Monologu i artistit “të çmendur””, Çun Lajçi “godet” rëndë deputetët/ Ja pse nuk ka Kuvend
Të enjten ka dështuar për herë të 16-të përpjekja për konstituimin e Kuvendit të Kosovës.
Shkrimtari Çun Lajçi ka reaguar ndaj këtyre zhvillimeve, duke thënë se nuk ka kuvend sepse nuk ka njerëz që e duan atdheun më shumë se veten.
Lajçi përmes një shkrimi publicistik në Facebook, ka shtuar se deputetët tallen me besimin e popullit dhe se as iriçi nuk tallet me therrën, siç tallen ata me popullin.
Shkrimi i plotë:
Nuk ka Kuvend se s’ka njerëz që e duan atdheun më shumë se vetën!
(Monologu i artistit të “çmendur”)
Mos e ndyni gojën! – i tha me zë të ngjeshur një deputeti që fliste para kamerave, si të ishte në ndonjë teatër eksperimental.
– Fjala s’është shaka për ekrane!
Fjala është psherëtimë mëngjesi! Është rrahje zemre, piskamë shpirti!
Është si e brendshmja e njeriut që don të çahet si vezë, për të lindur zogun e natës – atë që këndon kur bota fle, kur drejtësia hesht e kur populli harrohet.
– Ky popull ende s’është gati të vdes! Ka ende shtigje për të shkelur, deri te krojshja ku fle gjarpri i ëndrrave të shkelura!
– S’e ka bërë ende hapin e buburrecit, me kashtërrojë mbi shpinë.
– S’është futur akoma në strofullën e urithit, – u tha atyre që qeshnin pas krahëve të tij, me kravatat e shtrembëra e buzëqeshjet e lodhura.