Sami Lushtaku ‘komandon’, Lladrovci ‘përjashtohet’ – kush vendos sot në PDK?
Zgjedhjet lokale për kryetarë komunash dhe Kuvende komunale do të mbahen më 12 tetor të këtij viti.
E së fundi, PDK publikoi listën me 31 kandidatë për kryetarë komunash, derisa një kandidim mori vëmendje të madhe dhe nxiti reagime të shumta.
Kandidimi i Petrit Hajdarit në vend të kryetarit aktual të Drenasit, Ramiz Lladrovci erdhi si befasi, ndonëse për “luftën” e brendshme të partisë së tij, Lladrovci kishte folur kohët e fundit në intervista të ndryshme.
Kryetari Lladrovci kishte folur edhe për “përplasjet” dhe mospajtimet me Sami Lushtakun, politikan ky që shpesh është përfolur për ndikimin dhe rolin e madh që ka në PDK, ndonëse nuk ka ndonjë pozitë të lartë në parti.
Megjithatë, duket se zhvillimet e fundit dhe vendimi për moskandidim të Lladrovcit kanë shpërfaqur më mirë rolin e Lushtakut dhe faktin se ky i fundit ka disa “frena” të partisë dhe vendimeve.
Mirëpo, sa e dobëson besueshmërinë e qytetarëve ky zhvillim te kryesia aktuale e PDK-së, duke marrë sinjal që Lushtakut “ende mund të pyetet” për disa vendime kaq kyçe?
Gacaferi: Kryetari kryesor është Sami Lushtaku
E në lidhje me këtë temë, për “Bota sot” foli anëtari i Guxo, Luan Gacaferi.
Si fillim, se moskandidimi i Lladrovcit ka qenë i pritshëm, pasi u zbuluan ‘përplasjet’ e tij me Lushtakun.
Madje, ai vlerëson se PDK do e humbë Drenasin, pas këtij vendimi.
“Se PDK më në krye Sami Lushtakun, nuk do e kandidojnë zt. Lladrovci ka qenë e ditur prej atij momenti kur zt. Lladrovci, ja ka ndal bagerat Sami Lushtakut!
Por, unë bukur me bindje e them se moskandidimi i zt. Lladrovci, PDK-së do i kushtojë me humbjen e Drenasit si njërin prej bastioneve në regjionin e Drenicës, e kështu PDK do mbetet si një “ishull” i izoluar vetëm në Skenderaj!”
ImageLuan GacaferiFoto galeri
Më tej, ai u shpreh se “të gjithë” janë në dijeni se PDK ka disa kryetar dhe se Krasniqi është vetëm në mënyrë formale, pasi kryesori është Lushtaku.
“Se PDK ka shumë “bosa” këta s’ka pasur nevojë të na tregoi vetëm zt. Kurti, kur tha se PDK i ka 4-5 kryetar, ngase këtë fakt e kanë ditur edhe zogjtë e malit!
Sikurse dihet nga i madh e i vogël qe kryetari aktual i PDK-së zt. Krasniqi, është vetëm një kukull figurative, aty! Kryetari kryesor është Sami Lushtaku pastaj me radhë edhe 4 kryetar tjerë më me pak kompetenca!”, përfundoi Luan Gacaferi për “Bota sot”.
Qarri: Nuk është për tu habitur se pse Sami Lushtaku & Co, nuk e duan më Ramiz Lladrovcin për kryetar të Drenasit
Ndërsa, analisti politik, Gani Qarri potencoi se moskandidimi i Lladrovcit është skandaloz.
Sipas tij, është fatkeqësi se si Drenica “sundohet” nga një person si Lushtaku.
“Duke parë vendimet skandaloze të diktuara nga gangster dhe klane kriminale në Drenicë, qysh në fillim duhet theksuar fort dhe jashtëzakonisht zëshëm, se është vërtetë mjerim i tepërt dhe fatkeqësi e papërshkrueshme që edhe 26 vite pas çlirimit të Kosovës, një rajon i tërë si Drenica, edhe sot të sundohet arbitrarisht nga njerëz si Sami Lushtaku & Co, figura kontroverse që përfaqësojnë shembujt më fatkeq të sjelljes dhe veprimet më të dhunshme e antidemokratike që vetëm në Drenicë gjejnë ende hapësirë dhe mundësi dominimi të egër, jo vetëm ekonomik, por ushtrojnë diktim të pakundërshtueshëm edhe në rrafshin e varfër dhe tërësisht të primitivizuar politik, që fatkeqësisht ende vazhdon të mbizotërojë 100% atje.
Njerëz konspirativ e tejet agresiv të cilët deri dje kanë bashkëjetuar në afërsi idilike dhe paqe të pabesueshme me komunën paralele të “serbicës”, me tabela e mbishkrime qirilice, të hijezuar nga stemat shtetërore të Serbisë dhe valvimin e lirshëm të flamujve të Serbisë, deri në momentin kur Qeveria qendrore nga Prishtina, u detyrua vet, ta mbyllte këtë katrahurë të skëterrshme të Vuçiqit, sepse përveçse ishte e kundërligjshme, funksionimi i saj i lirshëm midis Skenderajt, turpëronte rëndë jo vetëm të gjithë Drenicën, por duke vepruar ndoshta, siç përflitet në opinion edhe nën mbrojtjen e personave si Sami Lushtaku & Co, në afërsi aq tragjike me Prekazin, fyente në mënyrën më poshtëruese të mundshme edhe aktin biblik të Familjes heroike të Shaban, Hamëz e Adem Jasharit, heronjve më të ndritshëm, që janë flijuar bashkë me familje, për lirinë e Kosovës”, u shpreh ai.
ImageGani QarriFoto galeri
Kurse, ndryshe si në Skënderaj, Qarri tha se një komunë paralale nuk u lejua në Drenas, nga Lladrovci.
Përveç kësaj, ai përmendi edhe punën e shkëlqyer që ka bërë kryetari aktual i Drenasit.
“Një komunë të tillë të Serbisë fashiste si në Skenderaj, Ramiz Lladrovci, vëllai i heroit sublim Fehmi Lladrovci nuk e kishte lejuar të ngrihej as funksiononte edhe në Drenas, ndaj nuk është për tu habitur se pse Sami Lushtaku & Co, nuk e duan më Ramiz Lladrovcin për kryetar të Drenasit, por njëkohësisht është shumë e habitshme se si gangster të tillë konspirativ, si Sami Lushtaku & Co, akoma edhe sot tolerohen nga drenicasit, t`ua bëjnë jetën kaq të vështirë shqiptarëve të sinqertë, duke përjashtuar njerëzit më të nderuar nga populli, dhe kryetar shembull e të papërlyer komune, në krim e korrupsion si Ramiz Lladrovci, i cili dorën në zemër, ishte shembull i drejtimit ligjor të një komune, veprimit të drejtë e të paanshëm dhe udhëheqësit më të sinqertë në krejt Kosovën, si kryetar i pa njollosur, dhe i votuar disa herë radhazi nga vet qytetarët, për kryetar të komunës së Drenasit”.
Në vazhdim, analisti tregoi arsyet që ndikuan në moskandidimin e Lladrovcit, e që kryesorja sipas tij është fakti që nuk i përkulet Lushtakut dhe urdhrave të tij.
Sipas tij, kjo gjë dëshmon shumë për rolin që Lushtaku ka në PDK.
“Andaj moskandidimi i Ramiz Lladrovcit, kësaj radhe për kryetar të Drenasit nga PDK, pikësëpari ka të bëjë me faktin se z.Lladrovci mbetet figura e vetme politike në mbarë Drenicën, që nuk i përkulet klaneve kriminale, akt që faktikisht, po dëshmon se Sami Lushtaku është edhe “kryetari” faktik i PDK-së për rajonin e Drenicës, derisa Ramiz Lladrovci për dallim nga të tjerët, mbetet i vetmi kryetar “veteran” i një komune drenicake, që nuk bënë “allishverishe” me këta gangsterë, as kompromis me ligjin, pra është arrë e fortë, që ua thyen dhëmbët gangsterëve, dhe nuk shitet as nuk blihet, mbetet i pakapshëm dhe nuk nënshtrohet as përkulet para Sami Lushtakut & Co”.
Krahas kësaj, ai përgëzoi kryetarin aktual të Drenasit për guximin që kishte që këto zhvillime të brendshme t’i shpërfaqte në publik.
“Ramiz Lladrovci kemi pasur rastin disa herë ta shohim se si u kundërvihet hapur dhe në mënyrë publike atyre, që siç shprehet edhe bashkëshortja e Ramizit, dëshirojnë ta ngjyrosin edhe historinë me ngjyrat e veta skajshmërisht kriminale e korruptive dhe askush në gjithë Drenicën, përveç Ramiz Lladrovcit nuk guxon ta thotë një gjysmë fjale për ta, se lëre më edhe tu kundërvihet, siç ka vepruar në vijimësi dhe i vetëm Ramizi, pa ju trembur, asnjëherë syri, në ballafaqime publike me Sami Lushtakun & Co!
Sikur mos të mjaftonin zënkat e njohura të së kaluarës, mu në kohën kur po afrohen zgjedhjet e rregullta lokale, dolën në shesh edhe mospajtimet e thella aktuale, duke ashpërsuar edhe më keq, përplasjet e kahershme që kanë ekzistuar brenda PDK-së”, shpjegoi analisti.
Tutje, Qarri tregoi se pse u kthye kandidatura në Drenas, në “luftë të hapur” për pushtet brenda PDK-së.
Madje, theksoi se moskandidimi i Ramizit konfirmon zërat se në PDK “fjalën kryesore” e ka Sami Lushtaku.
“Prandaj, frika e Sami Lushtakut se Ramiz Lladrovci do t’i fitojë edhe kësaj radhe zgjedhjet komunale në Drenas, ka bërë që beteja për kandidatin e propozuar për kryetar të Drenasit, të kthehet edhe në luftë të hapur, për pushtet brenda për brenda vet PDK-së në Drenicë, gjë që shpjegon më së miri se çfarë fatkeqësie është, kur edhe mbi një çerek shekulli pas lufte, një rajon i tillë vazhdon edhe më tej, të dominohet nga klane të kriminalizuara dhe gangsterë primitiv në rrafshin lokal, si dhe të identifikohet me tipa arrogant, gjysmëanalfabet e fare pa kulturë, që përfaqësojnë Drenicën edhe në parlamentin e shtetit të Kosovës!
Pasi që Ramiz Lladrovci nuk është thyer e përkulur asnjëherë para gangsterëve të tillë dhe ka qëndruar i palëkundur dhe gjithmonë larg klaneve korruptive e grupeve kriminale, i cili vazhdon edhe sot me plot sinqeritet, ti mbetet besnik idealit të lirisë, respektimit të ligjit, punës me duar të pastra, veprimit me dinjitet e plotësisht të paanshëm politik për Drenasin dhe shtetin e Kosovës, si vëllai i njërit prej heronjve më të ndritshëm të kombit të flijuar për çlirimin e këtij vendi, Fehmi Lladrovcit bashkë me bashkëshorten Xheva Lladrovci, moskandidimi i Ramizit për kryetar të komunës së Drenasit, konfirmon plotësisht zërat se në PDK, veçanërisht në “filialën” e Drenicës, fjalën “kryesore” e ka Sami Lushtaku”.
Ndër të tjera, ai theksoi problemet në PDK dhe faktin se ka disa kryetarë rajonal që marrin vendime kokë me vete.
“Pra nuk ishe fare befasi, që edhe vet z.Lladrovci në disa intervista të fundit ka folur publikisht për përplasjet e vazhdueshme me te, për shkak të ndalimit të tendencave për veprime korruptive e kriminale, të Sami Lushtakut edhe në Drenas
Dhe vet zhvillimet aktuale vërtetojnë edhe njëherë më tepër, se PDK nuk është më, asgjë më tepër, se sa një konglomerat dis`harmonik klanesh kuazi – politike, e ndarë në disa regjione dhe kryesuar nga disa kryetar faktik rajonal, të cilët marrin vendime kokë më vete, në rajonet ku ata sundojnë, bie fjala, si Sami Lushtaku në Drenicë, Xhavit Haliti e Adem Grabovci në Dukagjin, Reçica & Co në Ferizaj me rrethinë, Latif Gashi e Rrustem Mustafa në Llap etj, kështu që vet gjendja e krijuar para zgjedhjeve komunale, që së fundi, po bie në sy edhe më tepër, dëshmon katërçipërisht, se besueshmëria te kryetari dhe kryesia aktuale e kësaj partie, ekziston vetëm deklarativisht, madje pas ndarjes së hapësirave sunduese, duket se përfundimisht, kjo parti po shkon edhe drejtë ndarjes reale, në fraksione të ndryshme politike”, përmbylli Gani Qarri për “Bota sot”.