POLITIKATË FUNDIT

Sveçla mirëpret gjeneralmajorin bullgar: Bullgaria, mbështetëse e palëkundur e Kosovës

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka pritur në takim gjeneralmajor Emil Tonev, Shef i Shërbimit të Mbrojtjes Shtetërore të Bullgarisë, në kuadër të vizitës së tij zyrtare në Republikën e Kosovës.

Në një deklaratë për media pas takimit, ministri Sveçla vlerësoi lart mbështetjen e vazhdueshme të Bullgarisë për Kosovën në të gjitha fazat e zhvillimit të saj shtetëror dhe institucional.

“Bullgaria ka qenë një mbështetëse e palëkundur e Republikës së Kosovës në çdo etapë të zhvillimit të saj,” tha ministri Sveçla, duke shtuar se “me këtë rast, i shpreha mirënjohjen time Gjeneralmajor Tonev për këtë mbështetje të vazhdueshme, si dhe për angazhimin e tij në thellimin e partneritetit mes dy vendeve tona.”

Gjatë takimit, u diskutua edhe për avancimin e bashkëpunimit bilateral në fushën e sigurisë dhe shkëmbimin e përvojave mes institucioneve të të dyja shteteve. Ministri Sveçla theksoi rëndësinë e thellimit të këtij partneriteti, në funksion të paqes dhe stabilitetit rajonal.

“Jam i bindur se bashkëpunimi ndërmjet institucioneve tona do të vazhdojë të forcohet edhe më tej, duke kontribuar në ngritjen e kapaciteteve të institucioneve tona, si dhe në sigurinë, stabilitetin dhe mirëqenien e qytetarëve tanë dhe të rajonit në tërësi,” u shpreh ministri.

Vizita e Gjeneralmajor Tonev vjen në një kohë kur Kosova po forcon bashkëpunimin me partnerët ndërkombëtarë në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes, si pjesë e përpjekjeve për integrim euroatlantik dhe garantimin e paqes në rajon.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *