Çitaku reagon për fotografitë me McGonigal: Eksponentë të VV-së po duan të shpërndajnë mjegull
Nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku, ka reaguar ndaj akuzave të deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje, Artan Abrashi, se Çitaku mund të ketë “lidhje” me ish-agjentin problematik të FBI-së, Charles McGonigal, akuza këto që u nisën shkaku i dy fotografive që publikoi Abrashi, ku Çitaku dhe McGonigal u panë nën shoqërinë e njëri-tjetrit.
Këto akuza, Çitaku i ka quajtur pretendime të eksponentëve të VV-së “për të shpërndarë mjegull”, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.
“Me 4 Tetor 2017 jam ftuar zyrtarisht të flas para oficerëve dhe kadetëve të FBI për rolin e pazëvendësueshëm të SHBA-ve në luftimin e sfidave rajonale dhe globale. Folës kemi qenë unë dhe Henry Kissinger. Ngjashëm jam ftuar edhe në State Department, CIA etc”, ishte shpjegimi i nënkryetares së PDK-së për fotot në fjalë.
Ajo tha se ky takim u bë në të mirë të Kosovës, teksa reagimin e përmbylli me një pyetje drejtuar VV-së për skandalin e ambasadorit Martin Berishaj.
“E tash, si e keni Martinin?”, shkroi ajo në Facebook.