TË FUNDIT

Osmani: Serbia duhet ta kuptojë se Kosova është realitet i pakthyeshëm

Gjatë një vizite zyrtare në Finlandë, presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka dhënë një intervistë për median kombëtare finlandeze “Yle”, ku ka diskutuar për situatën e sigurisë në Ballkanin Perëndimor dhe ndikimin në rritje të Rusisë në këtë rajon.

Presidentja Osmani theksoi se Rusia ka trefishuar buxhetin për propagandë dhe fushata dezinformuese në Ballkan, duke treguar interesin e lartë të Moskës për të ndikuar zhvillimet në këtë pjesë të Evropës.

Sipas saj, rajoni vazhdon të jetë i tensionuar dhe Serbia, nën drejtimin e presidentit Aleksandar Vuçiq, ndjek një ideologji të ngjashme me atë të Vladimir Putinit, duke mohuar ekzistencën dhe sovranitetin e vendeve fqinje.

“Ky mendim hegjemonist dhe imperialist është i rrezikshëm dhe i përket të kaluarës”, theksoi Osmani.

Ajo foli edhe për takimin e fundit mes patriarkut serb Porfirije dhe presidentit rus Putin, ku sipas saj, u diskutua haptazi për planet e pushtimit të vendeve si Mali i Zi, Bosnja dhe Kosova.

Presidentja kritikoi gjithashtu qasjen e disa vendimmarrësve në Bashkimin Evropian, të cilët, sipas saj, besojnë se Vuçiq mund të mbahet i qetë përmes koncesioneve, gjë që ka sjellë vetëm përshkallëzim të dhunës. Ajo shprehu habi që BE-ja vazhdon të rrisë ndihmën për Serbinë, ndërsa Beogradi vazhdon të shmangë zbatimin e marrëveshjeve dhe të nxisë tensione në rajon.

Osmani theksoi se Kosova ka qenë gjithmonë palë paqësore dhe e gatshme për bashkëpunim me Serbinë, pa kërkuar hakmarrje, por drejtësi për krimet e luftës. Ajo përfundoi duke thënë se Serbia duhet ta kuptojë se Kosova është realitet i pakthyeshëm dhe se nuk ka kthim në të kaluarën.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *