“Ishte me paramendim” – Ish-diplomati i ashpër pas prezantimit të Kosovës me fusnotë në Tiranë
Gjatë një konference rajonale të mbajtur në Tiranë, Kosova është prezantuar me fusnotë – një veprim që ka ngjallur reagime të ashpra dhe është cilësuar si skandaloz.
Ish-diplomati Agim Nesho e ka quajtur këtë veprim jo vetëm një skandal diplomatik, por edhe një fyerje për dy shtete të një kombi të vetëm.
“Është një skandal jo vetëm diplomatik, por edhe i dy shteteve të një kombi të vetëm. Duket se ka qenë e paramenduar”, deklaroi Nesho në një intervistë për emisionin “Ora 7”.
Sipas tij, një prezantim i tillë nuk mund të jetë rastësor dhe përbën një hap mbrapa për respektimin e subjektivitetit shtetëror të Kosovës në forume ndërkombëtare, aq më tepër në kryeqytetin e një shteti mik dhe vëlla si Shqipëria.
Ky zhvillim ka ngritur pikëpyetje rreth organizimit të konferencës dhe qëndrimit të institucioneve shqiptare ndaj çështjes së shtetësisë së Kosovës në kontekste rajonale dhe ndërkombëtare.