Tha se Kurti nuk duhet të shkojë në Drenicë, Sami Lushtakut i vjen akuza e rëndë
Nënkryetari dhe njëri nga njerëzit më të fuqishëm në PDK, Sami Lushtaku, si jo rrallë herë e ka fyer kryeministrin e Republikës së Kosovës, Albin Kurtin, për të cilin thotë se nuk duhet të vijë asnjëherë në Drenicë.
“Albin Kurti nuk është kryeministër i imi e as i Drenicës. Ai nuk duhet me ardhë në Drenicë”.
E këtë deklaratë të Sami Lushtakut, analisti Gani Qarri e quan primitive e antipatriotike.
ImageGani QarriFoto galeri
“Të bësh veprime të njëjta me pretendimet e Serbisë, ndaj kryeministrit të Kosovës, vërtetë është akt tepër antipatriotik shumë i ulët dhe tejet primitiv, andaj është koha e fundit, që Kosova të sillet si shtet i njëmendtë dhe të mos lejojë më sallamadinë e bandave në asnjë pjesë të saj, mjaft më, me përkëdhelje, 26 vite pas çlirimit askund dhe në asnjë vend nuk duhet lejuar të sundojnë bandat as ta bëjnë ligjin kriminelët ordiner, mbi shtetin nuk guxon të qëndrojë askush qofshin edhe kapadainjtë nga Drenica si Sami Lushtaku, provokatorët as bllokuesit e rrugëve në Skënderaj, apo kudo qoftë në Kosovë”, thotë Qarri për “Bota sot”.
Sipas tij, është e çuditshme se si Lushtakut i pengon Albin Kurti në Drenicë, e jo komuna paralele që ishte vendosur në Skenderaj.
“Habit shumë fakti se njerëzve si Sami Lushtaku & Co, u pengon kalimi i eskortës së Kryeministrit të Kosovës, por për mbi një çerek shekulli nuk u pengoi kurrë KOMUNA ilegale e Serbisë midis Skenderajt, në tabelën dhe dokumentet e të cilës pa mëdyshje, duhet të ketë shkruar “Opstina Serbica-Republika Serbija”, apo gjysmëanalfabetët si Sami Lushtaku, Vuçiqi mund t’i ketë paguar me “DINAR” serb, për objektin ku në marrëveshje me Sami Lushtakët & Co, kanë vendosur komunën paralele të Serbisë me flamur e stemë serbe dhe të emërtuar si “opstina serbica – Republika Serbija”!”, thekson Qarri.
“Merreni me mend, shkaku i njerëzve si Lushtaku & Co, sikur mos të ishte Familja Jashari nga Prekazi dhe jehona historike e heroizmit të saj, a do të kishte vullnet kush, t’i vizitonte vendet ku sundojnë neokomunistët koreano-verior si Lushtaku & Co, të cilët për dekada bashkëjetojnë me komunat paralele serbe, që Skënderajn e quajnë “Serbicë” dhe vendbanim të Serbisë, ndërsa u pengojnë shqiptarët dhe krerët e shtetit të Kosovës, që flasin shqip dhe punojnë denjësisht për vendin e vet, vetëm pse ua kanë përzënë kriminelët serbë dhe kryeterroristin M. Radojçiq nga Kosova dhe pezulluar oazën e krimit të organizuar, që kriminelët serbë me ata shqiptar kishin ngritur bashkërisht në veri”, shton Qarri.
Më tej, ai thotë se dikur në mënyrë të njëjtë ishte kërcënuar edhe presidenti historik, Ibrahim Rugova.
“Fatkeqësisht siç e dimë të gjithë, edhe presidenti historik i Kosovës dr. Ibrahim Rugova, megjithëse qysh në vitet e 90-ta, sensibilizoi gjithë popullin e Kosovës që të solidarizoheshin me drenicasit dhe ndihmonin me çdo gjë Drenicën, madje u vu në veprim edhe ideja mbresëlënëse “Familja mban familjen”, me të cilën u favorizua po ashtu Drenica dhe në të shumtën e rasteve përfituan familjet drenicake, derisa me thirrjen e Presidentit dhe të Qeverisë, ndihmat për Drenicën vazhdonin nga Kosova dhe diaspora edhe pas lufte, dr. Rugova duke e ditur se kishte vagabondë si Sami Lushtaku, ai nuk e vizitoi kurrë Drenicën.
Për aq më tepër, drenicakët e tipit të Samiut, treguan anën e vet negative edhe me rastin e vdekjes së dr. Rugovës, kur një Lushtak tjetër, Nuredin Lushtaku, nuk lejoi as pjesëmarrjen e Gardës së Kosovës në ceremoninë e varrimit të dr. Ibrahim Rugovës, akt që habiti jo vetëm shqiptarët por edhe të gjithë ndërkombëtarët, të cilët atë ditë kishin ardhur nga mbarë bota për t’i dhënë lamtumirën e fundit, në shenjë nderimi dhe respekti ndaj presidentit historik të Kosovës, dr. Ibrahim Rugova!”, deklaron Qarri.
“Duke parë sjelljet aktuale të Lushtakut & Co, kundër krerëve të Qeverisë dhe të shtetit të Kosovës, e them me shumë keqardhje se njerëz të tillë, po na i rikthejnë në kujtesë ngjarjet e Graçanicës, pasi që milionerë gjysmëanalfabetë si Lushtaku & Co e kanë kthyer edhe Drenicën në një “enklavë” të tipit koreano-verior, dhe për ta mbrojtur primatin e sundimtarëve të paprekshëm, kanë filluar të sillen si dikur “pushtetarët” e Graçanicës, që bllokonin rrugët dhe nuk lejonin të kalonin shqiptarët”, shprehet Qarri.
Sipas tij, Lushtaku po ndihet i rrezikuar nga Kurti, krejt kjo për shkak të pasurisë së fituar në mënyrë të jashtëligjshme.
“A thua Sami Lushtakun & Co i pengon kryeministri Kurti, sepse ua mbylli “opstinën e Serbicës”, e cila vepronte lirshëm me personel serb dhe stemë, flamur e dokumente të Serbisë midis Skënderajt, apo Lushtakëve & Co po u dhemb edhe fakti se kryeministri Kurti ua ka hequr atyre edhe terminalet ilegale, kërkon kthimin e pasurive të grumbulluara kundërligjshëm, nuk shpërndanë dinarë serbë, bile e ka ndaluar qarkullimin e tij tërësisht në Kosovë dhe nga agimi deri në muzg përshëndet e flet shqip, udhëheq vendin tonë vetëm shqip dhe me rend e ligj, siç i ka hije një shteti vërtetë demokratik, madje me demokraci më të avancuar se të gjitha shtetet në rajon.
Përkundër të gjithave, besoj se çështje më me rëndësi, është fakti se Sami Lushtaku nuk është përfaqësues i zgjedhur i Drenicës, por një gangster primitiv, koha e të cilit ka kaluar dhe një ditë, përveç konfiskimit të pasurive të kundërligjshme, ndoshta duhet të shkojë edhe në burg, prej nga nuk do të mund të arratiset më, si në kohën e harraqit, fajdeve, zaptimit të tokave, pronave dhe objekteve të huaja, kur në Kosovë sundonte banda e Thaçit & Co dhe vidhej e plaçkitej, si dhe bëhej tregti jo vetëm me tokat e shqiptarëve por edhe me shtetin e Kosovës, deri te përpjekja për ndarje dhe faljen e veriut të Kosovës, Serbisë hegjemoniste, që Thaçi e quante “tokë të Rankoviqit”, ndërsa Edi Rama “tokë të askujt”!”, nënvizon Qarri.
Qarri thotë se Kurti është kryeministër i të gjithëve, përfshirë edhe Drenicën.
“Drenica nuk është enklavë serbe, as territor jashtë Kosovës, por tokë shqiptare autoktone brenda Kosovës, edhe pse faktikisht vetëm në Drenicë tash e 26 vite, lejohet funksionimi i komunës serbe, por nuk lejohet asnjë forcë tjetër politike shqiptare, përveç partisë të cilën ata e quajnë si të tyren – PDK, ndaj derisa nuk lejohet pluralizmi politik dhe zhvillimi i jetës demokratike, shteti duhet të marrë masat përkatëse dhe vendosë restriksionet e nevojshme, sa nuk është bërë vonë, sepse veriu na ka mësuar se asnjë pjesë e vendit, nuk guxon të lihet në duar të banditëve”, shpjegon Qarri, i cili e quan skandaloze sjelljen e Sami Lushtakut.
“Përndryshe pas vendosjes së rendit e të ligjit në veri, përveç barrikadimit të jashtëm dhe izolimit nga pjesët tjera të Kosovës, Sami Lushtaku & Co, me sjellje dhe deklarata skandaloze se Kurti është i padëshirueshëm në Skënderaj, duket se po përgatiten të ngritin barrikada edhe brenda qytezave drenicake, jo për pengimin e rikthimit të komunës serbe të ashtuquajtur “opstina Serbica – Republika Serbija”, kundër të cilës Samiu & Co, nuk janë deklaruar asnjëherë, madje ai me shokët e tij digjnin flamujt e Kosovës midis Prishtine, por jo ata të Serbisë, ndërsa edhe “opstina Serbica” e Serbisë që nga paslufta ka funksionuar lirshëm midis Skënderajt, të cilën është dashur ta mbyllë kryeministri Kurti dhe tani Lushtaku me bandën e tij, menduaka t’i ndalojë vizitat e pushtetarëve qendrorë të shtetit dhe bllokojë lëvizjen e lirë të delegacioneve qeveritare e shtetërore të Kosovës, duke dashur të tregojnë para botës, se Qeveria e vendit e cila 25 vite pas çlirimit, ka arritur t’i mundë bandat kriminale e terroriste serbe dhe ta shtrijë sovranitetin shtetëror në veri, nuk “lejohet” të ketë qasje në Drenicë?!”, përfundon analisti Gani Qarri për gazetën “Bota sot”.