Verifikohet mandati i Imërlie Saliu-Fetait, bëhet deputetja e parë me mbulesë në Maqedoninë e Veriut
Kuvendi sot i verifikoi mandatet e deputetëve Adnan Azizi dhe Imërlie Saliu-Fetai të cilët vijnë nga Koalicioni VLEN dhe e pranoi raportin e Komisionit verifikues i cili paraprakisht në mbledhje miratoi raport se nuk ka bazë për kontestim të verifikimit të mandateve të tyre.
Me këtë, Imërlie Saliu-Fetai u bë deputetja e parë me mbulesë në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut.
Gjatë kohës së fushatës zgjedhore, ajo në një intervistë deklaroi se gratë nuk duhet të shihen me atë që kanë mbi kokë, por se duhet të vlerësohen për atë që përfaqësojnë, për atë se çfarë mund të japin kontribut në shoqëri.
“Këtu mund të them se ka shumë motra si puna ime në dukje, kjo i përket kodit moral dhe etnik të veshjes, por në aspektin profesional ne kemi shumë gra shumë vajza të reja dhe zonja që duhet t’ju jepet hapësirë për tu dëshmuar”, ka deklaruar Imerlije Saliu, duke thënë se nuk beson se dukja është problem, ngase Maqedonia e Veriut është një vend me diversitete të ndryshme.
Saliu-Fetai mori mandat të deputetes pas rivotimit në disa vendvotime më 22 maj në Njësinë e gjashtë zgjedhore, ndërsa Adnan Azizi është deputet në vendin e kryetarit të Komunës së Tetovës, Bilall Kasami, mandati i të cilit me kërkesë të tij nuk ishte verifikuar në mbledhjen konstituive.