TË FUNDIT

Kandidatët shqiptarë në zgjedhjet e mesmandatit 2026 – kush fitoi, kush humbi dhe çfarë fitoi ose humbi komuniteti

Beqir SINA New York City/INA

Në zgjedhjet e 3 nëntorit 2026, disa kandidatë me origjinë shqiptare hynë në fletët e votimit në nivele të ndryshme: nga Kongresi federal deri te asambletë shtetërore dhe bordet e qarkut.

Rezultati ishte i qartë dhe lë për të deshëruar: vetëm pak prej tyre fituan, shumica humbën, por prania e tyre tregoi rritje të dukshme të angazhimit politik të diasporës.

Joe Hoxha, republikan i lindur në Tiranë, ishte fituesi kryesor i natës.

Ai siguroi mandatin e tretë në Dhomën e Përfaqësuesve të Connecticut-it, Distrikti 78, me diferencë të ngushtë – vetëm 164 vota (50.91% kundër 49.09%).

Në një natë ku demokratët fituan me valë të gjerë në shumicën e shteteve, mbijetesa e tij flet për punë të qëndrueshme në terren dhe për njohjen e votuesve lokalë.

Hoxha nuk u mbështet vetëm te origjina etnike; ai ndërtoi lidhje me zgjedhësit e distriktit dhe arriti të qëndrojë në një legjislaturë ku shqiptarët janë pakicë e vogël. Kjo e bën atë shembullin e rrallë të vazhdimësisë.

Në Westchester, Nju Jork, dy emra të tjerë ruajtën ose fituan mandate.

Vedat Gashi, demokrat, u rizgjodh në Distriktin 4 të Bordit të Legjislatorëve me rreth 63% të votave. Ai ka ndërtuar prej vitesh një profil lokal të qëndrueshëm, duke u fokusuar në çështje praktike të qarkut.

Emiljana Ulaj, demokrate, fitoi me lehtësi Distriktin 9 të së njëjtës bord me rreth 75% të votave. Fitorja e saj e qartë tregon se kur kandidati shqiptar hyn në një distrikt ku komuniteti është i organizuar dhe partia e tij është e fortë, rezultati ndryshon.

Këta tre përbëjnë suksesin e kufizuar, por real, të kandidatëve shqiptarë.

Lista e humbjeve është më e gjatë dhe më e rëndë.

Diamant Hysenaj, republikan i lindur në Kosovë, sfidoi Alexandria Ocasio-Cortez në Distriktin 14 të Kongresit, që përfshin pjesë të Bronx-it dhe Queens-it.

Ai mori 21.5% të votave, ndërsa AOC fitoi me 78.7%.

Gara ishte e pabarabartë që nga fillimi. Distrikti është një bastion i demokratëve progresivë, ku incumbenti ka bazë të fortë dhe financim të lartë.

Hysenaj ngriti zërin e komunitetit kosovar, por nuk arriti të tërheqë votuesit e pavarur as të depërtojë përtej bazës së tij etnike. Mungesa e një infrastrukture fushate profesionale e bëri rezultatin e pritshëm.

Peter Lumaj, republikan i lindur në Shqipëri, kandidonte për Sekretar të Shtetit të Connecticut-it dhe humbi qartë ndaj incumbentes demokratike Stephanie Thomas me rreth 37% kundër 63%.

Rasti i tij mbetet më problematiku.

Kandidadura e mëparshme për vendin e Joseph Lieberman-it ishte vlerësuar si e papërgatitur dhe e dëmtoi imazhin e komunitetit. Edhe këtë herë ai hyri pa konsultim të gjerë, pa bazë organizative dhe pa transparencë financiare.

Kur një kandidat shpall veten pa mbështetje reale dhe pastaj kërkon para e vota, rezultati është i njëjtë: humbje dhe zhgënjim.

Shpëtim Qorraj, demokrat me origjinë nga Kosova, kandidonte për Asamblenë e Nju Jorkut në Distriktin 64 të Staten Island-it dhe mori rreth 39% kundër republikani në detyrë Michael Tannousis.

Alma Sarelli, republikane me origjinë nga Shkodra, kandidonte për Senatin e Connecticut-it në Distriktin 26 dhe humbi me 35% kundër demokratës Samantha Nestor.

Edlira Sako, demokrate nga Lushnja, kandidonte për Senatin e Michigan-it në Distriktin 24 dhe mori rreth 37% në një distrikt republikan.

Këta tre përfaqësojnë kandidatura të vullnetshme, por pa infrastrukturë. Në distrikte ku shqiptarët nuk përbëjnë masë kritike votuese, fitorja kërkon aleanca të forta me grupe të tjera dhe organizim profesional. Këto munguan.

Problemi më i thellë mbetet ai i parave.

Disa fushata u financuan me donacione të komunitetit, pasi kandidatët shqiptarë shpesh nisin fushatën pa asnjë cent dhe kërkojnë mbështetje financiare nga shqiptarët.

Pas humbjes, askush nuk di ku shkuan ato para dhe nuk ka as mesazh transparence, as falënderim.

Mungesa e raportimit po e gërryen besimin e një komuniteti që është tashmë i lodhur nga fushata të tilla.

Kjo praktikë dëmton jo vetëm kandidatin e dështuar, por edhe ata që mund të kenë potencial real në të ardhmen. Ngase shumë prej komuntetit do të hezitojnë të mbështesin, dhe me të drejtë.

Komuniteti shqiptar në SHBA nuk ka nevojë më për ekspozim të ekzagjeruar në mediave të dobëta të diasporës, ku intervistat e fryra e paraqesin ndonjë kandidat si të “piketuar” për Shtëpinë e Bardhë.

Sot shqiptarët e Amerikës, janë një komunitet i integruar, i shkolluar dhe me përvojë të mjaftueshme politike. Emrat si Hysenaj, Qorraj, Sako dhe Sarelli u vendosën për herë të parë në gara serioze dhe të vështira. Ata meritojnë inkurajim, por jo mbështetje të verbër.

Vedat Gashi dhe Emiljana Ulaj forcohen pozicionin në Westchester, ndërsa Joe Hoxha mbetet zëri i vetëm shqiptar në legjislaturën e Connecticut-it.

Por asnjë kandidat shqiptar nuk hyri në poste federale apo shtetrore. Humbjet e Lumajt, Sarellit dhe Sakos tregojnë se kandidatët ende luftojnë për mbështetje të gjerë jashtë komunitetit të tyre.

Ndarja politike midis republikaneve dhe demokratëve e dobëson potencialin e votës së unifikuar. Në vend që të veprojnë si bllok, shqiptarët shpërndahen dhe zbehën ndikimin e tyre.

Me rreth 750 mijë shqiptarë në SHBA, të përqendruar veçanërisht në Nju Jork dhe shtetet përreth, ekzistoin potenciale. Por potenciali nuk shndërrohet automatikisht në përfaqësim.

Grekët e italianët ndërtuan ndikimin e tyre me disiplinë, aleanca të qëndrueshme dhe kandidatë të përgatitur që kalonin filtra të brendshëm para se të hynin në garë.

Shqiptarët ende po mësojnë këtë m(p)ësim që pësojnë në çdo votime “shumë zhurmë për hiçgjë”.

Kandidaturat e ardhshme duhet të kalojnë tre filtra para se të shpallën: konsultim i vërtetë me komunitetin, jo kërkesë për para pasi është shpallur kandidati; vlerësim realist i distriktit dhe i shanseve; dhe transparencë e plotë financiare.

Pa këto, çdo fushatë e re rrezikon të përsërisë të njëjtin cikël: entuziazëm i shkurtër, humbje e sigurt dhe dëm në kredibilitetin e komunitetit.

Në këto votime përgjithësisht, komuniteti fitoi përvojë, por humbi përfaqësim të ri në nivele të larta.

Pjesëmarrja e gjashtë a shtatë kandidatëve, është shenjë e rritjes së ambicieve. Por, rezultatet tregojnë se rruga nga kandidatura deri te fitorja mbetet e gjatë. Diaspora ka filluar të luajë në këtë fushë, por ende nuk ka fituar vendin që kërkon në skenën politike amerikane.(INA)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *