Ukshini për deklaratën e Trumpit: Do të ishte fat për Kosovën nëse e kthen vëmendjen
Ish-ambasadori Sylë Ukshini e ka cilësuar “fat” nëse Shtetet e Bashkuara të Amerikës e rikthejnë vëmendjen te Kosova.
Ai ka thënë se përmendja e Kosovës nga presidenti amerikan, Donald Trump, dy ditë më parë nuk ka qenë e rastësishme dhe se mund të jetë paralajmërim për rikthim në agjendën amerikane.
“Duke njohur praktikën e prononcimeve të politikanëve, aq më tepër presidentët e Amerikës, jo një fjalë por një presje nuk shtohet krejt pa u studju. Ai është një rezultat i një raportimi që ia kanë bë bashkëpunëtorët e tij për Kosovën, Ballkanin. Është një paralajmërim që mund të jemi prapë në agjendën amerikane. Vendet e vogla si ne kur hapen këto dosje, hapen nganjëherë rrallë, por duhen shfrytëzuar. Do të ishte fat për Kosovën nëse SHBA-ja e rikthen pozicionin dhe vëmendjen ndaj Kosovës”, ka thënë Ukshini.
Trump të dielën ka thënë se gjatë mandatit të tij të parë konflikti mes Kosovës dhe Serbisë “ishte gati të shpërthente në luftë”, e se ai e kishte ndaluar mundësinë e përshkallëzimit të situatës.
Koci: Ndryshimi i regjimit në Iran, qëllimi maksimal i Izraelit e SHBA-së
Ish-kryeredaktori i Radios Evropa e Lirë, Melazim Koci, ka deklaruar se pas përshkallëzimit të tensioneve në Lindjen e Mesme, synimet strategjike të Izraelit dhe Shteteve të Bashkuara përfshijnë jo vetëm ndalimin e kapaciteteve bërthamore të Iranit, por edhe objektiv më të thellë dhe ambicioz – ndryshimin e regjimit në Teheran.
“Kjo do të jetë çështja qendrore pas eliminimit të rrezikut nga arsenali bërthamor i Iranit. Një prej objektivave të Izraelit dhe SHBA-së është kjo, por është maksimali”, ka deklaruar Koci në “Konfront”.
Ai thotë se pa realizimin e dy objektivave kyç – zhdukjen e programit bërthamor dhe eliminimin e kapaciteteve raketore të Iranit që mund të godasin deri në 2 mijë kilometra – nuk do të ketë ndalim të veprimeve ushtarake nga Izraeli.
“Objektivi minimal është eliminimi i programit bërthamor. Pa e arritur atë, nuk do të ndalet lufta. Dhe eliminimi i potencialit raketor… Ky do të jetë minimumi. Nuk do të ndalen pa i realizu këto dy objektiva”, theksoi ai.
Sipas Kocit, ndryshimi i regjimit në Iran është qëllimi më i lartë, por njëkohësisht më i vështiri për t’u realizuar.