Kuçi: Serbia vazhdimisht është duke përdorur interesat e caktuara për të nxitur një luftë në Ballkan
Shefi i NATO-s, Mark Rutte, dje ka bërë një parashikim, sipas të cilit Lufta e Tretë Botërore do të fillojë me pushtime të njëkohshme nga Kina e Rusia.
Sipas Rutte-s, Kina do të fillojë duke kërkuar të pushtojë Tajvanin, ndërkohë që do të sigurojë që presidenti rus, Vladimir Putin të sulmojë njëkohësisht territorin e NATO-s.
Por sa rrezikon kjo që të filloj një luftë në Ballkanin Perëndimor duke filluar edhe nga kërcënimet e njëpasnjëshme nga ana e Serbisë dhe deklaratat e Vuçiqit që pret ndryshimin e rrethanave gjeopolitike që të aktivizohen kundër Kosovës.
Njohësi i sigurisë, Gurakuç Kuçi, ka thënë për KosovaPress se presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq po pret një ndryshim të rrethanave gjeopolitike.
Ndërsa, deklaratën e Rutte-s, Kuçi e sheh si mesazh, pasi që të dy vendet kërcënojnë në mënyrë direkte interesat e botës perëndimore.
“Të dyja vendet kërcënojnë në mënyrë direkte interesat e botës perëndimore dhe sigurisht që e ka thënë një çështje që e ka tërhequr së pari vëmendjen, nëse ata ndërmarrin hapa për luftë ndaj Tajvanit dhe zgjerojnë luftën përtej Ukrainës, atëherë ne po futemi në një luftë botërore, ky ka qenë mesazhi publik që iu është dhënë Kinës e Rusisë në parim dhe po ashtu është edhe mesazhi i vendeve të tjera, në këtë rast edhe Serbisë, sepse duhet ta kemi parasysh, vitin e kaluar ka dhënë Vuçiq një deklaratë që ne presim ndryshimin e rrethanave gjeopolitike që të aktivizohen kundër Kosovës dhe ata sigurisht që janë duke pritur këto ndryshime të rrethanave gjeopolitike”, ka thënë Kuçi.
Tutje, Kuçi ka shtuar se një luftë e tillë, përmban një rrezik edhe për luftë në Ballkan, pasi që Serbia vazhdimisht është duke përdorur interesa të caktuara për të nxitur luftë në Ballkanin Perëndimor.
“Kosova është pjesë e paktit Euroatlantik edhe pse jo vend me të drejta të plota i NATO-s, por megjithatë NATO është në Kosovë dhe Kosova është në vijën e drejtë perëndimore kundrejt asaj lindore që përfaqësohet me Rusinë dhe Kinën dhe në këtë kuadër përmban një rrezik edhe për një luftë në Ballkan, sepse Serbia vazhdimisht është duke përdorur interesat e caktuara për të nxitur një luftë në Ballkanin Perëndimorë”, ka shtuar ai.
Në rast lufte, Kuçi ka theksuar se Kosova ka përgatitjet e nevojshme për të përballuar sulme të ndryshme nga Serbia, e përpos ushtrisë tashmë ka edhe institucionet, duke thënë se nuk është njëjtë sikur në vitet e 90-ta, përderisa në atë kohë Kosova nuk ka pasur institucione të konsoliduara dhe sot ka.
“Kosova ka përgatitjet e nevojshme për të përballuar sulme të ndryshme, poashtu ka forcuar ushtrinë ka edhe një moral jashtëzakonisht të lartë institucioneve, përderisa në vitet e 90-ta nuk kemi pasur institucione të konsoliduara, sot ato kanë një moral të lartë dhe po ashtu kanë një gatishmëri të lartë për të përballuar Serbinë”, ka theksuar Kuçi.
Paralajmërimi i Rutte-s vjen në një kohë tensionesh të larta, teksa Rusia vazhdon agresionin në Ukrainë dhe frika për shtetet baltike, Estoninë, Letoninë dhe Lituaninë sa vjen e rritet.