POLITIKATË FUNDIT

10 persona në paraburgim për tragjedinë në Koçan, Qeveria shpall 7 ditë zie

(E përditësuar) Prokurori publik i Maqedonisë së Veriut, Lupço Kocevski, ka bërë të ditur se 10 persona do të qëndrojnë në paraburgim të përkohshëm si të dyshuar për tragjedinë që ndodhi në Koçan, ku humbën jetën 59 persona dhe mbi 150 u lënduan.

Në orët e mbrëmjes, është marrë në pyetje nga policia edhe ish-ministri i Ekonomisë, Kreshin Bekteshi.

Ministri i Shëndetësisë, Arben Taravari, njoftoi se gjithsej 47 persona të lënduar nga zjarri në Koçan do të hospitalizohen jashtë shtetit.

Ministri i Punëve të Brendshme, Panço Toshkovski, njoftoi se në diskotekën “Puls” në Koçan ka pasur rreth 500 persona. Ai njoftoi se trupat e të gjitha viktimave janë nxjerrë nga vendi i ngjarjes dhe se shumica prej viktimave tashmë janë identifikuar.

Qeveria e Maqedonisë në një seancë të jashtëzakonshme shpalli 7 ditë zie në këtë vend, në nderim të viktimave të kësaj tragjedie.

(E përditësuar) 59 vikima në Koçan, Maqedonia e Veriut shpall 7 ditë zie

Qeveria e Maqedonisë së Veriut në një seancë qeveritare të jashtëzakonshme pas tragjedisë në Koçan ku humbën jetën 59 persona dhe mbi 150 të tjerë u lënduan, ka shpallur shtatë ditë zie në mbarë territorin e vendit.

Në seancën qeveritare, që filloi me një minutë heshtje në nder të njerëzve që humbën jetën, gjithashtu u mor vendim me të cilin obligohet Inspektorati Shtetëror i Tregut që në tre ditët e ardhshme në territorin e vendit të kryejnë inspektim të jashtëzakonshëm në objektet hotelierike, si në klube nate dhe diskoteke.

Qeveria informoi se në bashkëpunim me Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe institucionet e tjera kompetente po punon për zbardhjen e plotë të rastit duke mbledhur provat materiale, që të gjithë të përfshirët në këtë ngjarje tragjike që kanë kontribuar në rrezikimin e jetëve njerëzore do të sillen para organeve të drejtësisë dhe do të mbajnë përgjegjësi.

Ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski informoi se në mesin e të arrestuarve ka organizatorë të ngjarjes në klubin e natës, pjesëtarë të detyruar për sigurimin e spektaklit, por edhe përfaqësues institucionesh si ish sekretari i Ministrisë së Ekonomisë dhe ish drejtori i Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim.

(E plotësuar) Shkon në 59 numri i vikimave në Koçan

Ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski, tha se deri në këto momente ka të dyshuar më shumë se 20 persona, rreth 15 prej tyre janë në stacion policor, 9 nga të dyshuarit për shkaktimin e kësaj ngjarjeje kanë vdekur.

“Një pjesë janë në spital, 4 persona janë të siguruar në spital, dy anëtarë të grupit, djali i pronarit të diskotekës dhe drejtues i subjektit juridik. Një pjesë e të arrestuarve që janë në stacion policor janë njerëz që kanë faj direkt në lidhje me këtë ngjarje,” tha Toshkovski.

Toshkovski tha se po ashtu janë arrestuar një ish-Sekretar Shtetëror i ministrisë së Ekonomisë, si dhe një udhëheqës i sektorit në Ministrinë e Ekonomisë.

(E Plotësuar) Ministri i Brendshëm i Maqedonisë së Veriut, Pançe Toshkovski ka konfirmuar se numri i viktimave në Koçan, ka shkruar në 59.

Ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski ka deklaruar se numri i viktimave nga tragjedia në Koçan ka shkuar në 59, derisa numri i të lënduarve është rritur në 155.

“Deri në ora 11:30, sipas informacioneve të cilat i kemi, kanë ndërruar jetë 59 persona, prej tyre 35 janë identifikuar, nga të identifikuarit, 31 janë nga Koçani, 4 nga Shtipi. Numri i të lënduarve sipas informacioneve që i mora rreth orës 12 është 155 persona, të njëjtit janë në shumë spitale në vend”, ka theksuar Toshkovski.

Sipas tij, në mesin e viktimave është edhe një polic. Polici sipas Toshkovskit ka qenë në detyrë dhe në kontroll për përdorim të lëndëve narkotike.

Ai ka bërë të ditur se në diskotekën “Puls” në Koçan, ka pasur rreth 500 persona. Toshkovski njoftoi se trupat e të gjitha viktimave janë nxjerrë nga vendi i ngjarjes dhe se shumica prej viktimave tashmë janë identifikuar.

Tragjedia në Koçan, disa persona të vdekur nuk kanë pasur letërnjoftime

Drejtoresha e Spitalit të Koçanit, Kristina Serafimova është deklaruar pas tragjedisë së ndodhur në orët e hershme të mëngjesit në diskotekën e Koçanit. Ajo ka deklaruar se rreth 70 pacientë janë sjellë mënjeherë për ndihmë mjekësore në spital, ndërsa në mesin e tyre ka pasur dhe persona të vdekur.

“Ne si spital, si ekipe mjekësore jemi mobilizuar që të gjithë për të ju dalë në ndihmë dhe kemi kryer mjekimin e nevojshëm, ndaj nga 20 pacientë sa aktualisht i kemi këtu, janë në gjendje më stabile, teksa rastet më të rënda janë nisur për në Shkup dhe Shtip”, ka theksuar Serafimova.

Sipas saj, disa nga personat e vdekur nuk kanë pasur letërnjoftime me vete, ndaj tashmë presin familjarët e të ndjerëve që të identifikojnë trupat.

“Ka pasur persona nga mosha 14 deri në 24 ose 25 vjeç. Tek disa persona të vdekur ka pasur letërnjoftime, me ç’rast janë identifikuar më lehtë, mirëpo tek disa nuk ka, ndaj presim familjarët e tyre që të identifikojnë trupat”, ka deklaruar Serafimova.

Taravari: 118 persona janë shtruar në spitalet e Koçanit, Shtipit dhe Shkupit

Ministri i Shëndetësisë, Arben Taravari ka deklaruar se për momentin janë 118 të lënduar nga zjarri që ka shpërthyer në diskotekë në Koçani.

Ai nuk dashur të spekuoi për gjendjen e të lënduarëve, duke theksuar se “tash shkojmë në kirurgji të marrim informacione”.

Taravari ka theksuar se ka pranuar thirrje nga ministri i shëndetësisë së Bullgarisë, i cili ka ofruar ndihmë, por për momentin nuk ka nevojë për ndihmë të huaj.

51 persona të vdekur në tragjedinë në Koçan

Ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski ka dhënë detaje për tragjedinë me zjarrin në diskotekën në Koçan. Ai ka deklaruar se numri i të vdekurve është të paktën 51 persona. Po ashtu ka thënë se deri më tash janë edhe mbi 100 të tjerë të lënduar dhe u transferuan në klinikat në Shtip dhe Shkup.

Ministri maqedonas, Toshkovski, ka theksuar se sipas informacioneve fillestare, zjarri ka nisur nga shkëndija të fishekzjarreve skenike të cilat më pas kanë marrë flakë në tavan, i cili ka qenë i materialit të ndezshëm.

“Për një periudhë të shkurtër kanë arritur edhe ekipe mjekësore edhe nga qytetet e tjera të afërta dhe helikopteri me te cilin janë bartur të plagosurit. Kanë humbur jetën 51 persona, më tepër se 100 janë lënduar dhe janë dërguar nëpër spitale në Shtip dhe Shkup”, ka deklaruar Toshkovski.

Sipas tij, janë arrestuar persona. Ai ka kërkuar mirëkuptimin e mediave gjatë raportimit mbi këtë rast, deri sa ka theksuar se secili person i përfshirë në këtë tragjedi do të mbajë përgjegjësi.

Në Maqedoninë e Veriut bie zjarrë në diskotekë, raportohet për dhjetëra viktima

Të paktën 50 persona kanë vdekur në orët e vona të natës në qytetin lindor të Maqedonisë së Veriut, Koçan, si pasojë e shpërthimit të zjarrit në një klub nate, kanë thënë autoritetet maqedonase raporton agjencia e lajmeve MIA.

Numri i të plagosurve nuk dihet, por një pjesë e tyre janë transferuar në klinikat në Shtip dhe Shkup.

Përmes një komunikate për media, Prokuroria Publike e Maqedonisë së Veriut, ka thënë se të gjitha shërbimet kompetente, përfshirë edhe prokurorin publik nga Prokuroria Themelore Publike Koçan janë në terren.

Nga Prokuroria, kanë thënë se tashmë po përcaktohet numri i viktimave dhe të plagosurve nga zjarri.

“Prokurori publik i Republikës së Maqedonisë së Veriut, si dhe prokurorët themelorë publikë të Prokurorisë Publike të Shkupit dhe Prokurorisë Publike të Prokurorisë Publike të Republikës së Maqedonisë së Veriut janë rrugës për në Koçan. Prokuroria e Koçanit do të ketë në dispozicion të gjitha kapacitetet e prokurorisë për veprime të menjëhershme”, thuhet në njoftim.

Raportohet se inistria e Brendshme po i ndalon të gjithë personat që në çfarëdo mënyre kanë lidhje me organizimin e ngjarjes në diskotekën private në Koçan.

Ngjarja fatale ka ndodhur në orën 3 të mëngjesit, kur për shkak të përdorimit të mjeteve piroteknike ka rënë zjarr në diskotekën ‘Pulse’.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *