POLITIKATË FUNDIT

“Situata në Kosovë e keqe”, ish-ambasadori holandez thirrje për kompromise: Ngërçi politik po i shërben vetëm…!

As aktgjykimi i ri i Gjykatës Kushtetuese, dhe as disa javë pushim nga vazhdimet e seancës konstituive, duket se nuk iu shërbyen deputetëve të Kuvendit të Kosovës për të reflektuar për zhbllokimin e krizës institucionale.

Madje, së fundi reagoi edhe Ambasada amerikane në Prishtinë, derisa tha se Kosovës po i kushton ngërçi politik dhe u ka bërë thirrje udhëheqësve politikë ta bëjnë prioritet progresin dhe stabilitetin e vendit.

E në lidhje me këtë bllokadë të krijuar dhe pasojat që e presin shtetin tonë, foli ish-ambasadori holandez, Robert Bosch.

Së pari, ai situatën e vlerësoi si të keqe, derisa kërkoi nga të gjitha partitë që të jenë të gatshëm për kompromise.

“Siç e kam thënë edhe më parë, situata aktuale është e keqe për vendin. Nëse nuk arrihet shumica e qartë pas zgjedhjeve, duhet të bëhen kompromise dhe të gjitha palët duhet të jenë të gatshme t’i bëjnë këto kompromise, sado të dhimbshme të jenë”, theksoi ai.

Krahas kësaj, diplomati holandez u pajtua ndërkombëtarët për vlerësimin që thanë për gjendjen e krijuar.

Ku, në këtë pikë beson se kjo situatë i konvenon vetëm regjimit serb.

“Duket se asnjë palë nuk është e gatshme të bëjë këto kompromise të arsyeshme. Të arsyeshme, pavarësisht se shumë kërkesa aktuale nuk janë.

Pajtohem me ndërkombëtarët, pasi situata aktuale i shërben vetëm regjimit serb”, përfundoi Robert Bosch për “Bota sot”.

Kujtojmë, se Kosova mbajti zgjedhje parlamentare në shkurt, por nuk ka qenë në gjendje t’i themelojë institucionet e reja prej atëherë.

E gjithë kjo krizë disamujore vjen si pasojë e mungesës së një marrëveshje politike mes partive parlamentare, pasi asnjëra parti nuk e fitoi shumicën për të qeverisur e vetme.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *