Arsimtari që hodhi flamurin kombëtar e plisin në mbeturina deklarohet i pafajshëm
Mësimdhënësi i lëndës së gjuhës angleze Muhamed Hajredinaj, i cili akuzohet për nxitje të urrejtjes nga Prokuroria Speciale, është deklaruar i pafajshëm.
Prokuroria pretendon se ai ia hodhi një nxënëseje të klasës së 6-të plisin dhe flamurin kombëtar në bërllok të cilat ajo i mbante me vete për rastin e ditës së flamurit.
“I pandehuri për shkak të bindjeve të tij fetare, të cilat i ka shprehur edhe përpara në prani të nxënësve, ka marrë flamurin kuqezi dhe plisin dhe përkundër kundërshtimeve të nxënësve i ka hedhur në shportën e mbeturinave dhe e ka larguar nga ora mësimore, një nxënëse e cila i mbanë këto simbole me qëllim të pjesëmarrjes në programin festiv të organizuar nga shkolla me rastin e Ditës së flamurit”, ka thënë prokurori i rastit.
Sipas tij me këto veprime Hajredinaj ka nxitur urrejtje dhe mosdurim në mes të grupeve kombëtare, etnike dhe fetare.
“Dëshmitarja Margareta Shabani, arsimtare pranë Sh.F.M.U “Xhemail Mustafa”, më datë 29.11.2024, ka deklaruar se me datë 27.11.2024, kur kishte shkuar për të mbajtur orën e dytë në klasën 6/4, pasi kishte hapur derën e klasës aty kishte dëgjuar zhurmë si nga ana e nxënësve po ashtu edhe nga ana e arsimtarit Muhamed Hajredinaj. Ndërkohë që nga kjo situatë ishte shokuar dhe se nxënësit i kishin shpjeguar situatën në prezencën e arsimtarit duke thënë ‘nuk po na len arsimtari me veshje kombëtare, me plisa, pse jemi veshur me veshje kombëtare'”, thuhet në aktakuzë.
Derisa nxënësit shpjegonin situatën, i pandehuri iu drejtohej me fjalë fyese “lahper, mbylle gojën, të shtrydhi si limon”.
Në vazhdën e asaj situate dhe pas një debati me nxënësit, i pandehuri në atë moment ishte acaruar dhe e kishte gjuajtur plisin në shportë të mbeturinave. Dëshmitarja thekson se nxënësit kanë qenë shumë të shqetësuar me sjelljen e arsimtarit Muhamed dhe derisa dilte nga klasa, ai kishte vazhduar t’i ofendonte nxënësit prapë në të njëjtën mënyrë duke i thënë “mbylleni gojën” e të tjera.
Pas kësaj, sipas aktakuzës, nxënësit ishin të shqetësuar dhe i përshkruanin veprimet e të pandehurit se si e kishte hedhur flamurin kombëtar në shportën e mbeturinave dhe sjelljen arrogante ndaj nxënësve dhe përqeshjen që u kishte bërë lidhje me simbolet kombëtar shqiptare.
Po ashtu, dëshmitarja dëshmon se pas hedhjes së flamurit kombëtar dhe plisit në shportën e mbeturinave, nxënësit i kanë marrë nga shporta dhe për të ia pamundësuar hedhjen e simboleve kombëtare prapë në mbeturina, një nxënës ishte ulur në shportë duke ja pamundësuar përsëritjen e këtij veprimi.
Gjithashtu, sipas dëshmitares, i pandehuri edhe në disa raste tjera në mënyrë indirekte iu kishte thënë nxënësve në disa klasa se muzika është haram, duke ju referuar “ideologjisë së tij fetare dhe i mbushur me urrejtje”.
Pas rastit Hajderinaj ishte pezulluar nga puna në shkollën “Xhemail Mustafa”, në tetor të vitit 2024.