Nëse dështon edhe seanca e tretë e Kuvendit, juristi tregon se si duhet të veprojnë partitë politike
Kuvendi i Kosovës edhe sot ka dështuar në konstituimin e tij. Është hera e dytë që dështon, pas seancës së parë, pas zgjedhjeve të 9 shkurtit.
Seanca e tretë me radhë është thirrur pas 48 orësh, për ditën e shtunë nga ora 12.00
Mirëpo, ҫfarë mund të ndodhë nëse dështon edhe herën e tretë? A do të provojnë partitë tjera formimin e institucioneve apo vendi do të shkoj sërish në zgjedhje?
Lidhur me këtë ҫështje ka folur juristi dhe avokati Ardian Bajraktari. Ai përmend atë që e thotë Kushtetuta e Kosovës për raste të tilla.
“Kushtetuta jonë si dhe Aktgjykimet e saj, veçmas Akgjykimi KO72/20 i vitit 2020, ndër të tjera ka konstatu se të drejtat dhe detyrimet që burojnë nga Kushtetuta, duhet të ushtrohen në shërbim të themelimit dhe mbarëvajtjes efektive të institucioneve shtetërore. Po ashtu struktura e normave kushtetuese që ndërlidhen me themelimin e institucioneve shtetërore që burojnë nga vota e popullit, duhet të interpretohen në atë mënyrë që të jetësojnë dhe jo të bllokojnë themelimin dhe ushtrimin efektiv të funksioneve përkatëse”, vlerëson Bajraktari për ‘Bota sot’.
SIpas tij, asnjë normë kushtetuese nuk mund të interpretohet në atë mënyrë që të bllokojë themelimin dhe funksionimin efektiv të pushtetit si atij legjislativ ashtu edhe atij ekzekutiv.
“Dhe se gjitha pushtetet dhe bartësit e funksioneve publike, pa përjashtim, kanë për obligim që të kryejnë detyrat e tyre publike në shërbim të jetësimit të vlerave dhe parimeve mbi të cilat është ndërtuar të funksionojë Republika e Kosovës. Pra, është detyrë e të zgjedhurve të popullit që të gjejnë zgjidhje dhe t’i themelojnë institucionet sa më parë”, tha ai.