Profesori universitar iu bën thirrje partive politike: E keni shansin e fundit për të shmangur krizën e thellë politike
Kryeministri Albin Kurti ka pritur në takim sot përfaqësuesit e partive politike, si shkak i gjendjes së krijuar në Kosovë. Pas takimit zyrtarët pjesëmarrës u deklaruan për atë se ҫka është diskutuar. Ata vazhdojnë me të njëjtat qëndrime, sikurse edhe pozita. Kësisoj nuk pritet që të ketë një ecuri tjetër në seancën e së nesërmes.
Mirëpo a pritej që partitë politike opozitare të ndryshonin qëndrim për të dalë nga kriza politike?
Lidhur me këtë ҫështje ka folur profesori universitar, Fejzulla Berisha. Ai thotë se pas katër muajsh pa Kuvend dhe pa Qeveri të re, ndërhyrja e Gjykatës Kushtetuese më 27 qershor ishte e pashmangshme. Përmes një aktvendimi me efekt detyrues, kjo Gjykatë ka vendosur që Kuvendi i Kosovës duhet të konstituohet përfundimisht më së largu deri më 26 korrik 2025, përmes zgjedhjes së Kryetarit dhe pesë Nënkryetarëve të Kuvendit.
closevolume_off
ImageFejzulla BerishaFoto galeri
“Ky vendim është më shumë se një paralajmërim – është një ultimatum ligjor për klasën politike, që në rast të mosveprimit do ta çojë vendin në një krizë edhe më të thellë, me pasoja të rënda për legjitimitetin e institucioneve dhe kredibilitetin ndërkombëtar të Republikës së Kosovës. Në këtë kontekst, takimi i së shtunës i thirrur nga kryeministri në detyrë, Albin Kurti, me përfaqësuesit e partive parlamentare, merr peshë vendimtare. Ai nuk është më një nismë politike për dialog, por një përgjigje e vonuar ndaj një detyrimi kushtetues, në një kohë kur ora politike po troket drejt afatit përfundimtar. Takimi ka për qëllim që, përmes dakordimit politik, të zgjidhet çështja e zgjedhjes së Kryetarit të Kuvendit dhe të krijohen parakushtet për formimin e Qeverisë së re. Por nëse mungon reflektimi dhe kompromisi, vendi mund të përfshihet në një spirale të re zgjedhore ose të futet në një situatë bllokimi të paprecedentë kushtetues”, vlerësoi ai.