Kurti ‘insiston’ për një koalicion me LDK-në, profesori zbërthen prapaskenat – ka një mesazh për Abdixhikun
Bllokada në Kuvend po vazhdon edhe pas 20 seancave konstituive.
Në përpjekje për të dalë nga ky ngërç, kryeministri në detyrë, Albin Kurti, dërgoi një mesazh se një koalicion i mundshëm qeverisës i Lëvizjes Vetëvendosje me Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK), Nismën Socialdemokrate dhe partitë e pakicave do të mund të siguronte deri në 80 vota në Kuvendin e Kosovës.
“Vetëm me LDK-në, pakicat dhe Nismën, pa përfshirë ndonjë subjekt tjetër, mund të arrihen deri në 80 vota. Kjo do të siguronte një bazë të qëndrueshme për qeverisje dhe vendimmarrje strategjike,” është shprehur Kurti.
Kjo deklaratë u cilësua si një insistim i Kurtit për një koalicion me Abdixhikun.
E në lidhje me këtë temë, për “Bota sot” foli profesori Enver Bytyçi.
Së pari, ai përmendi mundësitë e formimit të një qeverie të re, derisa tha se është normale kërkimi i votave për të krijuar institucionet e Kosovës.
Profesori potencoi se LVV me LDK dhe minoritetet joserbe mund t’i bëjnë 80 vota.
ImageEnver Bytyçi.Foto galeri
“Para dy ditësh kryeministri Kurti përmendi sërishmi preferencën e tij për një koalicion me Lidhjen Demokratike të Kosovës, me qëllim formimin e qeverisë dhe institucioneve të tjera të shtetit. U duk se ai thjesht potencoi diçka të tillë, kur tha se “një koalicion qeverisës me Lidhjen Demokratike të Kosovës, me pakicat dhe nismën do të mund të siguronte deri në 80 vota në kuvend”! Në fakt, 80 vota LVV mund t’i ketë pa Nismën. Pra vetëm me Lidhjen Demokratike dhe me minoritetet tjera pa deputetët e Listës Srpska.
Nga minoritetet jo-serbe Kurti duket se nuk ka mundur të bindë ende vetëm dy prej tyre, atë të boshnjakëve dhe ashkalive. Për deputetin e ashkalive dëgjova Zotin Ramush Haradinaj të thotë se “Shihni deri ku ka ra Albin Kurti! Ka thirr në ndihmë politikanë nga Maqedonia e Veriut për ta bindë atë të hyjë në koalicionin qeevrisës”! Më bëri përshtypje kjo, sepse Haradinaj dhe Thaçi i patën shkuar në mesnatë një deputeti për t’i kërkuar ta votonin qeverinë e zotit Haradinaj para 5-6 vitesh. E kurrkush nuk u tha atyre se “ku kishin ra”! Një normalitet në kërkim të votave për të krijuar institucionet e Kosovës nuk është ramje në marrëzi! Diçka që vetë e ke bërë, më keq se ajo që thuhet në rastin e sotëm, nuk ke pse e quan lajthitje!” – deklaroi ai.
Gjithashtu, Bytyçi e vlerëson të arsyeshme kërkesën e Kurtit ndaj LDK-së për një koalicion, derisa tha se një koalicion i tillë do krijonte stabilitet të madh politik.
“Nejse, të tilla “dramaticitete” i dëgjojmë çdo ditë e natë në ekranet televizive shqiptare. Janë bërë të zakonshme. Por ajo që Kurti po kërkon prej LDK-së, më duket e arsyeshme, e logjikshme dhe racionale. Të formosh institucionet me dy të tretat e deputetëve të parlamentit është një mrekulli, sepse krijon më shumë stabilitet dhe balancë politike e demokratike. Vetëm Lidhja Demokratike ka aftësinë të krijojë ekuilibra të tillë. Sidoqë është kritikuar jo pak, duhet thënë se LDK e pati ekuilibruar qeverisjen me Partinë Demokratike të Kosovës. Madje e mësoi atë se si qeveriset Kosova, se si duhen ndërtuar institucionet dhe si të funksionojnë ato. Demokracia funksioni më mirë se në vendet e tjera të rajonit edhe falë pjesmarrjes së LDK-së në qeverisje me PDK-në. Pavarësisht kësaj, edhe sot mendoj se Lidhja Demokratike është sot forcë e tretë politike për shkak të kompromiseve me Partinë Demokratike të Hashim Thaçit”.
Krahas kësaj, profesori tha se LDK mund të shndërrhet në një factor shumë pozitiv, nëse do pranonte një koalicion me LVV-në.
Madje, konsideron se eksperienca e LDK-së është thesar për LVV-në.
“Sot Lidhja Demokratike mund të shndërrohet në një lokomotivë dhe faktor e aktor pozitiv në një koalicion qeverisës me Lëvizjen Vetëvendosja. Kjo e fundit është në koalicion me Lëvizjen GUXO dhe Alternativën. Por këto të dyja nuk kanë fuqi imponuese ndaj saj. Vetëm nëse në këtë koalicion hyn LDK krijohet mundësia për të harmonizuar politikat, programet dhe projektet e përbashkëta për zhvillimin e Kosovës e sidomos për shtet-ndërtimin e plotë. Eksperienca e LDK-së është thesar për një parti që nuk ka përvojë qeverisëse, si LVV. Ndërkohë programi qeverisës bën që zhvillimi të kap gjithë spektrin e tij. E ndërkohë të tri partitë që përmenda, LDK. Guxo dhe Alternativa imponohen edhe në ato aspekte, të cilat janë kritikuar vazhdimisht lidhur me lidhjet e Kosovës me aleatët tanë”, shpjegoi ai.
Tutje, Bytyçi deklaroi se faktin që Kurti po insiston në një koalicion me LDK është një sinjal shumë i mirë.
“Fakti që Albin Kurti vazhdon e këmbngul në një koalicion me Lidhjen Demokratike të Kosovës është sinjal pozitiv për vullnetin e tij për të vazhduar një qeverisje të provuar në vitet 2019-2020. Por në LDK ata që nuk e duan bashkëqeverisjen me Kurtin përmendin vazhdimisht qëndrimet e këtij të fundit gjatë fushatës elektorale. E Kurti nuk po e përmend kurthin Thaçi-Veliaj-Mustafa kundër qeverisë së tij. Nëse kthehemi në atë kohë, di që Lumir Abdixhiku nuk ishte entuziast i prishjes së atij koalicioni. Përkundrazi, heshtazi ai qe kundër. Ishte gjithashtu pjesë e qeverisë si ministër i Infrastrukturës, në mos gabohem. Kjo eksperiencë personale ne qeverinë e parë të Kurtit besoj se është e mjaftueshme për zotin Abdixhiku që të mos refuzojë kërkesën e kreut të Vetëvendosjes”.
Ndër të tjera, ai i dërgoi mesazh Abdixhikut që të tregohet përgjegjës dhe të pranoj koalicion me Kurtin, pasi që vrasësit e emrave të njohur të LDK-së nuk janë në Vetëvendosje.
“Nëse ai reziston ta thotë fjalën “Po, jemi për bashkëqeverisje me VV”, me qëllim të përfitojë poste dhe privilegje përtej logjikës, besoj se është i gabuar, sepse Kosova vlen shumë më tepër sesa çdo lloj posti e privilegji personal e partiak. Është mirë që kreu i LDK-së të konsultohet jo vetëm me disa skore që i mban afër vetes, por edhe me bazën e strukturat e partisë. Le të shpallë publikisht se dëshiron të marrë mendimin e anëtarëve të LDK-së dhe ta bëjë këtë me përgjegjësi. Jam i bindur që anëtarësia në shumicë dërmuese është për futjen e kësaj partie në koalicionin qeverisës me Vetëvendosjen. Në fund të fundit vrasësit e emrave të njohur të LDK-së nuk janë në Vetëvendosje, ose së paku nuk kishin Vetëvendosjen si inspirim për to, sepse kjo parti nuk ekzistonte asokohe”, përfundoi Enver Bytyçi për “Bota sot”.