Arrestohet zyrtari i Komunës së Pejës, u xhirua duke konsumuar lëndë narkotike
Policia e Kosovës ka arrestuar zyrtarin komunal të Pejës, Luan Gashi, pas publikimit të një video-material, në të cilin Gashi shihet duke konsumuar lëndë që dyshohet të jetë drogë dhe me një pistoletë në tavolinë.
Zëdhënësi i Prokurorisë së Pejës, Shkodran Nikçi, ka konfirmuar arrestimin e Gashit.
Nikçi ka thënë se me urdhër të prokurorit të shtetit Policia ka bastisur banesën e të dyshuarit dhe zyrën e tij dhe ka sekuestruar një armë.
Ai theksoi se Gashi është duke u intervistuar.
“Me autorizimin e prokurorit të shtetit Policia ka bastisur banesën e të dyshuarit dhe njëkohësisht dhe zyrën e tij të punës me ç’rast është sekuestruar një armë dhe i njëjti është arrestuar nga Policia e Kosovës dhe për momentin është duke u intervistuar dhe presim që të vlerësoj nga prokurori i shtetit për hapat e mëtutjeshëm. E gjitha kjo ka ardhur pas publikimit të materialit në KALLXO ka thënë zëdhënësi i Prokurorisë së Pejës, Shkodran Nikçi.
Mediumi ka publikuar pamje në të cilat shihet zyrtari komunal i Pejës, Luan Gashi, duke konsumuar lëndë që dyshohet të jenë narkotike.
Në tavolinë, sipas pamjeve, shihet edhe një armë, por për të Gashi tha se ka leje.
“Po, unë jam udhëheqës i Sektorit për Çështje Pronësie në Komunën e Pejës. Unë jam në ato pamje” – ka konfirmuar pas telefonatës përmes një mesazhi Luan Gashi.