prova për krime, ajo do të kryente një akt të përgjeshëm e të dobishëm për Kosovën. Ku është e keqja këtu?”
Në vazhdim, profesori tha se deputetët e partive ish-opozitare synim kryesor e kanë mbrojtjen e interesave politike të tyre dhe jo ato të Kosovës.
“Zonja Selimi është deputete dhe vota e saj është deleguar nga qytetarët. Ajo votë nuk është deleguar te deputetët për të mbrojtjur njerëzit e familjes. Por injoranca bën që të mos dallohen kufijtë midis detyrës politike e qytetare dhe obligimit që ke për familjen, në rastin konkret për bashkëshortin. Deputetja Selimi dhe të tjerë në atë parlament kanë një raport të zhdrejtë me të vërtetën. Dhe kjo çon jo vetëm në akte të tilla inatçore, por edhe deformon karakterin e njeriut. Nëse deputetët shkojnë në institucione, në rastin konkret në kuvend, për të mbrojtur interesat personale, atëherë ata nuk janë më përfaqësues të sovranit.
Po kështu deputetët e opozitës kanë qëllim e synim mbrojtjen e interesave politike të tyre dhe jo ato të Kosovës. Ndryshe nuk shpjegohet vota kundër Albulena Haxhiut dhe Donika Gërvallës. Kosova nuk ka nevojë për këtë qasje. Nuk ka as dobi nga kjo sjellje e opozitës. Përkudrazi, inati dhe përçarja mes politikës në Kosovë i konvenon Serbisë. Ta lesh vendin pa institucione, sepse duhet me iu imponu kryeministrit, është injorancë politike e përgjegjësi qytetare e shkallës së fundit”, shpjegoi Bytyci.
Tutje, profesori zbërtheu edhe arsyet se pse nuk iu konvenon Gërvalla “opozitës”, e një nga shkaqet kryesore janë thirrje për zbardhjen e vrasjeve të pasluftës.
“Partive opozitare nuk iu konvenon figura e Donika Gërvallës për shumë arsye. Partisë Demokratike nuk i konvenon, sepse Donika Gërvalla insiston më shumë se kushdo tjetër që të zbulohen vrasjet politike në Kosovë gjatë e pas luftës. Dhe ajo ka të drejtë. Shoqëria e Kosovës nuk mund të jetë e paqtë dhe e pastër pa zbuluar vrasjet politike. Kush e vrau Xhejmal Mustafën? Mirë serbët vranë intelektualin e shquar, Fehmi Agani dhe bota u alarmua atë kohë për këtë akt barabar. Po intelektualin Xhejmal Mustafa kush e vrau? PDK nuk dëshiron të japë përgjigje në të tilla pyetje. Arsyen e dinë ata. Gërvalla kërkon me insistim të ndëshkohen ata që vranë kundërshtarë politikë. Kush janë këta? Me siguri që nuk janë të ktahut të Rugovës.
Lidhja Demokratike e Kosovës ka bashkëqeverisur me PDK-në dhe mesa duket marrëveshja e koalicionit vazhdon edhe në opozitë. As LDK po duket se nuk ka interes të zbulohen vrasësit e aktivistëve të saj. Ndaj dhe e fajësojnë Donikën pse ajo ngre zërin për këtë. Ndaj dhe nuk e votojnë. Kanë frikë se po armiqësohen me klanin PRONTO dhe eksponetët e LPK-së në Partinë Demokratike të Kosovës. Zoti Haradinaj thotë se “Kurti është spiun i Serbisë” dhe meqenëse Donika ka qeveris me “spiunin e Serbisë”, ndoshta beson se edhe ajo “është spiune e Serbisë”. Ani pse babën ia ka vra Serbia! Ku nuk të shkon mendja në kësi rastesh sa komike aq edhe dramatike!” – përmbylli Enver Bytyçi për “Bota sot”.