TË FUNDIT

Kurti: Me SHBA-në e BE-në partneritet pa armiqësi e servilitet

Qeveri jonë kurrë nuk i ka rrezikuar raportet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe me Bashkimin Evropian, përkundrazi kurrë nuk ka pasur marrëdhënie më të gjera, më të thella, më përmbajtjesore, më cilësore, me aleatët, partnerët, miqtë tanë nga perëndimi se sa me qeverinë tonë”, ka thënë Albin Kurti, kandidati i LVV-së për kryeministër, në tubimin e mbajtur në Prishtinë. Për opozitën Kurti ka thënë se është marrë me qira nga oligarku më i madh siç merret vetura “rent a car”
Qeveria e drejtuar nga Lëvizja Vetëvendosje kurrë nuk i ka rrezikuar raportet me SHBA-në dhe BE-në, ka thënë kandidati për kryeministër nga ky subjekt, Albin Kurti. Në tubimin përmbyllës të mbajtur në kryeqytet, Kurti ka thënë se raportet me ndërkombëtarët nuk kanë qenë asnjëherë më përmbajtjesore e cilësore.

“Qeveri jonë kurrë nuk i ka rrezikuar raportet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe me Bashkimin Evropian, përkundrazi kurrë nuk ka pasur marrëdhënie më të gjera, më te thella, më përmbajtjesore, më cilësore, me aleatët, partnerët, miqtë tanë nga perëndimi se sa me qeverinë tonë. Ne kemi ndërtuar partneritet të mirëfilltë për zhvillim e për progres, për mbështetje të pakursyer e të ndërsjellët pa armiqësi dhe pa servilitet. Armiqësia dhe serviliteti janë dy ekstremizma, ne jemi kundër ekstremizmave e ne jemi për normalitet. E normaliteti është partneritet. As armiqësi e as servilitet”, ka thënë Kurti.

Kandidati për kryeministër nga radjhët e Lëvizjes Vetëvendosje ka kritikuar opozitën. Ka thënë se ajo nuk ka të drejtë e kësisoj për katër vite nuk ka arritur që të organizoj asnjë protestë qytetare.

“Gjatë këtyre katër viteve opozita nuk arriti ta qoj në dorëheqje apo shkarkim asnjërin prej tre zv.kryeministrave, asnjërin prej 15 ministrave, asnjëri prej 30 zv.ministrave, asnjërin prej 25 ambasadorëve. Nuk arriti ta organizoj për katër vjet asnjë protestë qytetare se leje më demonstratë popullore. Kjo opozitë as nuk ka të drejtë as nuk mundet. Nga padrejtësia i vjen pafuqia e neve nga drejtësia na vjen fuqia”, ka thënë ai.

Sipas Kurtit, partitë opozitare janë marrë me qira nga një oligark.

“Pikërisht nga pakënaqësia me këtë opozitë të lodhur, oligarku më i madh në Kosovë, i pakënaqur me opozitarizmin filloj t`i marrë partitë opozitare me qira kundër qeverisë, sidomos njërën prej tyre. Pra ky oligarku kryesor ka disa muaj që e ka marrë opozitën me qira porsi veturën ‘rent a car’. Dhe natyrisht pasi e ka marrë me qira opozitën, të hënën në mëngjes veturën ‘rent a car’ duhet me kthye në parking. Qaty ku e ka marrë: në opozitë. Por jo veç me e kthye në parking por duhet me kthye edhe ma të lodhur se që e ka marrë sepse 500 mijë zemra të dielën e 9 shkurtit rrahin porsi një”.

Në tubimin në Prishtinë, që tha se është më i madhi elektoral i mbajtur ndonjëherë, Kurti foli edhe për simbolin e Vetëvendosjes.

“Ky simboli V, Vetëvendosje me dy gishta është bërë edhe simbol i gërshërëve. Se ne fitojmë me V por edhe prejmë me V. Prejmë korrupsionin, prej krimin, prej strukturave të Serbisë, prej keqpërdorimit, të gjithë ata keqpërdorues, armiqtë të cilët nuk ja duan të mirën Republikës sonë”, ka thënë ai.

Pjesëmarrësit, Kurti i luti që të mos lejojnë që Lëvizja Vetëvendosje të marrë më pak vota, se sa që synon.

“Unë kam kërkuar shpesh prej jush, mirëpo unë asnjëherë nuk jam lutur. E sonte po ju lutem, mos na lini nën 500 mijë vota. Nuk ju kam lutur më herët, nuk do ju lutem më vonë, veç sonte, për masnesër mos na lini nën 500 mijë vota. Aman po ju lus mos na lini nën 500 mijë vota të dielën”, ka thënë ai.;

Sipas tij, shifra prej 500 mijë votash i duhet për disa arsye.

“Se ndërkombëtarët po na këqyrin me llupë, Serbia po na vëzhgon me dylbi e ne do ta shohim veten në pasqyre… Mos na lini nën 500 mijë vota.”

Aktivitetet zgjedhore, Lëvizja Vetëvendosje do t`i zhvillojë edhe të shtunën.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *