Inflacioni në Kosovë arrin 4,3% në korrik 2025, rritje kryesisht në çmimet e ushqimit
Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar Indeksin e Harmonizuar të Çmimeve të Konsumit (IHÇK) për muajin korrik 2025, duke njoftuar se inflacioni vjetor ka arritur në 4,3%, ndërsa ai mujor ka qenë 0,2%.
Sipas ASK-së, rritja vjetore e çmimeve është ndikuar kryesisht nga shtrenjtimi i pushimeve të organizuara (20,9%), kafesë, çajit dhe kakaos (16,9%), energjisë elektrike (16,6%), mishit (12,7%), pemëve (12,3%) dhe perimeve (10,7%). Gjithashtu, janë shënuar rritje te shërbimet hoteliere, produktet e qumështit, pijet joalkoolike, buka dhe drithërat, si dhe shërbimet financiare.
Nga ana tjetër, ulje e çmimeve është vërejtur te biletat e fluturimeve (-10,3%) dhe karburantet e lubrifikantët për transport personal (-6,2%).
Në krahasim me qershorin 2025, çmimet në korrik janë rritur me 0,2%, kryesisht për shkak të shtrenjtimit të pushimeve të organizuara (11,8%), karburanteve (1,9%), pijeve joalkoolike (0,9%) dhe mishit (0,5%). Ulja më e madhe mujore është shënuar te perimet (-2,7%).
ASK ka publikuar të dhëna të detajuara për ndryshimet e çmimeve sipas grupeve të COICOP-it, të cilat mund të gjenden në faqen zyrtare të saj./Telegrafi/