POLITIKATË FUNDIT

Gërvalla e quan të pasuksesshme fushatën e Serbisë për çnjohje

Ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, ka thënë që ata nuk e kanë asnjë informacion nëse fushata e Serbisë për çnjohjen e Kosovës ka pasur sukses.

“Sa u përket njohjeve të reja, natyrisht që në aspektin teknik nuk kemi asnjë njohje të re në tavolinë por kemi lëvizje të shumta me shtete të ndryshme me të cilat nuk ka pasur asnjë lloj bashkëpunimi me Republikën e Kosovës. Nuk kam nevojë këtu publikisht t’i shpërfaq hapat të cilët i ndjekim sepse jam e sigurt që ju jeni gjatë në politikën e Kosovës dhe i njihni ofertat që mund të bëjmë, edhe ofertat për bashkëpunim që nuk janë patjetër njohje por që janë mundësi të tjera bashkëpunimi në fusha të ndryshme”, ka thënë ajo.

“Ka pasur një fushatë nga ana e Serbisë për çnjohje por nuk kemi asnjë informacion që kjo fushatë të ketë pasur sukses në ndonjërin nga shtetet të cilat janë adresuar nga Serbia”.

Gërvalla në raportimin e saj në Komisionin për Punë të Jashtme ka theksuar se përpjekjet kanë qenë të shumta, mirëpo një gjë e tillë nga shteti fqinj nuk është arritur.

“Përpjekjet kanë qenë të shumta duke filluar nga dhënia e armatimit rus, nga vaksinat, nga produktet të ndryshëm ushqimore, ndihma humanitare e të tjerë, ne kemi kontaktuar secilin prej shteteve të cilët kemi supozuar që mund të jenë në atë listë dhe rezultati është që ajo fushatë ka qenë e pasuksesshme”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *