SHBA i përkrahë përpjekjet e Kosovës për luftimin e korrupsionit, thotë ambasadori amerikan
Ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Jeffrey Hovenier, gjatë një fjalimi në Gala Darkën e Bamirësisë të Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, tha se pjesëtarët e sektorit privat të Kosovës luajnë rol të rëndësishëm në adresimin e tri sfidave të ndryshme: diversifikimin e energjisë, fuqizimin ekonomik për të gjithë dhe sundimin e ligjit.
Ai falënderoi Odën Ekonomike Amerikane në Kosovë për mbledhje të fondeve për kauza të vlefshme. Ai tha se ngjarjet si këto demonstrojnë rëndësinë e përgjegjësisë sociale të korporatave.
Duke folur për diversifikimin e energjisë, Hovenier, siç informoi OAK, tha se termocentralet e vjetra të Kosovës kanë ndikim të rëndësishëm në parashikueshmërinë e furnizimit me energji, në shëndetin e qytetarëve dhe në tërheqjen e investitorëve potencialë.
Ambasadori Hovenier theksoi rëndësinë e fuqizimit gjithëpërfshirës ekonomik, duke nënvizuar 16 ditët e aktivizmit kundër dhunës gjinore.
“Ambasadori Hovenier tha se kur gratë gëzojnë mundësitë e barabarta të garimit në biznes, atëherë ato performojnë shumë mirë. Ambasadori Hovenier kërkoi nga Oda Amerikane të luajë rol udhëheqës në shoqërinë e Kosovës për të mundësuar eliminimin e barrierave në zhvillimin profesional, dhe heqjen e pengesave me bazë gjinore ndaj njerëzve, ashtu që të gjithë të jemi kampionë të sigurimit të një mjedisi të barabartë”, u bë e ditur në komunikatë.
Hovenier mirëpriti përpjekjet e Kosovës për luftimin e korrupsionit, duke shtuar se Qeveria e SHBA-së është e përfshirë në përkrahjen e këtyre përpjekjeve, duke përfshirë edhe rolin aktiv të USAID-it në themelimin e gjykatës komerciale.