Drejtoresha e BIRN-it, Jeta Xharra, inicon padi për shpifje ndaj gazetarit Lirim Mehmetaj
Nga data 09.07.2025, Rrjeti Ballkanik për Gazetari Hulumtuese – BIRN Kosova dhe drejtoresha e BIRN Kosova, Jeta Xharra, janë duke u përballur me një fushatë të egër shpifëse, e cila ka për qëllim dëmtimin e rëndë të reputacionit të projekteve për dokumentimin e krimeve të luftës në Kosovë dhe projekteve kundër korrupsionit.
Fushata shpifëse, e nisur nga Lirim Mehmetaj dhe e përkrahur publikisht nga Shkëlzen Dakaj, e cila synon që rrejshëm të paraqesë informacionin se Qeveria i ka ndarë Jeta Xharrës 225 mijë euro është shpifëse, pa asnjë bazë dhe synon të dezinformojë publikun me të dhëna plotësisht të pasakta.
Në postimin e datës 09.07.2025 Lirim Mehmetaj pretendon se Qeveria e Kosovës i ka ndarë BIRN Kosovës një shumë prej 65 mijë eurosh për realizimin e projektit të Auditimit Social. Informacioni është i pasaktë për faktin se mjetet e ndara BIRN Kosovës për realizimin e Auditimit Social janë të ndara në kuadër të programit DEMOS të Qeverisë zvicerane dhe Bashkimit Europian.
Pra, nuk janë mjete të ndara nga Qeveria e Kosovës. Këto mjete janë financuar në një thirrje publike transparente, në të cilën kanë aplikuar të gjitha OJQ-të e interesuara. Postimi i Mehmetajt me një përmbajtje shpifëse është shpërndarë nga Shkelzen Dakaj, i cili në postimin e tij ka shpifur duke pretenduar se Jeta Xharra ka kompani dhe është pronare e 5-6 OJQ-ve në Kosovë.
Sqarojmë për publikun se Jeta Xharra nuk ka në pronësi asnjë kompani dhe nuk është pronare e asnjë OJQ-je në Kosovë.
Në postimin e Dakajt përmenden edhe shuma deri në 9 mijë euro për një emision të realizuar në televizionin publik, pretendim ky i pavërtetë pasi asnjëherë emisionet e prodhuara nga ne nuk janë paguar me këtë vlerë.
Por, me këtë rast, pasi këta komentues e hapën këtë temë, atëherë ky është rast i mirë të sqarohet se emisionet e BIRN-it që janë paguar pjesërisht prej fondeve të RTK-së (me shuma shumë më të vogla se ato që përmenden më lart), pra, prej fondeve të taksapaguesve në periudhën 2006-2020, nuk kanë prodhuar një gazetari nënshtruese ndaj asnjërit prej pushteteve të ndryshme që kanë udhëhequr me Kosovën.