OPINIONTË FUNDIT

Trump flet për rrezikun e luftës Kosovë-Serbi, ish- koloneli me mesazh të fortë: Kosova duhet të…

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, sot gjatë një paraqitjeje për gazetarët, ka thënë se ka shumë armëpushime në botë.

“Serbia dhe Kosova janë një tjetër. Kemi shumë pika të nxehta që ishin luftë”, ka thënë Trump.

Trump thotë se, nëse ai nuk do të ishte në detyrë, do të zhvilloheshin gjashtë luftëra.

“Nëse nuk do të isha unë këndejpari, do të ishin tani gjashtë luftëra të mëdha. India do të luftonte me Pakistanin”, shtoi ai.

Ai tha se ndërhyrja e tij çoi në një armëpushim mes Tajlandës dhe Kamboxhias. Trump përmendi edhe marrëveshjen e paqes midis Ruandës dhe Republikës Demokratike të Kongos.

Përmendja e një lufte të mundshme mes Kosovës dhe Serbisë nga ana e presidentit amerikan, Donald Trump, nuk është e para herë.

Trump kishte thënë se ka parandaluar një luftë të mundshme edhe muaj më parë, duke folur për konfliktin në Lindjen e Mesme.

Në anën tjetër, përkundër këtyre deklarimeve, presidenti serb, Aleksandër Vuçiq, nuk nguron të bëjë ‘kërcënime’.

Vuçiq pas arrestimit të Igor Popoviq, ka thënë se kjo mund të ketë pasoja të paparashikueshme.

“Arrestimi i fundit i Igor Popoviqit tregon se Albin Kurti e ka humbur arsyen dhe se dëshiron të shkaktojë incidente dhe konflikte në Ballkanin Perëndimor”, ka thënë Vuçiq gjatë një interviste në televizionin Pink në Beograd.

A ka të rinj të mjaftueshëm Kosova në rast se ndodh një konflikt i mundshëm dhe si duhet të vepruar, për këtë ka folur ish- koloneli dhe ish- ushtari i UÇK-së, Afrim Veseli.

Veseli kërkon që të punohet dhe të investohet në arsim, kjo pasi përmes dijes rritet dashuria për atdhe.

Ai thotë se secili duhet t’i përgjigjet thirrjes për mbrojtjen e atdheut.

“Duhet të punohet dhe të investohet më shumë në arsimim. Vetëm përmes dijes dhe duke rritur dashurinë për atdheun dhe popullin tonë, mund të ndërtojmë një të ardhme më të mirë. E ardhmja e vendit janë të rinjtë tanë. Në rast agresioni, secili prej nesh duhet t’i përgjigjet thirrjes për mbrojtjen e atdheut. Liria dhe mbrojtja e saj nuk kanë çmim. Ndjenja për liri, dëshira për të jetuar të lirë si çdo popull tjetër dhe dhuna e papërshkrueshme e armikut, ishin shtysat që më bënë t’i bashkohem luftës për liri. Edhe sot, do ta bëja të njëjtën gjë. Serbia dhe Vuçiqi nuk do ta ndryshojnë kurrë qëndrimin ndaj Kosovës”, deklaron Veseli për “Bota sot”.

ImageAfrim VeseliFoto galeri
Veseli i cili ka qenë edhe ish- ushtar i UÇK-së, ka folur edhe rreth korrupsionit te partitë e luftës, duke thënë se korrupsion ka kudo.

“Korrupsioni nuk është i kufizuar vetëm te partitë e luftës. Fatkeqësisht, korrupsion ka kudo. Kjo është një nga të këqijat më të mëdha që i ka ndodhur vendit tonë. Në këtë aspekt, nuk ka dallime mes partive – të gjitha mbajnë përgjegjësi”, shprehet Veseli.

Që nga 4 dhe 5 nëntori 2020, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi ndodhen në paraburgim në Hagë, ku janë Dhomat e Specializuara të Kosovës.

Procesi gjyqësor ndaj tyre ka nisur më prill të vitit 2023. Në mbi dy vjet, Zyra e Prokurorit të Specializuar thirri në gjykatore 125 dëshmitarë si dhe ka paraqitur rreth 3.000 prova materiale.

ZPS-ja deklaroi më 16 prill se ka përmbyllur paraqitjen e provave ndaj ish-krerëve të UÇK-së.

Pas prokurorisë, radhën do ta kenë ekipet mbrojtëse për të paraqitur çështjen e tyre.

Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte konfirmuar aktakuzën ndaj ish-krerëve të UÇK-së në tetor të vitit 2020, por e bëri publike vetëm një muaj më vonë.

Aktakuza i ngarkon të akuzuarit për përgjegjësi “personale”, por edhe për “krimet e kryera nga vartësit e tyre”.

Sipas aktakuzës, Thaçi, Veseli, Selimi dhe Krasniqi akuzohen për krime kundër njerëzimit dhe krime lufte, përfshirë vrasjen e më shumë se 100 viktimave si dhe mbajtjen në paraburgim në mënyrë të paligjshme e torturimin e qindra viktimave.

Aktakuza thotë se katër të akuzuarit dhe anëtarë të tjerë të UÇK-së ishin pjesë e një “ndërmarrjeje të përbashkët kriminale” dhe “kanë ndarë qëllimin e njëjtë për të marrë dhe ushtruar kontrollin në gjithë Kosovën me të gjitha mjetet, përfshirë edhe frikësimin, keqtrajtimin, ushtrimin e dhunës dhe eliminimin e atyre që i konsideronin kundërshtarë”.

I pyetur rreth gjykimit në Hagë, Veseli e quan proces politik dhe kërkon që kryeministri në detyrë, Albin Kurti të fokusohet më shumë në krijimin dhe funksionalizimin e institucioneve.

“Gjykimi në Hagë, si proces, është kryesisht politik. Kjo faktohet nga fakti që pjesa dërrmuese e materialeve të përdorura vijnë nga shteti armik. Kurti duhet të fokusohet më shumë në krijimin dhe funksionalizimin e institucioneve, dhe të largohet nga përçarja që ka futur mes qytetarëve”, përfundon ish-koloneli.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *