Kurti diskuton për zgjedhjet edhe me Prattipatin e SHBA-së
Kryeministri Albin Kurti ka takuar të enjten edhe të ngarkuarën me punë në Ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Anu Prattipati. Sipas një njoftimi nga zyra e kryeministrit, zgjedhjet kanë qenë tema e diskutimit mes tyre.
Po ashtu është diskutuar edhe për hapat drejt formimit të institucioneve në legjislaturën e nëntë.
Njoftimi thekson se Kurti ka thënë që përderisa po pritet përfundimi i numërimit të votave, “Qeveria po vazhdon punën e saj të përditshme në përmbushjen e detyrave e përgjegjësive dhe shërbimin ndaj të gjithë qytetarëve, pa dallim”.
Kurti ka falënderuar Prattipatin edhe për kontributin e madh dhe mbështetjen e vazhdueshme të SHBA-së për Kosovën, sipas njoftimit.
Para takimit me Prattipatin, zyra e kryeministrit njoftoi se Kurti gjatë ditës ka diskutuar për zgjedhjet edhe me ambasadorin gjerman në Kosovë, Jorn Rohde.